Ti largohesh ngadalë në udhën e gjatë,
era luan e shkujdesur me flokët e tu,
të shikoj, siç shikohet një kalimtar
unë, që për ato flokë çmendesha dikur.
Sa herë gishtat më plekseshin në to,
sa herë humbja në përqafime e puthje,
ëndërroja që kjo të zgjaste një jetë,
po mbeti vetëm një fragment rruge.
Mendoja se do të ecnim dorë për dorë,
magji e dashurisë do zgjaste pafund,
por udhëtimi në dy ishte i shkurtër,
sa më duket se s’të kam njohur kurrë.
Brenda meje ka keqardhje, nostalgji,
por nuk mundem të të thërras: “Ndal!”.
Të shikoj, kthehesh në një njollë,
pastaj mjegullohesh si kujtim irreal.
Ti largohesh ngadalë në udhën e gjatë,
era luan e shkujdesur me flokët e tu,
të shikoj, siç shikohet një kalimtar
unë, që për ato flokë çmendesha dikur.
IRMA KURTI
Në pragun e një dhimbjeje, 2016