Home Gjeo-Ekonomia Taksa e fshehtë e qeverisë që pritet të rrisë çmimin e karburantit

Taksa e fshehtë e qeverisë që pritet të rrisë çmimin e karburantit

Pikave të shitjes së karburantit u kërkohet të paguajnë një tarifë tëlartë “licencimi” nga pushteti vendor në masën 3 milionë lekë për Bashkinë Tiranë dhe 1 milionë lekë për bashkitë e tjera, pasi qeveria e kryeministrit Edi Rama anashkaloi një vendim të Gjykatës Kushtetuese duke kryer një ndryshim kozmetik në kriteret e saj të licencimit.

Vendimi fillestar i qeverisë për përcaktimin e kësaj tarife licencimi u mor në vitin 2015 në mungesë të transparencës dhe pa shpjegime nga ana e qeverisë të arsyeve që sollën këtë ndryshim.

Sipas vendimit fillestar, të gjitha pikat ekzistuese të karburantit detyrohen të rilicencohen dhe për këtë, duhet të paguajnë 5 milionë lekë në rast se gjenden në territorin e Bashkisë Tiranë dhe 2 milionë lekë në rast se gjenden në territorin e bashkive të tjera.

Por edhe pse ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese si arbitrar, kjo nuk e ka ndaluar Këshillin e Ministrave të vendosë një tarifë të re licencimi, e cila gjykohet nga shoqëritë hidrokarbure gjithashtu si shumë e lartë.

Sipas Unionit të Shoqërive të Hidrokarbureve Shqiptare, një shoqatë që përfaqëson interesat e një pjese të kompanive të tregtimit të karburanteve në vend, taksa e re e licencimit e imponuar nga qeveria pritet ta rrisë çmimin e karburanteve në një masë që mund të variojë nga 1 në 10 lekë për litër, në varësi kjo të sasisë së karburantit të shitur nga njësia e taksuar.

Taksë antikushtetuese

Parimi bazë në taksim është që taksat dhe tatimet të vendosen me ligj në parlament, ose të ndryshohen po me ligj në parlament. Ky është një parim themelor në demokraci për shkak se vetëm përmes procesit ligjvënës, qeveria mund të mbahet përgjegjëse për taksat që imponon dhe mënyrën se si i përdor këto taksa. Por qeveritë zakonisht nuk e pëlqejnë të imponojnë taksa përmes diskutimeve publike parlamentare dhe zgjedhin rrugën e dytë, atë të imponimit të tërthortë të barrës fiskale përmes akteve normative të qeverisë apo duke imponuar tarifa të larta për shërbime të supozuara publike.

Në dhjetor të vitit 2015, qeveria miratoi vendimin nr 970, në të cilin, imponoi që çdo pikë karburanti duhet të marrë licencë për ushtrimin e aktivitetit nga një bashki dhe për këtë licencë duhet të paguajë 5 milionë lekë në rast se gjendet në territorin e Bashkisë Tiranë dhe 2 milionë lekë në rast se funksionon në territorin e një bashkie tjetër.

Qeveria me të njëjtin vendim imponoi gjithashtu detyrimin që çdo tregtar lëndësh djegëse, përfshirë pikat e shpërndarjes së gazit, të detyrohen t’i paguajnë bashkive një tarifë licencimi prej 1 milionë lekësh të reja për Bashkinë Tiranë dhe 200 mijë lekë për bashkitë e tjera, tarifa që natyrisht do të rëndojnë mbi konsumatorët.

Shpërndarësit e karburanteve u nënshtroheshin më herët të njëjtave kritereve për licencim, por tarifa e licencimit nga njësia e pushtetit vendor 50 herë më e ulët për Bashkinë Tiranë dhe 20 herë më e ulët për bashkitë e tjera.

Unioni i Shoqërive të Hidrokarbureve e dërgoi vendimin në fjalë në Gjykatën Kushtetuese dhe arriti të bindë gjykatësit se imponimi i një tarife të tillë licencimi përbën një taksë të fshehtë në kurriz të konsumatorit dhe se për rrjedhojë, kjo taksë është e paligjshme. Gjykata Kushtetuese vërejti se ndonëse ligji ia ka ngarkuar Këshillit të Ministrave detyrën e përcaktimit të nivelit të tarifës së licencimit, caktimi i tarifave në nivele të tilla përbëjnë një abuzim të të drejtës ligjore nga ana e Këshillit të Ministrave.

“Gjykata vëren se rritja e tarifës së licencimit në masën 20 dhe 50-fish është arbitrare, e paarsyeshme, a paargumentuar dhe joproporcionale. Këshilli i Ministrave nuk arriti të argumentojë pretendimet e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në rregullimin e tregut të hidrokarbureve. Ai pranoi se ndërhyrja në fjalë nuk është mbështetur në ndonjë studim paraprak dhe të thelluar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku u rrëzua rritja e tarifave.

Gjithsesi, rrëzimi i një veprimi të tillë abuziv nga Gjykata Kushtetuese duket se nuk vlejti shumë për qeverinë. Në prill 2017, qeveria mori një vendim të ri, në të cilin, pikat e karburanteve kërkohet të paguajnë një tarifë licencimi në masën 3 milionë lekë në Bashkinë Tiranë dhe 1 milionë lekë në bashkitë e tjera.

Shtrenjtimi i tarifave të licencimit, jo 50 dhe 20 fish, siç qe më parë, por 10 dhe 30 fish, siç u bë me vendimin e ri të qeverisë, duket se përbëjnë njësoj shkelje kushtetuese të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, por ky abuzim nuk duket se i bën përshtypje qeverisë.

Në gusht, Bashkia Tiranë vendosi të kërcënojë me bllokim pikat e karburanteve duke kërkuar tarifat e reja të licencimit. Duke mos e marrë mundimin për të fshehur faktin që kjo nuk është një tarifë licencimi por një taksë, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku deklaroi se këto të ardhura do të “shpenzohen për çerdhe, kopshte, lulishte, parqe”.

Pak ditë më parë, edhe Bashkia e Elbasanit hyri në aksion për të rrëmbyer nga pikat e karburantit të njëjtën tarifë licencimi të cilën Gjykata Kushtetuese e ka shpallur sakaq antikushtetuese.

Aktualisht Shqipëria ka taksat më të rënda mbi karburantet në rajon, gjë që është reflektuar në çmime gati 30 për qind më të larta të naftës apo benzinës në krahasim me Kosovën apo Maqedoninë./Marrë nga Reporter.al

Share: