Autoritetet italiane kanë vëzhguar Saimir Tahirin sëbashku me grupin Habilaj, në disa raste.
Nga vëzhgimi ka rezultuar se Tahiri, në vitin 2014, ka udhëtuar 4 herë me Habilajt jashtë vendit, pikërisht me makinën Audi “AA 003 GB”. Këto udhëtime, Tahiri i bie t’i ketë bërë gati një vit pasi deklaroi se e ka shitur këtë makinë.
Në 2015-n, ish-ministri tha se në vitin 2013 ua shiti makinën kushërinjve të largët.
Tahiri shfaqet sërish në prani të Habilajve në Vlorë në vitin 2016.
Të dyja këto dokumente i janë vënë në dispozicion Prokurorisë për Krimeve të Rënda, mbrëmjen e së mërkurës nga autoritetet italiane, dhe konsiderohen si prova të forta për implikimin e Tahirit në veprimtarinë e grupit kriminal.
Mbi bazën e tyre dhe jo vetëm, prokuroria vendosi t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e tij.
Mësohet se komunikimi ka qenë tejet sekret dhe vetëm mes Antimafias së Leçes dhe disa prokurorëve të Krimeve të Rënda, për të shmangur dekonspirimin e të dhënave. ©LAPSI.AL