Nga Thomaidha Tanuci Cullufi
Ende nuk shkel
me këmbët e mia,
mbi këtë tokë të lagur
shtrydhur në shi;
historitë pikojnë
mbi kalldrëm,
trupi përmbytet
në ujin e kripur
të syve të mi.
Ende nuk ngjitem dot
në degët e urtësisë;
ajo vjen si pemë;
kur e prek,
bëhet hi.
Një hark i zjarrtë
hapin ma ndalon,
më shfaqet,
më zhduket
si ajër,
nuk e di;
i prekim bashkë rrugët
deri në askund;
unë duke mbajtur në dorë
një lot,
dashuria duke mbajtur
në duar sytë e mi.