Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, thotë se vendet që dëshirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet këtë ta tregojnë qartazi, e jo të ekuilibrojnë ndërmjet dy palëve. Ai tha dje në Beograd, se Shtetet e Bashkuara janë partner i Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Vendet që dëshirojnë të hyjnë në BE duhet ta tregojnë qartazi këtë vendim”, tha Hoyt Brian Yee, gjatë një takimi ekonomik në Beograd, dhe shtoi se “nuk mund të uleni në dy karrige, veçanërisht nëse ato janë shumë larg”, njëra tjetrës.
Mëtutje, ai ka theksuar se Serbia ka shumë miq dhe mbështetje në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht kur kemi të bëjmë me integrimet evropiane.
I pyetur se a do ta ndihmojnë Shtetet e Bashkuara dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, tha se shteti i tij është i përfshirë prej fillimit dhe nuk është sekret që merr pjesë në këtë proces, i cili udhëhiqet nga BE-ja, rapoton agjencia Beta nga Beogradi. /360grade.al