Home KRYESORE A bie qeveria prej Sajmirit? Nga Bedri Islami

A bie qeveria prej Sajmirit? Nga Bedri Islami

Po bëj për disa çaste rolin e “Kasandrës”, duke parashikuar se Saimir Tahiri do të jetë fajtor në të gjitha akuzat që i janë bërë deri tani, që nga më e parëndësishmja e deri tek më e rënda, e njëkohësisht, duke i kërkuar ndjesë gjithkujt për këtë “parashikim” medial. Çfarë do të ndodhë më tutje? A do të jetë ai dhe faktori Tahiri shenja e rënies së një qeveri, e sapovotuar, duke marrë më shumë se gjysmën e besimit të njerëzve që morën mundimin të votonin? A do të bjerë qeveria, bashkë me të, meqenëse ai ishte për disa vite ministri më i besuar i kabinetit të parë Rama dhe më i votuari pozitivisht nga njerëzit , pasi, duam apo nuk duam, edhe nëse ai do të bjerë më tej në këtë theqafje politike, policia e shtetit filloi të ketë ngjyrimin e saj të duhur? A është i lidhur fati i Tahirit me fatin e “Rilindjes”, si veçanti e Partisë Socialiste, apo rrugët janë të ndara dhe fati i njërit nuk do të kërcënojë edhe fatin e tjetrit?

Saimir Tahiri ishte e mbetet deri tani ministri më jetëgjatë në jetën plurale të vendit. Ai pothuajse e mbylli mandatin e tij si ministër i punëve të brendshme dhe dalëngadalë u bë njëra ndër figurat më kryesore të socialistëve dhe njëri ndër krahët veprues të kryeministrit Rama. Në të vërtetë, si një figurë e re në mesin e një elite socialiste që nga themelimi, ai, ndoshta edhe nga vetë natyra e tij, deri diku mospërfillëse, u bë ministri që nuk ia vari shumë “të vjetërve”, edhe kur ata kishin të drejtë, por që, kur i zuri si gjithë të tjerët, u tregua i ftohtë, njeriu i ligjit, i saktësisë dhe i një veprimi të padyzuar.

Nga ana tjetër, ndoshta si një fillesë e ardhshme për lidershipin e partisë, ku kishin hyrë në të njëjtën kohë dhe ishin të barazafruar me shefin e tyre, në anën tjetër të shpatullës së Ramës qëndronte Veliaj, që ndryshe nga ai, Tahiri, ishte kurdoherë me një portë të hapur për elitën e vjetër, por edhe për të gjithë ata që ishin të gatshëm të bashkëpunonin, qoftë për planet afatshkurtra, qoftë për mendimin e një perspektive të ardhshme. Zaret ishin hedhur. Mes tyre qëndronte hija e rëndë dhe autoriteti i padyshimtë i Ramës, por, asnjëra e as tjetra, nuk kanë lidhje me atë çka mund të ndodhë: rrënimin përfundimtar të një karriere që nisi plot shkëlqim, u bë befas ndriçuese dhe që po merr rrokullimën pa e ditur askush se kur filloi rënia e tij dhe nëse do të ketë edhe një herë ngjitje.

Tahiri është pjesë e PS-së, edhe pse e larguan dhe e zëvendësuan marrëzisht shpejt, si të donin të lanin duart nga një e afërme që mund të ishte edhe e tyrja. Duke e larguar nga PS-ja nuk mund ta largojnë nga e djeshmja e tij, që ishte e njëjta strehë ku janë edhe ata që e larguan. Streha e përbashkët jep versionin e parë për një fund të përbashkët.

Do të ndodhë kështu?

Opozita, sidomos analistët pranë saj dhe të zemëruar prej kohësh me Ramën, nuk e kanë për gjë kokën e Tahirit. Ajo është përshfaqja e parë e delirit të hakmarrjes politike, për të ardhur në pushtet përmes rënies së një figure politike të kundërshtarëve të saj, përmes ngritjes popullore, çka ka pak mundësi të ngjasë, ose, si tha njëri “ nga “ideologët” e saj, Mul Noka, përmes revolucionit popullor, që do të drejtohet përmes bandave të tij.

“Koka” e Tahirit tani nuk është asgjë. Prej momentit të parë të daljes së përgjimeve opozita kërkon rrëzimin e Ramës. Këtë do e kishte bërë çdo opozitë, edhe të nesërmen e humbjes së zgjedhjeve. Por me kushtin që vetë opozita të ketë integritetin e saj politik, moral e njerëzor. Asnjërin prej këtyre kushteve nuk e ka opozita e sotme, as ajo e vogla dhe as ajo e madhja. Të dyja bashkë nuk bëjnë as gjysmën e tepsisë së pushtetit që ngulmojnë ta marrin të gjithën. Ndodh kështu jo sepse votat janë vjedhur, jo sepse ka patur manipulime, jo se shefi i qeverisë Rama bëri një thirrje të gabuar thellësisht për policinë e shtetit pas mbarimit të orarit të punës. Por sepse vetë ajo, opozita e tashme është pjesë e bandave, e krimit të organizuar, e ndërtimit të një strukture të jashtëligjshme përgjimi e veprimi banditësh, dhe se, mbi të gjitha, e provuar në pushtet, secila nga tetë vite, nuk bënë asnjëherë të duhurën, të drejtën, të saktën dhe të moralshmen. Pikërisht nga kjo opozitë janë dërguar në gjykim tre ndër figurat më t larta të saj, dhe në dy raste kanë shpëtuar nëpërmjet procedurave dhe në një rast tjetër çështja është mbyllur përmes një enigme që dihet.

Tahiri, në fakt, ka rënë. E gjithë ajo që është ngritur ndaj tij, edhe në rastin kur të rezultojë e gjitha stuhi në gotë uji, e ka përmbysur figurën e tij si njeriu i politikës. Ai erdhi deri këtu, kishte shansin e pazakontë të bëhej njeriu i një të majte të emancipuar, por gabimet e tij, nganjëherë foshnjore, historia banale e makinës së tij, edhe sikur të përmbysen të gjitha si të pavërteta, nuk ia kthejnë staturën e tij si njeriu i pritshëm i një politike moderne.

Do e marrë ai me vete edhe të gjithë qeverinë, që deri dje ishte e tij, dhe që sot e sheh si një “i pavarur”, që nuk ka ku të ngulë as gozhdën e pafajësisë së tij”?

Tahiri dhe qeveria Rama, ndonëse nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, nuk janë e njëjta gjë. Janë dy gjëra që, duke pasur lidhje të shkëputura e njëra-tjetrën, përsëri janë të ndara.

Qeveria Rama 1 ose kjo e sotmja është ndërtuar mbi bazën e një verdikti popullor, që, ndërsa herën e parë e ndau fitoren në një pjesë të madhe, PS, dhe në një tjetër më të vogël, LSI, duke i bërë të bashkëpunonin domosdoshmërisht, tani ajo nuk është ndarë, i është dhënë e vetme një force politike, përmes staturës së një lideri politik, Rama.

Për të përmbysur qeverinë nuk është i mjaftueshëm rasti Tahiri, duhet përmbysur verdikti i qershorit të dytë, të vitit 2017. Nëse ai verdikt nuk përmbyset përmes idesë, vizionit, progresit të mendimit dhe përshfaqjes së një opozite moderne, aspak agresive dhe përmbysëse, ende pa i vënë të ndenjurat në ulëset e parlamentit, qeveria as nuk do të bjerë e as nuk ka ndër mend të largohet. Të ikte një qeveri përmes deklaratash për luftë dhe revolucion popullor, asnjë e tillë nuk do të kishte ngelur një muaj në pushtet.

Rasti Tahiri, edhe nëse është plotësisht i saktë, qoftë edhe në iluzionet më dërmuese të opozitës, nuk është plotmëria e qeverisjes. Në katër vite, përmes një koncepti më real për shtetin dhe shtetarët, ndryshe nga sa kishte ndodhur në qeverisjen e opozitës së sotme, shteti vendosi ligjet e tij jo sipas parimit të votës, pra të mbyllte sytë ku vota ishte e tij dhe të bënte katër ku vota ishte kundër, por që të krijonte barazinë e plotë ndaj detyrimeve dhe të drejtave. Megjithë shkeljet e bëra, sidomos ndaj të drejtave dhe ngutësitë në zbatimin e ligjeve ndaj një shtrese që nuk e përballonte dot jetesën, përsëri, më e rëndësishmja është se po vendosej koncepti i reagimit ndaj një shteti ligjor, i vendosur kudo, pa asnjë ndryshim politik.

Rasti Tahiri, edhe nëse është i saktë deri në detaje, nuk mund të marrë me vete krejt një qeverisje, pasi, në çdo vend të botës, edhe në shtetet më demokratike, me një ligjëshmëri të konsoliduar dhe plotëni ligjore, rrënimi i njërit nuk është rënimi i të gjithëve. Po të ishte kështu, do të duhej rrënimi i gjithë PD-së në vitin 1997, sepse u rrënua krejt vendi dhe lieri i asaj ishte asaj kohe njeriu më i mallkuar i shqiptarëve; po të ndodhte kështu duhej rrënuar krejt qeverisja Berisha 2005 – 2013, pasi ministri më i besuar i saj, krahu i djathtë i shefit të qeverisë, i familjes së tij dhe i fazlliqëve, u akuzua tri herë, për vjedhje, për lëndimin e kufirit shqiptar, më saktë shitjen e tij dhe për vrasje. Aso kohe afera e parë nuk erdhi përmes përgjimeve, por përmes një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që kontrollohej nga vetë partia e tij; herën e dytë përmes hedhjes poshtë të një vendimi të turpshëm nga Gjykata Kushtetuese dhe herën e tretë nga të vrarët që ishin në mesin e rrugës.

Qeveria nuk bie poshtë nëse bie një nga pemët e saj, qoftë edhe më e rëndësishmja.

Qeveria bie kur njerëzit vendosin se kjo është rruga e duhur.

Dhe kur ata të vendosin, nuk do e bëjnë këtë për një grusht mashtruesish ordinierë, të pasuruar barbarisht, krijues të një regjimi despotik dhe vrastar, të cilët, edhe njëherë kërkojnë një përmbysje totale, pikërisht sepse u bënë disa vite larg tepsisë së pushtetit dhe e kërkojnë me ngulm.

Rasti Tahiri, edhe nëse është i saktë deri në detaje, do ulë kokën e tij dhe do ndryshojë rrjedhën e një jete, e cila mund të ishte plot shkëlqim, por në asnjë rast jetën e një qeverie, që, edhe pse e lënduar nga ky rast, ka përgjegjësinë e saj për të bërë atë që ka nisur: një shtet ligjor për të gjithë.

Nëse e fillon aty ku ka premtuar: ndëshkimin e krimit, do të jetë rishtas në pushtet./GazetaDita.al

Share: