Bashkia e Tiranës hapi sot për automjetet segmentin e Unazës së Madhe që lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke zgjidhur problemin e trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, në mënyrë simbolike hoqi barrierat kufizuese, duke i hapur rrugë qarkullimit të automjeteve në këtë segment tepër të rëndësishëm, i cili do të lehtësojë ndjeshem qarkullimin e automjeteve. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin këtë segment të ri, çka ul qarkullimin e automjeteve në qendër të Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga ana e qeverisë shqiptare dhe e Bashkisë së Tiranës për hapjen e këtij segmenti tepër të rëndësishëm të Unazës së Madhe përpara fillimit të vitit të ri shkollor. “Kemi qenë me Pandeli Majkon dhe kryeministrin Rama në këtë vend edhe gjatë fushatës, për të premtuar se përpara fillimit të vitit të ri shkollor do ta mbanim fjalën, do ta hapnim këtë segment të Unazës”, tha ai. Veliaj falenderoi autoritetet e pushtetit qendror për përfundimin e këtij projekti, ndërsa shprehu besimin se në mandatin e dytë të qeverisë, Tiranën e presin projekte edhe më të mëdha.