I ftuar në emisionin “Kapital” në Vizion Plus, gazetari investigativ Artan Hoxha rrëfen me detaje një tentative të mundshme të prokurorisë për arrestimin e Tahirit.
Hoxha thotë se kjo ka ndodhur në vitin 2016, pas ngjarjes së rrëzimit të avionit të drejtuar nga Guido Guidi në lumin Ishëm. Hoxha ka bërë publike detaje nga kjo ngjarje asaj kohe dhe për këtë arsye prokuroria e ka shoqëruar nga zyrat e emisionit ‘Opinon’ për tek Krimet e Rënda.
Sipas Hoxhës, prokuroria dyshonte se informacionet e publikuara në media nga gazetari ishin informacione që atij ia kishte dhënë Ministri i Brendshëm Tahiri dhe për këtë shkak do ta akuzonin ministrin për dekonspirim të hetimeve duke e arrestuar.
Rrëfimi i Hoxhës:
“Kjo Prokurori dhe ky prokuror, Besim Hadarmataj, ka tentuar ta arrestojë Sajmir Tahirin mbrëmjen e 15-të shtatorit të vitit 2016-të. Si ka qenë tentativa për ta arrestuar? Në mëngjesin e 15-të shtatorit në grykëderdhjen e lumit Ishëm, bie një avion Italian që drejtohej nga një pilot Italian, Guido Guidi . Dyshimet ishin se ky avion ka ardhur në Shqipëri së pari për të inaguruar pistën, ishte për herë të parë për ta provuar, sepse një grup narko-trafikantësh kishin arritur të ndërtonin pistën dhe ta përdornin atë për trafik lëndësh narkotike. I njëjti grup kishte bërë të njëjtën gjë në një zonë tjetër të Shqipërisë, por në atë rast kishin përdorur grykëderdhjen e lumit Ishëm.
Edhe pse është shumë afër Aeroportit të Rinasit atje është pak e vështirë, nuk ka rrugë. Në momentin që kapet italiani, u gjet avioni atje, u bënë kërkime për të gjetur lëndë narkotike. Nuk u gjet, nuk ndodhi si në Divjakë që u gjet edhe droga, edhe piloti edhe avioni. Gjatë asaj dite unë kam dalë 4-tër herë në televizion Neës 24 dhe kam theksuar se nga informacioni që kisha deri atëherë, avioni kishte ardhur për atë gjë. Unë jepja një shifër që shkonte nga 180 deri në 300 kg. E jepja këtë shifër sepse i referohesha dy rasteve të mëpërparëshme, rasti i Sevasterit. Në mbrëmje po atë ditë kam qënë në emisionin “Opinion” dhe them, avioni në dijeninë time ka ardhur për të inaguruar pistën dhe për të marrë 200 kg cannabis dhe këtë gjë, them, e ka pranuar dhe piloti.
Mbas emisionit, Prokuroria më shoqëron nga zyrat e televizionit ku isha në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, diku rreth orës 23:30. Në momentin që unë shkoj në Prokurori ( kam qenë në zyrën e kryeprokurorit Besim Hajdarmata) kanë qënë të paktën dhe katër prokurorë dhe oficerë gjyqësorë të tjerë dhe nga ora 23:30 deri në orën 00:00 biseda jonë ka qenë më tepër në parim, per ngjarje, të vjetra. Prokurori me thoshte , shumë mirë ne të përgëzojmë për këtë, por nuk thuhen të gjitha. Ndërsa ne bënim këtë bisedë, më vjen një oficer gjyqësor me celular në dorë dhe më thotë së kryetari i PD ka dale në deklaratë shtypi.
Lulëzim Basha po thotë: “Gazetari Artan Hoxha është shoqëruar në Prokurorinë për Krime të Rënda, sepse dyshohet që të ketë dekonspiruar hetimin e Prokurorisë dhe të ketë marrë informacion të brendshëm nga ministri, Sajmir Tahiri dhe Prokuroria e ka shoqëruar për të gjetur provën.” Pra provën në celularët e mi që unë kisha folur me Sajmir Tahirin. Në atë moment unë I them prokurorit: “Zotëri, telefonat e mi janë të fikur, unë ‘kam komunikuar me asnjë media. Ti s’më ke pyetur akoma se për çfarë më ke thirrur. Si është e mundur që Lulëzim Basha e di para teje dhe para meje se për çfarë më ke thirrur?!”
Në atë moment është ndërprerë biseda, kanë ardhur dy policë gjyqësorë, unë kam dhënë deklarimin dhe mbaj mend që kam firmosur 7-të faqe deklarime, në të cilat unë them merrni tabulatët e celularëve të mi, që unë s’i kam marrë as sot ato telefona, dhe në tabulate do të gjeni se me cilet përsona kam folur. Ata mendonin se shifra e dhënë nga unë, që piloti ka ardhur në Shqipëri për të provuar pistën dhe për të marrë 200 kg cnabis, ishte nxjerrë nga deklarimet që po jepte piloti dhe ministri ma kishte thënë mua.
Nëse ata do ta gjenin këtë gjë në telefonat e mi, menjëherë do të shonin tek Ministri për dekonspirim të hetimeve dhe do ta arrestonin“, – tha Hoxha./Lapsi.al