Familjarët e të dënuarve të grupit të Kumanovës, shoqatat e dala nga lufta e ish UÇK-së, Shoqata e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe disa organizata të tjera, kanë protestuar të dielën në Shkup kundër dënimit të 30 pjesëtarëve të grupit me 746 vjet burg dhe 7 të tjerëve me burgim të përjetshëm.
Ata kërkuan që rasti të hetohet nga bashkësia ndërkombëtare me qëllim që të gjenden autorët dhe porositësit e vërtetë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
“Kërkojmë që e gjithë ngjarja e 9 dhe 10 majit të hetohet dhe procedohet nga ndërkombëtarët, pasi struktura të larta të Maqedonisë kanë qenë të përfshira si manipuluese, nxitëse dhe joshëse në sajimin e skenarit të 9 majit. Ministria e Punëve të Brendshme, shefi i shërbimit sekret maqedonas dhe drejtori i Sigurisë publike janë arkitektët, ideologët, urdhërdhënësit si dhe zbatuesit e skenarit ogurzi të ngjarjeve në Kumanovë”.
Kërkesa për hetim ndërkombëtar të rastit paraqitën edhe drejtuesit e Forumit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe të Shoqatës së ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, edhe ekspertët thonë se sistemi i drejtësisë në Maqedoni është në fazën më të keqe që nga pavarësia e vendit dhe se deri më tani nuk ka pasur qoftë edhe një proces gjyqësor që nuk është kontestuar.
Ekspertizë të rastit “Kumanova” kanë kërkuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare, ndërsa këtë më parë, derisa ishte në opozitë e kishte paralajmëruar edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tani kryeministër i Maqedonisë. /360grade.al