Organigrama e re e Partisë Demokratike, ende e pamiratuar, shoqërohet nga një projekt-statut i ri, të hartuar nga anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Janë po ata anëtarë që kundërshtuan publikisht listat për deputetë të kryetarit Basha, rezultatin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit dhe mënyrën se si u rizgjodh zoti Basha kryetar.
Ky statut, që në pamje të parë ka të njëjtën arkitekturë institucionale me Partinë Demokratike sot, fut disa risi.
Për shembull, projekt-statuti e ndan partinë sipas parimit të kontrollit dhe balancës së pushtetit, me pushtetin legjislativ (Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar), ekzekutivin e partisë (kryesinë) dhe me organet e pavarura: Gjykatën, Komisionin e anëtarësisë dhe zgjedhjeve, si dhe Bordin financiar.
Organizimi i partisë në këtë mënyrë parashikon edhe një ulje të ndjeshme të numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, nga 260 në 120. Kurse Kryesia, nga 40 propozohet të bëhet me 25 anëtarë.
Më pak anëtarë mendohet t’i bëjnë këto organe më efikase. Gjykata e partisë është parashikuar të jetë aty për t’i dhënë kujtdo mundësinë për të ankimuar vendimet e partisë.
Një procedurë e posaçme mendohet të ndiqet për kandidaturat për deputet. Sigurisht, procedura e propozuar në këtë projekt-statut të ri nuk mban parasysh një rast urgjence, si ai i krizës politike të pranverës, që u zgjidh me marrëveshjen e 18 majit dhe ku u duk se demokratët nuk kishin shumë kohë për të përgatirur listat.
Projekt-statuti i ri do t’i dorëzohet kryetarit Basha dhe Këshillit Kombëtar këtë javë. E vetmja mënyrë institucionale që duhet mbetet për t’i ndjekur për marrjen në shqyrtim të projekt-statutit, është Kuvendi.
Kuvendi Kombëtar i Partisë demokratike duhet të mblidhet pas gati një viti. Deri atëhere, projekt-statuti pritet të jetë testi i kryetarit Basha në objektivin e shpallur prej tij, për të bashkuar partinë.
Burimi: http://top-channel.tv/2017/11/20/kontrata-e-re-e-pd-te-perjashtuarit-me-statut-te-ri-dorezohet-kete-jave/