Nga Frrok Çupi
Nuk po flas thjesht për kthimin e Gramoz Ruçit në krye të shtetit. Ai, sot pas orës 6 të mbasdites, nga ministër i Brendshëm në kohën e diktaturës, bëhet presidenti nr 2 i Republikës. Jo, madje mund të them se aspak për Gramozin. Në fund të fundit ai ia doli, na mundi të gjithëve, njësoj si Katerina e Madhe; herë duke ndërruar veshjet, herë emrin, herë të dashurit e saj e më në fund duke bërë dashuri me djalin e vet dhe me kalin…
Por Gramozi ‘të vret’ si burrat; edhe ta jep dorën si burrat. Në Mirditë thonë “mos e paç hasmin e ligsht”. Në fund të fundit, Gramozi ka qenë aty përballë qysh në fillim. Në qoftë se sot nuk do të zgjidhej Gramoz Ruçi si kryetar i Kuvendit (domethënë president nr 2 i Republikës), ne nuk do të kishim kalendar. Do të pyesnim njëri tjetrin sa është ora, ose ç’muaj është- dhe askush nuk do të na përgjigjej.
Jemi kthyer aty ku ishim; e vetmja fije që na mban në tempestivitet, qenka Gramozi; pa të cilin nuk do të kishim kalendar. Ka qenë dikur një kohë si kjo sot, e qullët, e pa formë, e pa datë. Atëherë, një poet i dashur si Lasgush Poradeci pyeti mikun e tij Ismail Kadare: “Mo Ismail- i tha- në çfarë regjimi jetojmë ne tani!”… Regjimi komunist, edhe pse i egër, kishte rënë në një pikë aq të qullët e të pa lëng, saqë Lasgushi bëri ironinë e famshme të treguar nga Kadare.
Nuk e shikoni?! Dita e sotme u zgjodh për të hapur seancën e parë të Kuvendit, pikërisht si ditë e qullët, me një shi që duket se e kanë dënuar të bjerë i zvargur, i përhimët, i pa nerv. Duket se e kanë urdhëruar shiun që edhe në rrugë të bëjë pellgje, siç është vetë Kuvendi. Sepse ky Kuvend, si majtas edhe djathtas- po thonë vëzhguesit- i ngjan një pellgu… Interesant, në hapjen e seancës, deputeti socialist Bare, që në krye citoi fjalët e Hillary Clinton, e cila paska thënë se me Obamën- edhe ishin miq, edhe ishin ‘armiq’. Të majtët liberalë e sjellin me qëllim Hillary-në në themelin e shtetit katërvjeçar që nis sot, edhe pse ka humbur zgjedhjet në Amerikë; madje pikërisht pse ka humbur. Puna është te ‘pellgu’, këtu ku ndahen ose bashkohen të gjithë. Parulla kryesore e fitimtarit në Amerikë, presidentit Donald Trump, lidhet pikërisht me pellgun: “Drain the swamp”. (Të thajmë pellgun). Bota e ka ndjerë fort të keqen e ‘moçalit’ politik derisa erdhi në sloganin e Trump; por këtu ‘pellgu’ mbrohet që në fjalën e parë të seancës së Shtetit… Nuk e dimë ku jemi. Po të ishte Lasgushi do të thoshte “a jemi me presidentin e zgjedhur të Amerikës, apo me atë që humbi përballë tij!?’. Më hapur do të thoshte: “a jemi me kohën që kaloi, apo kohën ku jetojmë?”.
A mendoni se gjithë kjo ngatërresë bëhet pse ata ‘janë budallenj”? Jo, mos u bëni naivë. Po të mos zgjidhej sot Gramoz Ruçi në krye të shtetit, nuk do të kishim kujtuar as se në çfarë date e dite e nisëm, as si e nisëm, as ku ishim. Ish- ministri komunist akuzohet për periudhën e diktaturës, por kjo tashmë nuk i thotë kujt asgjë; as qimja e flokut s’i lëviz kujt. Por megjithatë, ndoshta ‘ministri i diktaturës’ del më burrë i mirë se këta që janë ‘anti- diktaturë’. Ndoshta e thotë një fjalë dhe e mban- dhe kështu na ndryshon ‘orën e ditës’ dmth., na bën të shikojmë kalendarin e të mos humbim as këtë nocion. Pa pse është ‘i majtë’ apo’ komunist’, apo ‘i diktaturës’…, kjo nuk ka pikë rëndësie. Cili është ndryshe në thelb? Asgjë nuk ndryshon, përveçse duhet të vërejmë cili të shikon direkt në sy, cili nuk të gënjen sy për sy, cili e ka me të vërtetë atë që thotë dhe atë që bën…
Dallimet e tjera janë zhdukur; prandaj është krijuar edhe ‘pellgu’. Pse nuk na qenkan të majtë Demokratët e PD? Ose pse qenkan të djathtë?… Vetëm pse i kanë thënë vetes? Secili prej këtyre të PD,- më thershin mua-, nëse do të ishte në kohën e diktaturës, do të ishte ministër i Punve të Brendshme, madje ndoshta edhe gjakatar. Secili nga këta që ndodhen në kupolën e PD, është një ‘laik’ politik, domethënë i pa fe politike. Këta as e dinë cili është besimi i tyre politik, as nuk ka pse iu duhet. Secili prej tyre, që nesër bëhet ministër me Ramën e PS po t’u fërshëllejë ky… Madje është shumë e qartë se në PD janë më shumë anti- konservatorë se në PS. Gjysma e deputetëve të rinj këtu vijnë nga shkolla e George Soros- që është kundërshtari më i egër i konservatorizmit, i Trump, i Brexit, i idesë së sovranitetit të kombeve… PD është e lidhur më ngushtë me Soros se me Trump, madje më e lidhur me ‘elitat liberale’ se vetë PS… Ky është ‘pellgu’.
Duhet të zgjidhet Gramoz Ruçi në krye të shtetit, sepse ky është ‘i treti’; nuk është as i parid he as i dyti; as liberali, as konservatori, as mashtruesi, as hileqari, as bishtafelli. Ai është një komunist i flaktë, që tani janë të rrallë sepse edhe komunistët e tjerë ‘kanë hyrë në ujë’. Ky as është me Soros, as me Trump, as di anglisht, as di hollivudianë, as ka për të qenë ndonjë herë me ata…
Po ta kundërshtonin Demokratët, do të zbulonin veten nga ‘pellgu’. Si do ta zbulonin veten? Se publiku do t’u thoshte (qoftë edhe me heshtje) kështu: “Po hë more, po cilin keni ju për të propozuar? A keni ndonjë nga tuajt që qenka më i mirë se Gramozi?”. Atëherë do të dilte se Partia Demokratike i ka lënë të vetët në rrugë, ose disa ‘kokrra’ edhe në varre.
Mirë që doli Gramozi e na solli para syve kalendarin e kohës; u kthyem aty ku kemi qenë.
Veritas.com.al/