Home KRYESORE Prokuroria i përgjigjet Ramës: Kryeministri u bë gjykatës

Prokuroria i përgjigjet Ramës: Kryeministri u bë gjykatës

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ështe përgjigjur me një deklaratë kryeministrit Rama pas akuzave të këtij të fundit lidhur me hetimet dhe kërkesën për arrestim të Sajmir Tahirit.

“Prokuroria për Krime të Rënda rithekson qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor. Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim.

Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë – Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Në fjalën e tij, kryeministri, në cilësinë e Kryetarit të subjektit politik që ai drejton, shprehu opinionin dhe vlerësimin mbi provat e paraqitura në mënyrë sekrete nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda në Këshillin e Mandave dhe Imuniteteve në Parlamentin e Shqipërisë. Pra, në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj.

Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika. Nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.

Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore.” – shkruan Prokuroria në deklaratën e saj.

Share: