Home KRYESORE Prapë priten ‘tajaret’ nga Perëndimi që të shpëtojnë vendin nga pushteti i...

Prapë priten ‘tajaret’ nga Perëndimi që të shpëtojnë vendin nga pushteti i vet!

Nga Frrok Çupi/

Këta thonë se Shqipëria ‘do të shpëtojë’ pas tre ditësh, ditën kur disa perëndimorë ‘do të na sjellin letrat’. “Ja prisni edhe pak”- tha dje kryetari i PD në opozitë; e tha dy herë- së pari në Kuvend dhe e dyta në një televizion… ‘Letrat’ e të huajit janë dëshmi për bandat kriminale në Shqipëri, sipas paralajmërimit të opozitës…

Zonja Nurihan (personazh i librave të Kadaresë) i lexonte ndryshe letrat në atë kohë. Ajo fshihej në një bodrum të shtëpisë në Tiranë. Sapo kishte mbaruar Lufta dhe kishin fituar komunistët; familjet e rëna (dmth., të pasurit në opozitë) hidhnin letrat e fallit. Nurihan shikonte të huaj, “Inglizin” dhe “Talianin” që vinin me “tajare për hava” për të shpëtuar vendin nën thundrën e pushtetit…

Prapë priten ‘tajaret’ nga Perëndimi që të shpëtojnë vendin nga pushteti i vet. Nurihan është përsëri në opozitë. Deklarata më e fundit e Opozitës se ‘prisni çfarë do t’u ndodhë kur të na vijnë letrat nga Europa”, është dëshpëruese. Gjithë politika bën pushtet dhe shantazh me “ata nga jashtë”. Ose me foton e presidentit të Shteteve të Bashkuara, os eme BE-në, ose me NATO-n, ose me Interpolin. Sikur këtu nuk jeton gjë.

Na bëjnë të ndihemi keq, ose ndihemi hiç, ose pa vlerë… i gjithi një komb na del pa vlerë.

Ku është mosvlera e imponuar ndaj kombit:

Duhet të kemi mbetur të rrallë në këtë botë që partitë politike, sapo zbresin në opozitë, duan të ngrihen në pushtet me çdo kusht. Të vetmet politika që nuk e pranojnë luksin e opozitarizmit. Opozita është një komoditet i madh, është një ‘jetë zotnish”- thonë në Veri. Po këtu pse e duan pushtetin sapo e lëshojnë?! PD humbi në një gropë të paparë, por menjëherë kërkon pushtet; nuk i duhen jo një e dy, por edhe 30 deputetë për të ardhur në qeveri. Ndoshta edhe 30 vjet, aq sa plakës Nurihan… Por jo!, e do pushtetin sot. Dje, dy partitë opozitare (PD dhe LSI) të bëra së bashku, ligjëronin në një fjalë: se ‘vendit u duhet një qeveri e madhe me të gjithë”. Domethënë e duan qeverinë edhe pa e pasur të drejtën.

Ku është mosvlea e imponuar ndaj kombit:

Një komb që nuk mban dot një opozitë- sipas këtyre- është i pa vlerë. Sepse kombi që gjeneron politikë, prosperitet, lumturi,… ky komb meriton një opozitë të pastruar nga krimi. Një opozitë që nuk rri asnjë ditë pa pushtet do të thotë se ka gjynahe të mëdha dhe duhet t’i hyjë dikujt nën sqetull. Ose të paktën është një opozitë me individë pa pikë vlere që nuk mund të jetojnë ndryshe veçse me biznesin e politikës. A ditnë të mbjellin një bimë, ose të ndërtojnë një urë, ose të gdhendin një gur?… Jo, me siguri jo, përderisa nuk rrinë dot jashtë zyrave. Kombi ynë ka një opozitë me individë që ndodhen në pushtet qëkurse kanë mbaruar shkollën fillore.

Ku është mosvlera e imponuar ndaj kombit:

Atë që u fsheh në bodrum në vitin 1946, dhe që kishte jetuar ndryshe nga komunizmi i Moskës ,kombi e ka prapë në bodrum (dmth., në opozitë). Njësoj si para 70 vjetësh, klasa e përmbysur nuk ka ngritur akoma krye. Po pse nuk ngre krye opozita? Për shkakun e dobësive të veta, për shkak se nuk besohet, për shkak se edhe provat e krimit në vend i pret “me tajare për hava”. Epo, kjo i hedh bojë të keqe kombit. Sepse vetëm një komb që nuk ka ujëra të pastra, nuk krijon rryma që të nxjerrë në krye edhe të përmbysurin.

Ku është mosvlera e imponuar ndaj kombit:

PD thotë se provat për krimet e bandave, të trafikantëve, të oligarkëve shqiptarë, do të vijnë nga jashtë. Po vetë opozita a nuk jeton këtu? A nuk ka prova? A nuk ka aq zotësinë që të mbledhë provat që i krijon jeta në trupin e vet dhe në trupin e njeriut pranë? Apo nuk ndjen opozita?… Sa konfuzion mblidhet këtu!

A nuk është opozita ajo që mbledh fakte, prova, evidenca, frymë, ide, dashuri, protestë…, për të dëshmuar të keqen që i ndodh popullit?! Sigurisht, kjo duhet të jetë. Por kur e pret nga larg dëshminë se çfarë ndodh në lëkurën e vet, atëherë kombi goditet dyfish:

E para, se duket sikur lëkura e kombit është aq e trashë sa nuk ndjen e nuk reagon nga krimi; po çfarë mund të jetë gjallesa me këtë lëkurë?!

E dyta, se kombit i thua ‘ti prodhon opozitë qesharake’,… atëherë pse e do opozitën?! Një komb në radhët e kombeve të vjetra- si kombi ynë- e krijoji opozitën në fund të kombeve…, në vitet 90. Tani na del se “opozita ishte e kotë” që në fillim. Përderisa dëshmitë e krimit mbi popull i presim nga jashtë… Atëherë prapë opozitën e kemi nga jashtë, si gjysmë shekulli e më shumë…, si psh., “Mërgata e Qyqeve”…

Interesant, të gjithë si personazhe librash. Dmth., asgjë nuk është ‘në jetë’!

Share: