Deputetët e VV’së Albin Kurti dhe Donika Kadaj – Bujupi janë liruar sot nga paraburgimi. Ata po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Të akuzuarit e tjerë janë edhe deputetët e po të njëjtës parti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Trupi gjykues ka vendosur që shpallja e aktgjykimit të bëhet me 3 janar 2018 ora 13:00, raporton Express.
Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës u dëgjua fjala përfundimtare e prokurorit dhe mbrojtjes, po ashtu edhe të të akuzuarve.
Deputeti i VV-së Albin Kurti në fjalën përfundimtare të tij, ka thënë se veprimet e tij dhe të tre të akuzuarve të tjerë, janë padëgjueshmëri parlamentare e jo vepër penale.
Katër deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. Por, prokurori ka liruar nga një akuzë Faton topallin, atë për “mbajtje në pronësi të armës”. /Express/