Fazës së tretë të aksionit anti informalitet nuk u kanë shpëtuar as lokalet e natës, për të cilat kanë nisur kontrollet në terren.
Vetëm gjatë mbrëmjes së të shtunës, mësohet se strukturat e hetimit tatimor kanë ushtruar kontrolle pranë 10 tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitetin gjatë natës. Nga verifikimet ka rezultuar se të gjithë këto subjekte kanë patur shkelje, ndërsa për një prej lokaleve është marrë edhe masa e mbylljes së aktivitetit.
Ndër shkeljet e këtyre bizneseve përfshihet mosmbajtja në gjendje pune e pajisjes fiskale, moslëshimi i kuponit tatimor dhe mosdeklarimi i punonjësve.
Lokalet e natës duket se janë kështu një nga sektorët e bizneseve me më shumë rrezik informaliteti, duke marrë shtysë edhe nga orët e vona të zhvillimit të veprimtarisë.
Ndërkohë, nga strukturat e hetimit janë kryer 7720 verifikime në të gjithë vendin, ku janë penalizuar 1720 tatimpagues dhe është marrë masë për mbylljen e aktiviteti për 250 biznese.
Në fazën e tretë të këtij aksioni, duket se përveç biznesit të madh e kuponave do t’i jepet vëmendje e veçantë edhe deklarimit të punonjësve, si dhe pagave të tyre reale. Vetëm në tre javët e para kanë hyrë në skemën e kontributeve 547 punonjës të padeklaruar./scan