Nga Nikollaq Neranxi
Besoj se shumica prej jush e dini atë historinë, ku të gjithë u vunë në rradhë para Zotit dhe ai iu tha: “Më kërkoni çfarë të doni, të dytit do t’i jap dyfishin e të parit”. I erdhi rradha shqiptarëve. Ai që ishte i pari në rradhë, po plaste nga inati se shqiptari pas tij do merrte dyfishin dhe kur Zoti e pyeti: “Çfarë do, – ai u përgjigj: Më nxirr njërin sy!”
Mu kujtua kjo histori këto ditë, teksa ne banorët e Himarës po protestojmë sistematikisht kundër grabitjes së pronave dhe dëbimit nga trojet tona, meqenëse pothuajse të gjithë edhe pse banorë autoktonë shekullorë, nuk jemi të pajisur me çertifikata pronësie. Ndërkohë lexoj gjithandej një mllef absurd tek disa individë çam, madje jam çuditur se si është e mundur që sa herë ne himariotët ngrihemi dhe protestojmë, ata fillojnë dhe nxjerrin gjithë helmin e tyre për një komunitet njerëzish të thjeshtë, të cilët as po kërkojnë diçka që nuk është e tyre dhe as po bëjnë ndonjë politikë!
Ata po kërkojnë që të rrinë në shtëpitë e tyre dhe po denoncojnë grabitjen nga mafia në pushtet, të kamufluar si plan urbanistik! Këta çamë, në shkrimet e tyre nuk harrojnë të bëjnë bashkë dhe t’i kokolepsin, ngjarjet e Himarës, me pronat e tyre në Çamëri të cilat nuk kanë pikë lidhje me njëra tjetrën!
Nëse e zhveshim këtë problem nga çdo interpretim emocional, politik, gjeopolitik, etnik dhe inatçor provincial, ne në fakt po flasim për të njëjtin problem, por në kontekste të ndryshme. Çamët thonë; “Kemi gjithë dokumentacionin dhe duam pronat tona në Çamëri”. Ne themi: “Në Himarë janë pronat tona autoktone dhe po bëjmë rezistencë që të mos na i grabisin”. Pra çami më thotë mua: Rri urtë ti, le të të grabisë Rama, dil në rrugë të madhe, kujt iu bë vonë! Kurse unë thotë ai, dua pronat e mia, se janë të miat, i kam të trashëguara!!!
Ky është cinizëm, dashakeqësi dhe mbjellje e farës së përçarjes mes dy komuniteteve, të cilin nuk e përjashtoj që me djallëzi mund ta nxisë e ushqejë edhe politika, për të tërhequr vemendjen nga problemi kryesor, grabitja e pronave të bregdetit.
Himariotët jo sot, por në shekuj, kurrë nuk u bënë provokues, apo të tregonin që kanë urrejtje për dikë pa shkak, aq më keq të stigmatizojnë një komunitet të tërë. Gabimi i madh që bëjnë disa çamë (me ose pa dashje), është se ngatërrojnë politikën me njerëzit e thjeshtë. Politika është tjetër gjë, ajo nuk na intereson ne dhe mbi të gjitha, nuk na pyet ne.
Politika sot ju shet ju dhe pronat tuaja, nesër na shet ne dhe pronat tona. Prandaj po ju them se keni zgjedhur rrugë të gabuar të na sulmoni ne, si mënyrë për të zgjidhur hallet tuaja, sepse kështu tregoni që nuk doni zgjidhje, por thjesht doni sherr! Me shkrimet e mllefosura, mund të merrni lavdinë dy ditore të asaj pjese të verbër nacionaliste që nuk i intereson çfarë ndodh, por i bie shkurt me një të sharë; “Himariotët janë grekë të ndyrë!”, por asgjë më shumë.
Kthehuni pas në kohë dhe kujtoni një episode, pas Luftës së dytë Botërore, kur çamët kalonin nga Himara. A ju kanë treguar të parët tuaj se me sa dashamirësi është sjellë populli i Himarës me ta? Kanë dalë në rrugë duke iu ofruar ushqime dhe velenxa. Ramadan Bubeqi, asokohe 10 vjeç, kishte humbur prindërit dhe të afërmit nuk e merrnin përsipër të vazhdonin rrugën me të. Ishte i mitur dhe rruga ishte e gjatë, ai mund të vdiste rrugës. Fëmijën e mbajti himarioti Jani Qirici dhe e rriti sikur të ishte i tij, ndërkohë që himariotët e deshën si vëllain e tyre.
Edhe kur u rrit dhe njohu të afërmit, nuk pranoi të largohet nga Himara, por para se të vdiste në vitin 1991, në moshën 75 vjeçare, la amanet që ta varrosnin në Cërrik pranë familjarëve të tij. Dhe himariotët e çuan në Cërrik, në respekt të dëshirës së tij të fundit. Mos e harroni këtë histori, sepse flet shumë për fisnikërinë e komunitetit tonë. Të jesh negativ është rruga më e lehtë, por nuk të çon asgjëkundi. Të jesh pozitiv, konstruktiv e dashamirës, ky është hapi i parë për të jetuar në paqe dhe për të ndihmuar njëri tjetrin në mënyrë reciproke në zgjidhjen e problemeve.
Prishja e shtëpisë time, nuk është kusht, që ti të marrësh shtëpinë tënde or mik! Nëse ju a kanë spjeguar kështu, thjesht ju kanë mashtruar!
Historia e nxjerrjes së syrit që citova në krye të këtij shkrimi, mund të jetë histori shqiptare, por kurrsesi një histori himariote! Ata njerëz nuk kanë lidhje me dashakeqësinë, madje duhet shumë kohë t’i bindësh që dikush iu a ka me hile, sepse nuk arrijnë ta konceptojnë. Himariotët e urtë e të mënçur, i duan njerëzit! Do ishte mirë që ta përqafonit edhe ju këtë filozofi!
P.S Shpresoj që çamët e ndershëm ta marrin këtë shkrim si dashamirës ndaj tyre, ndërsa pjesa tjetër, të gjejë ndonjë kauzë tjetër për t’iu lëpirë pushtetit, se këtyre shkrimeve që shajnë himariotët, sikur iu doli boja.