Bukuria e të dy motrave Luana dhe Marina Vjollca si dhe sensualiteti që ato i ndezin publikut po përdoret si një armë e fortë në luftën e nxehtë që ka nisur së fundi mes dy televizioneve rivale Tv Klan dhe Top Channel. Këtë të dielë në mbrëmje Marina e larguar nga Topi, u shndërrua në ikonën e emisionit “C’est la vie” ku ajo ringjalli një emision të një dekade më parë të vëllezërve Laço, veçse këtë herë me një skenografi madhështore dhe me një sfond të kuruar me shumë kujdes.
Ashtu sikurse dihet “tradhëtarja” e Topit u përdor nga Klan, në betejën e ethshme të audiencës, për të konkuruar emisionin më të shikuar të së dielës, Portokallinë.
Por nëse Marina shërbeu si një mjet kundër shtëpisë që e lindi si prezantuese, fati nuk ka qenë më dashamirës me motrën e saj të mbetur në Top Channel, Luanën. Ajo u caktua të rivalizojë emisionin më të ndjekur të së shtunës në TV Klan, atë të Ermal Mamaqit. Dhe që kur Luana startoi me “Shiko kush luan” mes dy televizioneve ka plasur një debat i madh.
Në faqen e vet në internet Top Channel foli për rekord shikueshmërie të “Shiko kush luan”, ndërsa menjëherë në lojë u fut Ermali i cili botoi grafikun e shikueshmërisë mes dy emisioneve ku sipas tij Tv Klan fitonte bindshëm (grafiku poshtë).
“Audienca e djeshme në darkë. Ore, nuk i kuptoj këto grafikët… Hajde gëzuar” – shkruante Ermali duke sqaruar se emisionit të tij i përkiste kurba blu,në krye të grafikut.
Ende nuk ka të dhëna për garën mes Marinës dhe Portokallisë, por një gjë është e sigurtë, dy televizionet e mëdha po përdorin sejcili njërën prej motrave Vjollca, për të mposhtur emisionet më të forta të konkurentit direkt.
Megjithëatë kjo garë e ethshme nuk ka ndikuar mes Luanës dhe Marinës
Sapo Luana nisi “Shiko kush luan”, ndër të parat që e uroi edhe publikisht ishte Marina, e cila nuk harron t’i përmendë se është gjithmonë krenare për motrën e vogël dhe gjithçka ajo ka arritur deri tani profesionalisht: “Mrekullia ime, krenare pa masë për pjekurinë, maturinë dhe bukurinë që ke” – i shkruajti Marina, Luanës në nisje të sezonit të ri.
Ndërsa motra e vogël ia ka kthyer shpejt e shpejt Marinës: “Gjysma ime, kaq shumë e emocionuar për ty. Jam pa fjalë! JE MREKULLI, krenaria ime” – shkruan Luana.
©Lapsi.al