Brenda pak ditësh në brigjet provincës së Leçes në rajonin e Puglias janë gjetur qindra kilogramë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria.
Tipi i njëjtë i konfeksionimit të thasëve të marijuanës sjell dyshimin se bëhet fjalë për të njëjtën ngarkesë droge e braktisur apo e humbur nga trafikantët gjatë transportit nga Shqipëria drejt Italisë për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar në nivel 4-5 ballë.
Po në të njëjtin territor është identifikuar gjatë orëve të fundit dhe trupi i pa jetë i një personi.
Moti i keq ka vështirësuar operacionin e rekuperimit të viktimës, i cili gjendet në një zonë shkëmbore të bregdetit të Puglias e nën monitorimin e vazhdueshëm të rojes bregdetare.
Asnjë person nuk rezulton i humbur në këtë territor e mediat lokale hedhin dyshimin e lidhjes së mundshme mes trupit të pa jetë në det e thasëve me marijuanë të gjetura në bregdetin e territorit përreth.
Më datën 22 tetor në brigjet e Puglias në komunën San Foka u gjetën nga Financa Italiane 17 thasë me marijuanë në vlerë përfitimi shitje prej 300 mijë euro.
Më 29 tetor në komunën Cesine të Puglias vetëm pak kilometra larg San Foka u gjetën rreth 40 kg të tjera marijuanë me të njëjtën mënyrë konfeksionimi si ai i rekuperuar pak ditë më parë.
Më datë 4 nëntor po në bregdetin e oazit natyror të Cesines por në territorin e komunës së San Kataldos u gjetën 48 kg marijuanë të tjera të konfeksionuara në dy thasë të mëdhenj.
Ndërsa mëngjesin e sotëm rreth 100 kg marijuanë janë gjetur në brigjet e komunës Porto Badisco në provincën e Leçes.
Kjo sasi marijuanë e nxjerrë nga deti gjatë ditëve të fundit në brigjet e Leçes bëhet më e mistershme pas zbulimit të një personi të mbytur në det.
Një ditë më parë banorët e komunës Kastro në provincën e Leçes kanë informuar rojen bregdetare mbi trupin e pa jetë të një personi që lundronte në afërsi të brigjeve shkëmbore të qytezës së tyre.
Deti mjaft i trazuar e ka bërë të pamundur tentativat e para për rekuperimin e trupit i cili është i seksit mashkull me lëkurë të bardhë.
Ngjarja bëhet misterioze pasi në të gjithë provincën e Leçes deri më tani nuk ka denoncim për persona të humbur gjatë ditëve të fundit.
Mediat lokale hedhin dyshimin e lidhjes mes trupit të pajetë në mes të detit e thasëve me marijuanë të mbërritura në bregdet.
Mos ndoshta është një gomone apo një skaf i mbytur përgjatë rrugës së trafikimit të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë?
Kjo hipotezë e mundshme nuk është diçka e re në këtë territor.
Kronika e viteve të shkuara kujton se në dhjetor të 2013 në komunën Torre Veneri u gjet trupi i pajetë i një të riu shqiptar që rezultonte i humbur prej javësh.
Ndërkohë mbi trupin e viktimës po heton policia lokale e rajonit të Puglias në bashkëpunim me Policinë Financiare./ora news