Si dhe pse u mor vendimi për ndalimin e fesë? Çfarë “kërcënimi” përbënte feja për regjimin?
Vendimi për ndalimin e fesë ishte faza e fundit e një propagande dhe lufte graduale, që filloi ideologjikisht që në vitet ‘20-‘30 të shek. XX me anë të literaturave të ndryshme, që hynë në vendin tonë, duke u ndjekur më pas si një vijë zyrtare e shtetit komunist nga viti 1944 deri më 1967, pra për 23 vite rresht.
Duke qenë se dijetarët dhe prijësit fetarë në përgjithësi, e ata myslimanë në veçanti, e parandjenë rrezikun e këtij sistemi, shumë prej tyre folën e shkruan për dëmet e kësaj ideologjie, që po hynte dhe në Shqipëri.
Që në 1925, paralajmërimin më të parë e ka dhënë në mënyrën më alarmuese dijetari dhe patrioti Hafiz Ali Korça, me librin e tij “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Nër të tjera Hafiz Aliu në këtë libër konstaton:
Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
Gjer në ditën e Kijametit.
Po kështu do të bënin edhe shumë atdhetarë të tjerë dhe prijës fetarë, duke e ngritur zërin në organin zyrtar të Komunitetit Mysliman Shqiptar, në revistën kombëtare “Zani i Naltë”, që nga themelimi 1923 deri më 1939,.
Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës komuniste dhe rrjedhimisht, për krijimin e “njeriut të ri”. Megjithatë, komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend mjaft të rëndësishëm.
Regjimi komunisto-ateist, që u vendos në Shqipëri në vitin 1944, pati në shënjestër të tij zhveshjen nga të gjitha vlerat njerëzore.
Çfarë masash u morën për ndalimin e saj?
Komunistët e filluan regjimin e tyre me terrorin apo masakrën e Tiranës në 1944, ku u pushkatuan një numër i madh intelektualësh dhe i pari që u vra ishte hoxha i Saukut, Hafiz Selim Brahja. Sistemi totalitar filloi një luftë të ashpër ndaj fesë, duke bërë një propagandë antifetare dhe duke filluar një persekutim të egër ndaj klerit në përgjithësi. Kështu, ashtu si shumë drejtues të tjerë fetarë, edhe ndaj klerit mysliman filloi një goditje e parapërgatitur, duke arrestuar dhe dënuar fillimisht drejtuesit dhe pedagogët e medresesë së vetme, atë të Tiranës, siç ishin H. Ismet Dibra, burgosur më 1946, H. Ali Korça më 1945, Jonuz Bulej më 1947, Enver Beqirit më 1946, Vexhi Buharasë më 1947, Shaban Demirit më 1946, etj.
Pas ndërhyrjeve të dhunshme të shtetit në organizimin e jetës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimit të literaturës, kufizimit të rreptë dhe kontrollit mbi Medresënë, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër “demaskuese” nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë. Klerikët myslimanë gjatë regjimit komunist përjetuan ngjarje tronditëse. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit i ndoqi, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.
Çfarë ndodhi më 1967?
Në një urdhër sekret të diktatorit Enver Hoxha, në vitin 1967, jepen shifra dhe detaje për shkatërrimin e objekteve të kultit në Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.
Në këtë urdhër të diktatorit, dërguar si dokument sekret në Komitetin Qendror në gusht të vitit 1967, jepet një raport i hollësishëm me rezultatet e luftës kundër fesë:
Ja çfarë thuhet në disa rreshta prej tyre:
“Feja është opiumi i popujve. Këtë… duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur.
Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium…
Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes.
Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare.
Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta.
Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente.
Në këto forma duhet të vazhdojmë ne, përderisa t’i rrafshojmë nga faqja e dheut tonë.
Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë.
Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë…”
Ndërsa në një dokument të dytë, që ishte një raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë (30. 08. 1967), thuhej se:
Në një kohë relativisht të shkurtër iu dha tronditja e parë vatrave të ideologjisë fetare.
…janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.
Por ky sukses me rëndësi nuk duhet aspak të krijojë mendimin se çdo gjë mori fund. Ne kemi përpara për të bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, sepse siç theksoi shoku Enver në Kongresin e 5-të, lufta kundër ideologjisë fetare është luftë klase.
Një rezultat tjetër.. është likuidimi i funksionit zyrtar të klerit profesionit dhe neutralizimi i klerikëve jo profesionistë. Nga të dhënat del se në rrethe kishte 912 klerikë profesionistë nga të cilët rreth 550 hoxhallarë dhe afro 400 priftërinj, dervishë, shehlerë etj. Numri më i madh i tyre ka qenë në ato rrethe ku edhe numri i institucioneve fetare ishte më i madh…
Kështu më 1967 Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë, duke shkatërruar shumicën e kishave, xhamive dhe teqeve. Nga 1127 xhami që ishin në 1967, në 1990 kishin mbetur vetëm disa, të shndërruara dhe përçudnuara në depo, magazina, apo të braktisura.
Si ndikoi ndalimi i fesë në jetën shoqërore e shpirtërore te njerëzve, pati nga ata që nuk u bindën e vazhduan te besonin, të agjëronin e ta përçonin fenë te fëmijët?
Duke qenë se komunistët e përqendronin goditjen në kokat e elitës fetare myslimane, ndikimi ishte i madh. U krijua një terror psikologjik diktatorial, i cili pati efektet e veta negative në shoqëri. Sipas statistikave, vetëm gjatë dhjetë viteve të para të diktaturës janë dënuar, pushkatuar e internuar dhjetëra hoxhallarë.
Megjithatë, nëpër shtëpi besimi u ruajt në fshehtësi dhe u trashëgua deri diku edhe te brezat e rinj. Rezultati i kësaj u pa në ceremonitë e para islame, hapjen e xhamive në fund të vitit 1990, ku morën pjesë dhjetëra mijëra vetë.
“vend i pa fe, vend ateist”… Ku e çonte Shqipërinë kjo ideologji?
Shqipërinë e çoi në dehumanizimin e saj, robotizimin, humbjen e vlerave dhe trashëgimisë shpirtërore, kulturore, arsimore, fetare, kombëtare, pse jo edhe arkitekturore, etj.
Duke dashur të ndërtojnë “njeriu i ri”, shkatërruan vlerat dhe virtytet e një populli.
U asgjësuan qindra biblioteka dhe u zhdukën qindra mijëra libra. Shkurt, arritën deri diku të ndryshojnë apo shkatërrojnë “ADN”-në e një populli.
Çfarë dënimesh morën ata qe besuan?
Disa prej figurave më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, u ekzekutuan me vdekje nga gjyqet komuniste midis një histerie popullore në sallën e gjyqit dhe jashtë, duke i përcjellë akuza dhe shpifje banale me megafon e radiotransmetim, për të mbjellë terror në gjithë Komunitetin Mysliman. Të tilla ishin gjyqet e vitit 1947, kur u dënua me pushkatim me akuzën stampë “armik i popullit”, deputeti sheh Ibrahim Karbunara bashkë me të birin, Hasanin.
Shumë të tjerë vdiqën nëpër burgje. Nuk duhet harruar se të gjithë këta ishin të shkolluar në universitetet më të mira të botës islame, dhe një pjesë e tyre ishin edhe firmëtarë të aktit të pavarësisë, si për shembull, mësuesi i medresesë dhe eruditi Ferit Vokopola. Ndër figurat më të shquara mund të përmendim:
Hafiz Ali Korça (drejtor Arsimi, Kryemyfti, publicist, shkrimtar e poet, burgosur në vitin 1945).
Hafiz Ibrahim Dalliu (themelues i shkollave shqipe në Tiranë, burgosur në vitin 1946).
Hafiz Ismet Dibra (drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë, burgosur në vitin 1946).
Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966, bëri 20 vjet e 4 muaj burg, kryetar i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990-2003).
Haki Sharofi, kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” (burgosur në vitin 1946).
Ismail Muçej (poliglot, burgosur në 1952-1963).
Haxhi Faik Hoxha (burgosur në 1966).
Hasan Tahsini (drejtues në medrese, burgosur në vitin 1947).
Hafiz Mustafa Varoshi (myfti i Durrësit, burgosur në vitin 1945, vdekur në burg).
Hafiz Sherif Lëngu (kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, burgosur në vitin 1945).
Hafiz Esat Myftia (kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, burgosur në vitin 1946).
Hafiz Musa Dërguti (burgosur në vitin 1946).
Hafiz Ali Kraja (burgosur në vitin 1945).
Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947).
Sheh Ibrahim Karbunara (vrarë në burg më 1947).
Hafiz Xhemal Naipi (kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist më 1921, i dënuar më 1947 nga Gjykata Ushtarake me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike-vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955, pa pasur dijeni familjarët as për varrin e tij).
Ndërsa Hafiz Sheuqet Boriçi, Hafiz Sabri Bushati, Molla Alush Zaganjori, etj., u vetizoluan në shtëpi deri në vdekje, për të mos u zhveshur nga petku fetar.
Hafiz Musa Dërguti thoshte: “Më kërkojnë me folë për priftin, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuan priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s’e baj kurr.”
Klerikët myslimanë u bënë kurban të besimit të tyre, besnikë deri në fund të jetës së tyre ndaj besimtarëve që përfaqësonin, por edhe të brumosur me dashurinë ndaj atdheut. Ata nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, i qëndruan besnikë fesë së tyre, atdheut dhe kombit, për të cilin shpirti i tyre mbeti i hapur dhe i lirë.
Sot, pas kaq shumë vitesh, çfarë mund të themi teksa kthejmë kokën pas dhe çfarë na mbetet të bëjmë?
Sot, pas gjenocidit gjysmëshekullor mbi besimin, kulturën dhe trashëgiminë tonë kombëtare, në kushtet e sotme të lirisë së besimit, ata dëshmorë të besimit dëshmuan të vetmin dinjitet njerëzor e kombëtar përpara Zotit dhe popullit të tyre. Prandaj, ata duhet të kujtohen jo vetëm me lutjet tona, por edhe me studime të ndryshme. Sot, akoma nuk njihen sa duhet veprat e tyre. Janë botuar disa vepra të rëndësishme të penave të shquara myslimane, siç është kolana “Zani i Naltë” me 5.000 faqe volum në 10 vëllime, revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman nga vitet 1923-1939, libri “100 personalitetet shqiptare të kulturës islame”, veprat e H. Ali Korçës, libra të ndryshëm me autorë të mëdhenj, si H. Vehbi Dibra, H. Ali Kraja, H. Ibrahim Dalliu dhe disa libra të tjerë, por akoma mbeten pak, duke pasur parasysh gurrën e madhe të dijes që këta burra na lënë trashëgim.
Shoqëria jonë nuk ka mundur t’u shlyejë borxhin e dinjitetit dhe mirënjohjes këtyre baballarëve shpirtërorë të kombit. Por një borxh dhe detyrë më të madhe i ka shteti, sepse klerikët nuk janë monopol i komuniteteve fetare, por i përkasin të gjithë shqiptarëve, brezat e rinj të të cilëve duhet të njihen nëpërmjet librave të historisë dhe letërsisë në shkollat e vendit, sepse ata shërbyen me filozofinë e binomit “Për fe e atdhe”.
Ne kemi akoma shumë të mësojmë nga librat, veprat dhe jeta e tyre, e sidomos brezi i ri, që i njeh shumë pak. Për këtë i bie detyrë e madhe edhe shtetit, por sidomos Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe institucioneve të saj arsimore, si medresetë dhe universitetit.
Ne si Departament i Shkencave Islame, prej vitesh, por sidomos vitin e fundit kemi bërë përpjekje modeste për ringjalljen e këtyre vlerave, duke organizuar disa panele dhe simpoziume të iniciuara dhe ndjekura nga vetë studentët; janë organizuar lexime letrare të veprave të dijetarëve të mëdhenj myslimanë nëpërmjet një klubi studentor “Mesazhi i jetës”, me të ftuar të ndryshëm, si dhe i kemi futur edhe në kurrikul të disa lëndëve, madje disa prej studentëve kanë zhvilluar dhe tezat e diplomimit, apo masterit rreth veprave dhe librave të këtyre dijetarëve./spektrum.al/