Home KRYESORE Shqiptarët të parët në rajon për të dhënë rryshfet ndaj tatimeve dhe...

Shqiptarët të parët në rajon për të dhënë rryshfet ndaj tatimeve dhe doganave!

Korrupsioni është një shkak i lartë për informalitet në pagesën e detyrimeve tatimore në Shqipëri.

Barometri i Ballkanit gjeti në një anketim të bërë me bizneset në rajon se kompanitë në Shqipëri bëjnë pagesa korruptive për mospagesën e taksave më shumë se vendet e tjera në rajon.

Rreth 55% e bizneseve raportuan për 2017-n se bënë pagesa korruptive gjithmonë, ndonjëherë, ose vazhdimisht. 25% i tyre i bënin këto pagesa në mënyrë periodikë dhe 5% e bizneseve kanë pohuar se gjithmonë u paguajnë tarifa korrupsioni inspektorëve të tatimeve dhe doganave dhe 28% paguajnë ndonjëherë.

Në vitin 2016, sipas Barometrit të Ballkanit, situata ka qenë edhe më alarmante, pasi 70% e bizneseve në Shqipëri kanë pohuar se bënë pagesa korruptive ndaj punonjësve të administratës fiskale, gjithmonë, shpesh ose ndonjëherë.

Nivel të lartë pagesash ka edhe Kosova, por pjesa më e madhe e bizneseve pohojnë se paguajnë ndonjëherë ryshfet.

Në vendet e tjera të rajonit, përqindja e bizneseve që japin ryshfet kundrejt mospagesës së taksave ka qenë më e ulët. Bosnja dhe Kroacia kishin renditjen më të mirë në këtë drejtim, ku mbi 85% e bizneseve në këto vende kanë pohuar se nuk kryejnë pagesa korruptive, kundrejt një pakicë biznesesh që japin shumë rrallë ryshfet për punonjësit e fiskut.

Renditjen më të mirë e kanë pasur edhe Maqedonia dhe Mali i Zi, bizneset e të cilave kanë raportuar se bëjnë pagesa të rralla ryshfeti, kundrejt Serbisë ku një përqindje më e madhe e bizneseve raportojnë se bëjnë rregullisht pagesa korrupsioni për punonjësit e fiskut.

Edhe në anketime të tjera, biznesi ka pohuar se pagesat e korruptive janë një shqetësim në aktivitetin e tyre.

Këshilli i Investimeve, në një anketim mbi perceptimin e biznesit në lidhje me shkaqet që krijojnë qasje në informalitet vitin e kaluar, gjeti se, 43% e bizneseve kanë thënë se ndikimi politik dhe korrupsioni e krijojnë informalitetin, ndërsa 39% e tyre janë përgjigjur se evazioni është nxitur nga mungesa e kapaciteteve në administratën tatimore dhe atë doganore.

Një pjesë tjetër e madhe e bizneseve, rreth 26%, mendojnë se evazioni është rezultat i taksave të larta.

Më tej, bizneset mendojnë se faktorë të tillë si cilësia e dobët e legjislacionit, konkurrenca e pandershme dhe fragmentizimi i sistemit tatimor janë nxitës të informalitetit.

Siç shihet nga rezultatet e anketimit, sistemi tatimor përbën një nga shtyllat kryesore që lehtëson ose vështirëson formalizimin e ekonomisë, por edhe bën ose jo më atraktive klimën e biznesit.

Në këndvështrimin e sistemit tatimor nga biznesi janë identifikuar si shqetësime: barra tatimore, fragmentizimi i sistemit tatimor, administrata tatimore dhe procedurat tatimore./ Monitor

Share: