Profesor Paskal Milo zbulon nga arkivi personal i Enver Hoxhës përmbajtjen e një letre që Mehmet Shehu i ka dërguar më 9 shkurt 1944 Dushan Mugoshës, të dërguarit të Titos në formacionet partizane shqiptare.
Në të Mehmeti, pasi bën autokritikë për disa qëndrime të gabuara të tij, e vlerëson Mugoshën dhe i kërkon atij që të arratiset nga Shtabi i Përgjithshëm e të qëndrojë pranë brigadës së parë që drejtonte Shehu, që të bisedonin nga afër.
LETËR E M. SHEHUT DREJTUAR SALIUT (DUSHANIT) MË 9 SHKURT 1944
Në letrën që M. Shehu i drejton Saliut më 9 shkurt 1944, midis të tjerave thotë: “Letra që më dërgove është ngush- ëllim për mua dhe do t’a konservoj: aty tregohet se çfarë interesimi personal, special tregon shok për t’më mbushur mendjen mua mbi pikëpamjet e gabuara që shfaqa.
Tregon një interesim për t’më ndihmuar si komunist që të kuptoj të vërtetën. Unë kritikoja mbi përbërjen e Shtabit operativ sepse mejtoja se brigadat do mvareshin për çdo gjë nga ai Shtab, por tash e shoh në praktikë se neve na është caktuar sektori i veprimit dhe na është lënë autonomia e nevojshme në veprim. Një gjë më tronditi: më trondit fraza që ke përdorur në letrën që më dërgoje ‘sepse dyshon se do të të kuptojnë keq’. Gabimi im qëndron se nuk ndenja të shpjegohesha gojarisht, por u shpjegova me një letër të shkruar shpejt e shpejt, e cila të mendosh se unë dyshoj në juve. Më trondit, Sali, se unë kurrë s’kam dyshuar në ty e në Halimin.
E në kë të dyshoj? Në Partinë? Pse s’më ha mortja mua në rast se dyshoj? Çfarë komunisti qënkam unë kur të dyshoj në shokët më të mirë të Partisë? Hajde i shkreti Mehmet hajde! Sa do të kënaqesha sikur të fjaloseshim gjatë njëherë. Vetëm ajo frazë më vret dhe tjetra e gjithë letra më ngushëllon, më përkëdhel, më këshillon, më ndihmon, më mëson. Tregon ç’afrim kam në ty, shok e asnjë urrejtje, asnjë përbuzje, asnjë kritikë destruktive (negative). Po e konservoj letrën e do më shërbejë si fotografia jote, si kujtim. Ah. Sali! Sikur të dezertoje e të na vinit prapë, do të mbanim komit, kontrabandë!”.
Fondi Nr. 177 Brigada e parë, Dosja Nr. 13
(Është në dorëshkrim e firmën e tij) /Panorama/