Se çfarë ka ndodhur me at e bir gjatë viteve të diktaturës, tashmë e tregojnë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. I akuzuar si bashkëpunëtor, bashkë me të atin, Ilir Demalia ka tërhequr dosjen e të atit dhe të tijën pranë Autoritetit për Informimin mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për të zbuluar aty rrugën e ndjekjes nga ana e Sigurimit.
Ka gjetur aty dëshmi, spiunime, pseudonime dhe emra bashkëpunëtorësh, të cilët dikur janë hequr si miq të të atit e ky i fundit i ka ndihmuar në shumë raste. Ai tashmë e di se kush janë ndjekësit e tyre, me pseudonimet “Panairi” dhe “Skifteri”, të cilët kanë përdorur edhe mjete përgjimi, të cilat i kanë instaluar në shtëpinë e Demaliajve. Nga dosja është e qartë që si i ati, Binaku, ashtu edhe ai vetë, ndiqeshin për “veprimtari armiqësore”.
“Ilir Haxhia është në 2B për T.A., është thirrur në gjendje të lirë e nuk ka pranuar, është këshilluar. Kohët e fundit në drejtim të tij kanë dalë të dhëna se është aktivizuar në veprimtarinë e tij armiqësore”, thuhet në një prej sqarimeve, drejtuar bashkëpunëtorit me pseudonim “Panairi”, të cilit i ishte lënë si detyrë “të mësosh reagimet e tij lidhur me gjendjen politike në Kosovë e Jugosllavi dhe për masat e marra nga partia jonë për demokratizimin e jetës së vendit”.
Ilir Demalia, i larguar nga Shqipëria që me ngjarjen e ambasadave, është vënë së fundmi në qendër të debatit, pas botimit të një letre të Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës. Prej atëherë, emri i Demalisë është përmendur rëndom dhe ai vetë është venë në qendër të debateve, duke iu përgjigjur të gjithë atyre që e akuzojnë atë dhe të atin si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit. Më poshtë vjen një sqarim i Demalisë mbi dosjen që sapo ka marrë në duar, ndërsa ofron edhe disa faksimile të përmbajtjes së këtyre dosjeve.
ILIR DEMALIA
BABË DHE BIR, BINAK DHE ILIR HAXHIA DEMALIA NË 2A
Prej shumë vitesh e kohësh, llumi i shpifësve dhe baltosjes, i atyre që ngarkuar me kompleksin e shërbimeve ndaj regjimit diktatorial dje, i atyre që si bashkëpunëtorë të Sigurimit, e që tashmë i di, së paku, ata që janë në dosjen e tim ati dhe timen, i atyre që kanë qenë në burg dhe kanë përgatitur kurthin e tim ati tre muaj para se të mbaronte dënimin, në dhjetor të vitit 1978, i atyre që ai kishte ndihmuar në jetë për t’u rregulluar në punë, duke u dhënë mundësinë për të dalë dhe jashtë shtetit, para se ai të hynte në burg, si rasti i pseudonimit “Panairi”, i cili vazhdoi të dalë jashtë, deri në vitin 1990.
Ai jo vetëm ka qenë bashkëpunëtor me detyrë për tim atë dhe mua, por bashkë me atë që mbante pseudonimin “Skifteri”, kanë hyrë edhe në shtëpi me TO (teknikë operativë, aparate përgjimi).
Gjithë ky llum, me llumin e bashkëpunëtorëve politikë të pluralizmit, spiunëve, kanë hedhur baltë mbi tim atë dhe mua, si gjoja bashkëpunëtorë të Sigurimit. Përfundimisht, për herë të fundit, për të gjithë këtë tabor akuzuesish dhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, po ju them: as për tim atë, as për nënën time, as për mua dhe as për tim vëlla, nuk mund të gjendet një dokument që të kemi denoncuar njeri, bashkëpunuar me Sigurimin, t’i kemi shkaktuar tragjedi dikujt apo ndonjë familjeje.
Në të kundërt, nga verifikimi i gjithë dokumentacionit në dosjet e Sigurimit, rezulton: Binak Haxhia Demalia, i ndjekur nga Sigurimi me dosje 2A (përpunim për arrestim) që nga viti 1972.
Arrestuar më 11 mars 1975 dhe i dënuar 4 vjet për agjitacion e propagandë. Gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor nuk ka pranuar fajësinë dhe nuk ka implikuar asnjë njeri apo të jetë thirrur njeri nga dëshmia e Binakut.
Në gjyq ka dalë i vetëm. Mbas lirimit më 11 mars 1979, ka kërkuar rregullisht pafajësinë, duke e fituar atë në mars të vitit 1984. Nga ky moment mbyllet dosja e ndjekjes ndaj Binak Haxhia Demalia, për t’iu hapur përsëri Binakut dhe të birit, Ilir Haxhia Demalia, pas gjashtë muajsh në dhjetor të vitit 1984.
At dhe bir, Binaku dhe Iliri, janë ndjekur në 2A, BP sigurimi me TO (teknikë operativë) përgjime për veprimtari armiqësore dhe përmbysje e pushtetit dhe Iliri edhe për përgatitje për arratisje.
Ndjekja e përgjimi ka vazhduar deri në prill të vitit 1991, shoqëruar me përgjime telefonike 24/ 7 pas largimit të Ilirit me ambasadat, në korrik 1990.