Ema Andrea është shfaqur unike dhe e pazëvendësueshme mbrëmjen e së shtunës, në rolin e nënës te shfaqja me regji të Dino Mustafiç. E gjithë shprehia e fytyrës, që në fillim ngjante pak si një lojë e saj me veten e që më pas u tjetërsua në një luftë gjatë se cilës ti nuk kujtoje më se cili ishte emri i vërtetë i personazhit kryesor, plastika e trupit, lehtësia e lëvizjeve të saj brenda skenës, të gjitha këto, bashkë me frymëmarrjet e penguara, zvarritjet e stërmundimin për të “fituar” një bisedë absurde, e bën Emën të dukej një personazh tipik norvegjez, një njeri depresiv në karrierë, të cilit i ka ardhur ora të bëjë disa llogari me veten.
Regjisori i shfaqjes gjatë një konference për shtyp tha se: “Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndjehemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë. Ja, unë kam reflektuar. Sapo të mbarojë shfaqja, kam menduar të marr nënën time në telefon”.
Ema Andrea ka thyer tabutë me interpretimin e saj në këtë shfaqe, duke u futur thellësisht në brendësi të rolit, dhe duke përcjellë ashtu siç duhej personazhin e saj, pa censurë dhe pa zbukurime./Dita