Home KRYESORE Lul! Të skadoi besa e talljes! S’të lemë dot më të abuzosh...

Lul! Të skadoi besa e talljes! S’të lemë dot më të abuzosh me përndjekjen. Nga Fatmir HOXHA

Para nja dy ditësh mësova nga mediat se kryetari i Partisë Demokratike, aleati ynë, ishte takuar me përfaqësues të Fondacionit Konrad Adenhauer. Sipas njoftimit, “takimi kishte si qëllim bashkëpunimin dhe ekspertizën gjermane në hartimin e ligjit për ndalimin e simboleve të komunizmit.” (?!)

E theksova “ALEATI YNË”, pasi edhe zyrtarisht, ne vazhdojmë të jemi pjesë e një marrëveshjeje politike dhe ish anëtarë të të njejtit koalicion opozitar. Edhe si bazë klasore e sociale, edhe si platformë politike, ne jemi të shpallur si përfaqësues të antikomunizmit dhe përndjekjes politike që ai zbatoi.  Më e pakta korrektesë politike është të njoftohemi, pale të përfshihemi, si grup interesi. Në këto rrethana na lind detyrimi të bëjmë nja dy sqarime :

E para dhe më e rëndësishmja: Përndjekja nuk është një rrymë artistike që e krijon njëri a tjetri dhe as OJF që e quan si të duash. Përdjekja politike dhe përfaqësimi i saj janë institucione sa morale aq zyrtare. Edhe më herët kemi bërë një deklaratë , në një rrethanë të ngjashme, duke paralajmëruar se do të rreagojmë ashpër ndaj kujtdo që do abuzojë me këtë institucion. Sot po ia them “aleatit”: Sa herë do luash me përndjekjen e me kukulla që përdor si përfaqësues të saj, pa kaluar nga institucionet morale dhe politike të antikomunizmit aq herë do përballesh me ne!

Së dyti, por jo më pak e rëndësishme: Po u bëka ligj për ndalimin e simboleve të komunizmit? Mos more!! Po ata “antikomunistët” që përdor, nuk të kanë treguar se ka një rezolutë të Asamblesë së  Këshillit të Europës, nr. 1481/2006 ” PËR DËNIMIN E ASHPËR TË KRIMEVE TË REGJIMEVE TOTALITARE KOMUNISTE”?  Shikoje atë foto në krye të lajmit, aleati Basha! 13 burra , për 21 ditë me rradhë, kemi qëndruar në grevë urie për…DËNIMIN E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT , ZBATIMIN E REZOLUTËS SË KËSHILLIT TË EUROPËS 1481, NDALIMIN E SIMBOLEVE TË DIKTATURËS ETJ. Ishte viti 2014 dhe ti ishe tashmë kryetar i PD – së. Por nuk e bëre as atëhere as tani.

Përndjekja nuk është si indigjenët e Amerikës që i gënjenin kolonizatorët me pasqyra për t’u marrë arin. Problemi i antikonumizmit dhe përndjekjes nuk janë simbolet. Çështja e madhe kombëtare është RIKOMUNISTIZIMI I VENDIT! Praktikat totalitariste, figurat e diktaturës dhe familjarët e tyre sot janë kthyer në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, pa folur pastaj për sistemin e drejtësisë. Shpronësimet e shqiptarëve sot, pa ligj e me urdhëra, si në vitin 1946, kapja e opozitës, kufizimi i lirive të individit, lirisë së pronës si themel i sistemit kapitalist janë fakte që gjithkush i konstaton, gjithkush i denoncon (tashmë nën zë) veç kryetarit të Partisë Demokratike? Dënimi i simboleve , pra i surratit të Enverit që del nëpër festa, yllit të kuq e të tjera, janë lugë e zbrazur që nuk mund të ngopë një popull tashmë tejet të uritur për liri, demokraci dhe Shqipërinë si gjithë Europa.

E treta dhe e fundit: Dëmi më i madh që mund t’i bëhet një kauze është ta përfaqësosh keq atë. Që të mos e quajmë mision të kryetarit të rizgjedhur Basha, (se mbase këshilltarët nuk i ka të mirë dhe e kanë kequdhëzuar) , ne i kërkojmë që nderi më i madh është të heshtë, në vend të skeçeve me gjasme protesta a deklarata, farsave me “ndërkombëtarë”, siç përdori përkatësinë gjermane të një fondacioni të nderuar për të shitur për djathë një sapun Rrogozhine të skaduar siç është çështja periferike e simboleve në kohën që këtu është kthyer i gjithë komunizmi

Share: