Home KRYESORE Miliarda humbje, del në shitje spitali privat ‘Hygeia’

Miliarda humbje, del në shitje spitali privat ‘Hygeia’

Spitali privat ‘Hygeia’ në Tiranë është nxjerr në shitje. Drejtuesit e spitalit të dytë privat më të madh në vend janë aktualisht në negociata me operatorët e tjerë si Spitali Amerikan, Spitali Salus, Spitali Gjerman. Mësohet se nuk ka ende një vendim-marrje për shkak të mosrënies dakord për çmimin.

Spitali Hygeia Tiranë është spital privat i nivelit ndërkombëtar, që filloi nga puna në vitin 2010. Ai është 100% në pronësi të spitalit grek Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia.

Investimi fillestar në Shqipëri ishte 60 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare në faqen e internetit të kompanisë. Që prej fillimit të aktivitetit, spitali në Tiranë ka rezultuar me humbje të mëdha dhe nuk ka raportuar asnjëherë fitime. Humbjet e akumuluara në kapital, sipas bilancit të vitit 2016 ishin 2.3 miliardë lekë, apo rreth 16 milionë euro. Këto humbje të akumuluara janë të përafërta me xhiron vjetore të spitalit (që për vitin 2016 ishte 2.7 miliardë lekë).

Spitali ka dy kredi me një vlerë totale prej 20 milionë eurosh me BERZH dhe Bankën e Detit të Zi (nga 10 mln euro secila), të cilat i ka ristrukturuar dhe ka filluar t’i paguajë rregullisht në 2016-n.

Tregu i spitaleve private

Revista ekonomike “Monitor” ka pasqyruar bilancet e 7 spitaleve dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / TIR), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian, Spitali Privat i Zemrës, kanë qarkulluar në total rreth 8.4 miliardë lekë, apo rreth 62 milionë euro, me një rritje prej 16% në raport me 2015-n.

Spitali më i madh privat në vend është American Hospital, me një xhiro prej gati 4.6 miliardë lekësh në 2016, sipas të dhënave të raportuara në bilanc, me një rritje prej 19% me bazë vjetore (të dhënat përfshijnë dhe Kosovën). Spitali vijoi të raportojë humbje prej 48 milionë lekësh, ndonëse ato pothuajse janë përgjysmuar në raport me vitin e mëparshëm. Humbja vjen nga Kosova ndërsa aktiviteti në Shqipëri është me fitim.

Salus, spitali i tretë më i madh privat në vend, pas një rritjeje të shpejtë, është ngadalësuar në 2016-n. Të ardhurat u rritën me vetëm 3.5% në 544 milionë lekë. Edhe ky spital ka vijuar të rezultojë me humbje, ndonëse ajo është më shumë se përgjysmuar në 39 milionë lekë.

Spitali Gjerman ka rritur të ardhurat me 36% në 295 milionë lekë. Ai është nga të paktët me fitim, që zbriti në 25 milionë lekë në 2016-n, nga 87 milionë lekë një vit më parë.

Spitali Europian dhe Spitali Privat i Zemrës kanë shënuar rritje të fortë të të ardhurave me përkatësisht me 59 dhe 44%, ndonëse nisur nga një bazë e ulët. Spitali Europian vijon me humbje të larta, që janë më të larta se të ardhurat.

Pjesa më e madhe e spitaleve janë me humbje edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga aktiviteti. Sipas një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (bazuar në analizat që ajo ka bërë për kreditë e dhëna për spitalet private në vende të ndryshme të botës), investimet në spitale, me 100 deri në 200 shtretër kanë në përgjithësi një periudhë ku shpenzimet barazohen me të ardhurat (break even point) prej rreth tre vitesh. Raporti thekson se optimizmi i tepërt nga investitori apo huamarrësi është i zakonshëm në këto lloj investimesh (numri i pacientëve, të ardhurat, përfitueshmëria)./opinion.al

Share: