Home KRYESORE Shqiptarët në fund të shekullit me 1.7 mln banorë, shumica pleq

Shqiptarët në fund të shekullit me 1.7 mln banorë, shumica pleq

Projeksionet globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100 tregojnë për një rënie drastike të popullsisë shqiptare, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB.

Përveç rrudhjes në numër, shihet një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të popullsisë. Piramida tregon se në këtë vit, rreth 546 mijë persona janë mbi 60 vjeç, teksa shihet se është ngushtuar dukshëm baza e piramidës, çka reflekton një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Në vitin 2100, numri i personave mbi 60 vjeç do të jetë më i madh se personat nën këtë moshë.

Një ndër shkaqet e përkeqësimit është emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 ka emigruar 20% e popullsisë së vendit, shumica në
Greqi dhe Itali.

Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur 29% deri në 2060-n. E krahasuar me shtetet e tjera në botë, vendi ynë nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj.

Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi – 65 vjeç e lart – në periudhën 1989 deri në 2011, është rritur nga 5 në 11%. Në vitin 2017, të moshuarit mbi 60 vjeç zënë 18.8% të totalit të popullsisë.

Të papërgatitur për të moshuarit

Mirë ose keq, Shqipëria ka një infrastrukturë të ngritur për moshat e reja. Investimet në rritje dhe numri i nxënësve në ulje do të rregullojë më tej kushtet për moshat e reja, por për moshat e treta që jo shumë larg do të jenë në mazhorancë nuk ka asnjë përgatitje në sfond. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europa që nuk ka një legjislacion të integruar për të moshuarit, madje është shumë pas në këtë drejtim.

Instituti i Shëndetit Publik, nisur nga disa studime në Tiranë dhe në rrethe, ka gjetur vitin e kaluar se më shumë se dy e treta e të moshuarve mbi 65 vjeç janë të sëmurë apo vuajnë nga një sëmundje kronike, ndërkohë që një e treta e tyre raportojnë se vuajnë nga më shumë se një sëmundje apo probleme shëndetësore.

Numri i të moshuarve që përdorin shërbimet shëndetësore parësore përbën pothuajse gjysmën e tyre dhe prirja është drejt rritjes. Gjithashtu, të moshuarit konsumojnë pothuajse gjysmën e barnave mjekësore, ose më shumë se trefishin, krahasuar me të sëmurët e moshave të tjera. Sipas ISHP-së nga 530 mijë të moshuar, të regjistruar tek mjeku i familjes, rreth 405 mijë përdorin shërbimet e financuara nga skema e sigurimeve shëndetësore. Rreth 160 mijë janë përfitues të rregullt të skemës, dhe mesatarisht kapin vlerën e 252 milionë lekëve në muaj. Por jo gjithçka është në dorën e tyre. Studimi ka gjetur se të moshuarit hasen shpesh me barriera shoqërore që ndikojnë mjaft në jetën e tyre. Gjithmonë e më shumë të moshuar jetojnë të vetmuar, ndërkohë që gjendja ekonomike e tyre është më e rëndë se pjesa tjetër e shoqërisë.

Në një situatë globale të një popullsie drejt plakjes, të moshuarit do të luajnë rol të rëndësishëm nëpërmjet punës vullnetare, transmetimit të njohurive dhe përvojës, duke ndihmuar familjet në mbajtjen e përgjegjësive, si dhe duke shtuar pjesëmarrjen e tyre si fuqi punëtore e paguar. Sot të moshuarit luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në Afrikë, apo edhe kudo tjetër, miliona pacientë të rritur që janë të sëmurë me AIDS, ndihmohen në shtëpitë e tyre nga prindërit. Pas vdekjes së tyre, fëmijët e mbetur jetim (së fundmi 14 milionë nën moshën 15 vjeç vetëm në vendet afrikane) në më të shumtën e rasteve janë në përkujdesjen e gjyshërve të tyre.

Të tilla kontribute drejt zhvillimit mundet të sigurohen vetëm nëse të moshuarit gëzojnë nivele standardesh shëndetësore, për të cilat duhet të hartohen strategji të veçanta.

Rekomandime

Efektet që plakja e popullsisë jep në jetën ekonomike e shoqërore janë afatgjata dhe me trend rritës të tyre. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, thotë se Shqipëria është e vonuar me marrjen e masave amortizuese, pasi çfarëdolloj ndërhyrje që ndërmerret nuk jep efektin e menjëhershëm, por do kohën e vet të maturimit dhe dhënies së efekteve. Hado tha se, fillimisht duhet të frenohet emigracioni në drejtim të vendeve të tjera, pasi përgjithësisht emigrojnë të rinjtë dhe forcat aktive për punë.

Ai thotë se një nga masat parandaluese mund të jetë stimulimi i lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës. Disa vende kanë aplikuar rritjen e moshës së daljes në pension, duke e çuar deri në 70 vjet. Ai thotë se edhe krijimi i skemave private të pensioneve janë një zgjidhje.

Diversifikimi i riskut për sa u përket pensioneve mund të jetë një masë efikase për të përballuar efektet e plakjes së popullsisë. Ky diversifikim realizohet me forcimin e skemave private të pensioneve, duke e shpërndarë riskun midis publikes dhe individit.

Plakja, alarm edhe në Europë

Shoqëritë europiane po plaken. Në vitin 1950, vetëm 12% e popullsisë europiane ishte mbi moshën 65 vjeç. Sot, kjo shifër është dyfishuar dhe sipas parashikimeve, në vitin 2050 mbi 36% e popullsisë së Europës do të jetë mbi 65 vjeç.

Ndër shkaktarët kryesorë janë normat e lindshmërisë dhe jetëgjatësia. Në të kaluarën, një grua në Europë kishte mesatarisht më shumë se dy fëmijë. Që nga viti 2000, niveli i lindshmërisë ka rënë nën atë prag. Europianët gjithashtu po jetojnë më gjatë, 78 vjeç është mosha mesatare deri në të cilën jeton një europian i ditëve të sotme, nga 66 vjeç që ka qenë në vitet 1950.

Jeta e zgjatur e njeriut është një shenjë e prosperitetit të Europës, por e kombinuar me normën e ulët të pjellorisë së rajonit po krijon një sërë problemesh sociale dhe financiare për këtë kontinent.

Ndoshta më kritik është fakti se pjesa e njerëzve që punojnë, të cilët mund të kujdesen për të moshuarit, po pakësohet, edhe pse numri i njerëzve që kanë nevojë për kujdes po rritet. Ky çekuilibër mes kërkesës dhe ofertës, që rrjedhimisht çon në mungesë të numrit të infermierëve dhe të ofruesve të kujdesit profesional, po shndërrohet në një prej sidave më të mëdha të qeverive të shteteve, mosha e popullsisë e të cilëve po plaket me ritme të shpejta dhe këtu mund të përmendim shtete të tilla si Gjermania, Finlanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kërkesa në rritje e personave që kanë nevojë për kujdes kërkon edhe burime të konsiderueshme financiare.

Në 2014-n, vendet e OBZHE-së shpenzonin mesatarisht 1.4% të PBB-së për kujdesin afatgjatë, por këto kosto parashikohet të kenë një rritje të ndjeshme, duke arritur në 6,4% deri në vitin 2060. Shpenzimet publike për kujdesin afatgjatë janë më të lartat në vendet holandeze dhe ato skandinave (ku variojnë nga 3% deri në 4% të PBB-së) dhe më të ulëtat janë në Europën Qendrore dhe Lindore. Në Poloni, Hungari dhe Estoni, më pak se 1% e PBB-së është shpenzuar për kujdes afatgjatë.

Kjo diferencë në shpenzime pasqyron jo vetëm pjesën e popullsisë që po plaket, por edhe diversitetin e sistemeve të kujdesit afatgjatë në Europë. Vendet e Holandës dhe ato Skandinave, për shembull, kanë sisteme të zhvilluara të kujdesit për personat e moshuar, të cilët ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh shtetërore dhe të sektorit privat, si në shtëpitë e të moshuarve apo në institucione.

Nga ana tjetër, në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, kujdesi për personat e moshuar shihet gjerësisht si përgjegjësi e familjarëve. Në këto vende, si edhe në vendet e Mesdheut, një person i moshuar që ka nevojë për kujdes të përditshëm për një periudhë të gjatë kohe, ka të ngjarë të zhvendoset dhe të jetojë me fëmijët ose të afërmit, të cilët do t’i ofrojnë mbështetje sociale dhe ndihmë mjekësore kur të jetë e nevojshme.

Ky sistem i kujdesit joformal po përballet edhe me sfida të reja edhe në epokën moderne.

Gratë, të cilat në mbarë botën, tradicionalisht kanë luajtur rolin e personit që kujdesej për të gjithë familjen, po punojnë gjithnjë e më shumë jashtë shtëpisë, duke reduktuar më tej numrin e anëtarëve të familjes në dispozicion për të ofruar kujdes joformal për personat e moshuar./ Monitor

Share: