Home KRYESORE Mediat Serbe: Flamuri shqiptar valevitet ne Presheve…

Mediat Serbe: Flamuri shqiptar valevitet ne Presheve…

Në ndërtesat shtetërore dhe në shtëpitë private në komunat e Preshevës dhe Bujanocit, më 28 nëntor, po valon dhe flet flamuri i Shqipërisë. Kështu nis artikulli i të përditshmes serbe ‘Blic’, i cili që në titull tregon se “Përkundër së është i ndaluar, Flamuri i Shqipërisë valëvitet në Presheve dhe Bujanoc”.

Artikulli nis me një historik të shkurtër të ditës më të veçantë për të gjithë shqiptarët, e cila shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, në Vlorë, shkruan Gazeta Express.

‘Blic’ shkruan se manifestimi qendror i shqiptarëve nga jugu i Serbisë u shënua nga një program kulturor-artistik në Qendrën Kulturore ‘Vuk Karadzic’ në Bujanoc. Tregohet se udhëheqësit politikë shqiptarë organizuan një pritje për bashkatdhetarët e tyre. Madje, potencohet se përkundër festimeve nuk janë vërejtur forca të shtuara policore në rrugët e Preshevës dhe Bujanocit.

Pastaj, artikulli i gazetës serbe, media për të cilën thuhet që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, raporton se përdorimi i flamurit të huaj është veprim i ndalur me ligj në shtetin serb.

Shteti mbron, por flamujt janë ende të vendosur, shkruan ‘Blic’, referuar vendosjes së flamurit kombëtar kuq e zi në komunat serbe të banuara më shqiptarë.

Për shkak të flamurit shqiptar, çdo vit politikanët lokalë dënohen me kundërvajtje, por vazhdojnë ende ta ekspozojnë, vazhdon tutje artikulli i medias beogradase, përcjell në shqip Gazeta Express.

Në fund, gazeta përmend edhe kërkesën e Këshillit Kombëtar të Shqiptareve në Serbi, të udhëhequr nga kryetari i Bujanocit, Jonuz Musliu, për të cilin ‘Blic’ shkruan se është i diskutueshëm, për legalizimin e flamurit të shqiptarëve, në theks të veçantë më 28 nëntor.

“Autoritetet në Serbi kanë kërkuar nga shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që ta krijojnë flamurin e tyre, i cili duhet të jetë ndryshe nga flamuri kombëtar i vendit të origjinës, siç përcaktohet nga Ligji për Pakicat Kombëtare. Në këtë rast, ata do të kenë të drejtën të përdorin flamurin çdoherë dhe zyrtarisht, por shqiptarët nuk e pranojnë këtë kërkesë”, shkuan gazeta serbe. /GazetaExpress/.

Share: