Prokuroria e Përgjithshme është ende në proces të verifikimit të thelluar ndaj Aqif Rakipit, deputetit për të cilat PD i ka kërkuar të verifikojë. Aktualisht, sipas këtij institucioni pritet përgjigja nga disa prej autoriteteve të huaja që u është kërkuar informacion.
Kryeprokurori Adriatik Llalla është takuar me kryeministrin Edi Rama me kërkesë të këtij të fundit.
Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e Partisë Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për Dekriminalizimin”, për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi.
Në takim, z. Llalla shprehu garancitë e plota se Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.
Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për Dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.
PDIU reagoi menjëherë në emër të deputetit Aqif Rakipi, duke akuzuar Lulzim Bashën se dramën e humbjes së 25 qershorit kërkon ta transferojë diku tjetër.
Për PDIU, Aqif Rakipi është verifikuar më herët nga institucionet ligjzbatuese dhe zyrtarisht Interpoli dhe Prokuroria kanë deklaruar se nuk ka të dhëna për implikimin e tij.
Po njësoj, shpifje të demokratëve i ka cilësuar akuzat në adresë të tij edhe deputeti socialist Gjetani, shkruan Top Channel.
Prokuroria e Përgjithshme është e vetmja hallkë që mund të hetojë për të shkuarën e këtyre dy zyrtarëve, jashtë kufijve të vendit dhe më thellësisht në kohë dhe në përmbajtje.