Lulzim Basha dekaroi sot se ka përgjime të kreut të Bashkisë së Durrësit me kriminelë.
Deklatara e plotë e Lulzim Bashës
Të nderuar qytetarë,
Çdo ditë e më shumë po dalin fakte tronditëse të lidhjes së Edi Ramës dhe ushtarëve të tij me grupet kriminale që janë të përfshira në trafikun e drogës dhe blerjen e votave.
Shitblerja masive e votave u konfirmua nga Raporti i OSBE/ODIHR si problem kryesor i zgjedhjeve të 25 qershorit. Partia Demokratike e ka ngritur me forcë se në këto zgjedhje Edi rama ka angazhuar paratë e drogës dhe forcën e bandave kriminale në çdo qytet.
Sot po ju prezantoj një tjetër ngjarje skandaloze:
Vangjush Dako, është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, ku i kërkon të vjedhin dhe blejnë votat për zgjedhjet e 25 Qershorit 2017.
Shërbimet inteligjente, përfshirë edhe ato të vendeve partnere, e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve Dako u premton kriminelëve tendera.
Janë miliona euro që Vangjush Dako u ka premtuar kriminelëve, vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtetin e për Partinë Socialiste.
Por këto pazare të ndyra tashmë janë të dokumentuara dhe janë nën hetim prej disa kohësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Këtë fakt e di Gjushi, por e di edhe mentori i tij, Edi Rama. Për këtë arsye, ata ndërhyjnë fuqishëm për të larguar nga hetimi prokurorin që po e hetonte këtë aferë kriminale të interceptuar nga shërbimet inteligjente përfshirë ato të vendeve partnere. Kjo është edhe një nga çështjet ku mund të gjendet edhe arsyeja e dorëheqjes së papritur e Shefit të Shërbimit Inteligjent.
Edi Rama përdor mënyrat e tjera për të shpëtuar Gjushin dhe Gjushët e tjerë të partisë. Ai, me presionin kriminal, ka larguar prokurorin Anton Martini nga hetimi i çështjes, i cili është “graduar” drejtues në Prokurorinë e Shkodrës.
Prokurori që po heton vjedhjen spektakolare të votave në Durrës largohet me ngritje në Shkodër, me shpresën e vetme të Edi Ramës për të shpëtuar Gjushin nga prangat.
Sot i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që t’i thotë qytetarëve nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë apo jo nën presionin kriminal të Edi Ramës.
Gjithashtu kërkoj nga Prokurori i Përgjithshëm që të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për hetimin e kësaj çështje skandaloze nga prokurorët e Krimeve të Rënda.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, të cilët tashmë kanë fakte dhe prova për kriminalizimin e qeverisë shqiptare dhe për bashkëpunimin e saj me trafikantët për vjedhjen e zgjedhjeve.
Unë dhe Partia Demokratike do të vijojmë betejën të çmontojmë lidhjet e kriminale të Edi Ramës me botën e krimit.
Të gjithë shqiptarët e panë me zë dhe figurë se si kryeministri mbrojti beniaminin e tij, Saimir Tahirin, nga akuzat e Antimafias italiane për bashkëpunimin e tij me trafikantët ndërkombëtarë të drogës.
Tani, Edi Rama po mundohet të mbrojë Vangjush Dakon nga prangat. Ai po mbron Dakon, sepse po mbron veten e tij.
Saimir Tahiri, Vangjush Dako dhe të tjerë emra që do të zbulohen në ditët e ardhshme janë marionetat e pushtetit të kryeministrit.
Edi Rama po ndjen t’i afrohen prangat për zullumet që ka bërë. Zullumqarët e tij po dalin dita-ditës që kanë ndyer duart me kriminelë për vjedhjen e votave.
Partia Demokratike është e vendosur në përpjekjen e saj për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie Antimafia. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria dhe shqiptarët do të shpëtojnë nga krimi i bëre njësh me pushtetin.
Partia Demokratike mbështet hetimet e prokurorëve me integritet. Ne do të japim të gjithë mbështetjen tonë që Vangjush Dako të japë llogari para ligjit për bashkëpunimin e tij me kriminelët.
Prokurorët i kanë të dokumentuara faktet që lidhin Vangjush Dakon me procesin mafioz të blerjes së votave. Prokurorët kanë tabulatet ku Gjushi u premton grupeve kriminale tenderat bë këmbim të blerjes së votave.
Ndaj, drejtësia duhet të veprojë shpejt. “Peshqit e mëdhenj” po bien në rrjetë.