Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera A është korrupsioni “një shaka e politikës” në Shqipëri?

A është korrupsioni “një shaka e politikës” në Shqipëri?

Problemi i korrupsionit nuk është i ri, ai haset në përkufizimet e filozofisë politike klasike që nga Aristoteli, te Monteskjë, Makiaveli, Rusoi, etj, ku përcaktohet si degjenerim i institucioneve publike, domethënë si bastardim i parimeve që janë në themel të një sistemi politik, i shfaqur nëpërmjet shpërdorimeve të shumta të drejtësisë dhe pushtetit nga ana e përgjegjësve politikë dhe ekonomikë.

Korrupsioni është shfrytëzimi direkt i pushtetit nga çdo zyrtar i zgjedhur dhe/ose i emëruar për të përfituar privatisht në mënyrë të paligjshme, në të gjitha nivelet e pushtetit politik: në legjislativ, në ekzekutiv, në gjyqësor dhe indirekt në të ashtuquajturin “pushtet i katërt”, ose në media.

Korrupsioni politik është çdo shkelje që i bëhet besimit që i ka dhënë qytetari çdo zyrtari të zgjedhur dhe/ose të emëruar për të ushtruar një detyrë në shërbim të qytetarëve, ose çdo pabesi në lidhje me premtimin që zyrtarët e zgjedhur dhe/ose të emëruar u kanë dhënë qytetarëve vetëm për të zbatuar ligjin, rregullat dhe proçedurat në zbatim të tij.

Korrupsioni, si në nivel qendror ashtu dhe nivel vendor, pozon një sfidë serioze për rritjen ekonomike dhe zhvillimin të vendit, sepse ai minon demokracinë dhe qeverisjen e mirë duke shpërfillur ose sabotuar proçeset zyrtare; korrupsioni në zgjedhje dhe në organet legjislative zvogëlon përgjegjshmërinë dhe shtrembëron përfaqësimin në hartimin e politikave; korrupsioni në sistemin gjyqësor kompromenton sundimin e ligjit dhe korrupsioni në administratën publike rezulton në padrejtësinë e sigurimit të shërbimeve.

Me pak fjalë: korrupsioni erodon kapacitetin institucional të qeverisjes pasi proçedurat nuk respektohen, burimet nuk shpërndahen në mënyrë transparente dhe zyrtarët shiten (kur ofrojnë favorizime të padrejta) dhe blihen (kur marrin shpërblime, ose dhurata për favorizimet që kanë bërë në mënyrë të padrejtë); korrupsioni minon gjithashtu legjitimitetin e qeverisjes, si dhe vlera të tilla demokratike si besimi dhe toleranca.

Rezultat i kësaj dukurie janë: rritja e kostos së bizneseve private dhe e kostos së administratës publike, ulja e nivelit të konkurrencës së drejtë në treg, shtrembërimi i zhvillimeve ekonomike në treg, minimi i zhvillimit ekonomik të vendit dhe konkurueshmërisë së tij në raport me tregjet rajonale dhe globale, që gjeneron, gjithashtu, shtrembërime ekonomike në sektorin publik, ul nivelin e zbatimit të legjislacionit të ndërtimit, të mjedisit, zvogëlon cilësinë e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike qendrore dhe vendore, si dhe rrit presionet për shpenzime buxhetore, duke bërë të mundur largimin e kapitalit nga vendi.

Kur analizohen shkaqet që e lindin dhe influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, një vend dhe një rol i veçantë dhe i rëndësishëm i jepet nivelit ekonomik të jetesës, ose sikundër thuhet shpesh në gjuhën e popullit: varfërisë.

Para së gjithash, analiza e shkaqeve që e lindin dhe e faktorëve që influencojnë mbi nivelin e korrupsionit, nuk duhet përqëndruar te perceptimi, por te provat, te dëshmitë dhe te vendimet e pakundërshtueshme dhe të zbatueshme të niveleve të ndryshme të pushtetit gjyqësor.

Niveli i korrupsionit favorizohet nga:

  • informacioni i pamjaftueshëm për shkak të mungesës së transparencës nga ana e qeverisë për të gjithë veprimtarinë e saj;
  • mungesës së lirisë së duhur për të siguruar informacionin e nevojshëm mbi legjislacionin;
  • mospërfilljes, ose neglizhencës për ushtrimin e lirisë së fjalës dhe shtypit;
  • praktikave të dobëta kontabile, që përfshijnë mungesën e menaxhimit financiar në kohën e duhur;
  • mungesës së organizmave, mjeteve dhe metodave për matjen e korrupsionit te ata që e pësojnë prej korrupsionit dhe jo te ata që preken prej tij;
  • nivelit të lartë të ekonomisë informale dhe ndikimit të saj mbi zyrtarët e zgjedhur dhe/ose të emëruar në hartimin e politikave fiskale në interes të grupeve të caktuara të interesit.

Kontrolli i pamjaftueshëm mbi veprimet negative të qeverisjes është rezultat:

  • i një demokracie funksionale jo të plotë;
  • pamundësisë së monitorimit të qeverisjes nga shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare;
  • kulturës së pakët të zgjedhësve në lidhje me politikën, veçanërisht, në zgjedhjet mbarëkombëtare, pasi vota e tyre nuk ka shumë peshë;
  • moszbatimit të ligjit, pothuajse, në të gjitha nivelet;
  • nivelit të pamjaftueshëm në profesionin e juristit;
  • nivelit të pamjaftueshëm të pavarësisë të sistemit të drejtësisë;
  • mbrojtjes së pamjaftueshme të kundërshtarëve të qeverisjes;
  • mungesës së standarteve të vlerësimit të proçedurave dhe krahasimit të tyre me të ngjashëm në nivele të njëjta, ose të ndryshëm të qeverisjes, në veçanti, krahasimit me ata që bëjnë punën më të mirë.

Mundësi dhe nxitës të korrupsionit janë:

  • veprimet me para në dorë të zyrtarëve të zgjedhur dhe/ose të emëruar, zotërimi dhe veprimet me anë të depozitave në valutë të huaj në banka të huaja, etj;
  • centralizimi i fondeve publike dhe jo decentralizimi i tyre;
  • pamundësia e mbikqyrjes së investimeve të mëdha publike;
  • privatizimi, dhënia me koncesion dhe shitja e pronës shtetërore;
  • zyrtarë të paguar në nivele të pamjaftueshme;
  • licensat për të bërë biznese të veçanta, që inkurajojnë mitmarrjen dhe kushtet për të bërë marrëveshje;
  • qendrimi për një kohë të gjatë në njëjtin vend pune mund të krijojë marrëdhënie brenda dhe jashtë, të cilat ndihmojnë për të fshehur korrupsionin dhe favorizimin (rotacioni i zyrtarëve në pozicione të ndryshme dhe në rrethana të tjera mund të ndihmojë për ta parandaluar këtë faktor);
  • fushatat zgjedhore të kushtueshme me shpenzime që i tejkalojnë burimet normale të financimit politik (ndërveprimi më i vogël me zyrtarët zvogëlon mundësitë për korrupsion).

Mosdënimi është shkaku kryesor i korrupsionit.

Pavarësisht trajtimit intensiv në median e shkruar dhe atë elektronike, pavarësisht ligjeve që e dënojnë korrupsionin, pavarësisht bujës në media, verdikti i përbashkët, në thelb, mbetet i pandryshuar: korrupsioni mbetet një krim i pandëshkuar për shkak të reagimit të dobët shoqëror që e sfumon ashpërsinë e ndëshkimeve.

Kariera e politikanëve të përfshirë në çështje të korrupsionit nuk është cënuar nga akuza për korrupsion, nga diskretitimi publik dhe nga pasojat e ndëshkimit, pa përmendur faktin e ndikimit të korrupsionit në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave në partitë politike, situatë e njëjtë kjo edhe në mjedisin e shoqatave të biznesit.

Korrupsioni është një krim që edhe pse pranohet nga të gjithë, tolerohet nga njerëzit, ose një veprim i paligjshëm që mbetet i fshehur në masën e këmbimeve ekonomike të zakonshme, duke i shpëtuar në këtë mënyrë çdo damke shoqërore, gjë që fuqizon edhe më shumë amnistinë e tij shoqërore, i cili në rastin më të keq trajtohet thjesht si gabim dhe aspak si një faj i dënueshëm.

Dy janë problemet më të mëdha të korrupsionit: ai i padukshmërisë shoqërore të veprimeve të tij dhe ai i vullnetit dhe i aftësisë së vërtetë të autoriteteve politike për t’u përfshirë seriozisht në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni është mënyra më domethënëse për shkelje të ligjit “pa pasur viktima”, ose të paktën pa viktima të drejtpërdrejta dhe shprehimisht të qarta, që do të kishin interes mëse të sigurt për të vepruar, për të kallëzuar dhe për t’i bërë thirrje ndërhyrjes gjyqësore.

Tatimpaguesit, aksionarët, punëmarrësit janë entitete abstrakte dhe të paorganizuara që në të vërtetë nuk e gjejnë veten si viktima, edhe pse ndikimi financiar i këtyre veprimeve mbi gjendjen e tyre është i qartë.

Prandaj i takon shtetit të zejë vendin e këtyre aktorëve të dobët dhe në emër të tyre të ndërmarrë veprime parandaluese dhe të luftojë korrupsionin për mbrojtjen e të mirave të përbashkëta.

Marrëveshjet e shumëllojshme në gjirin e aparateve politiko – administrative shkaktojnë vështirësitë e përherëshme të gjykimit midis interesave kontradiktore dhe ndikimit në rritje të interesave ekonomike mbi funksionet publike.

Shembuj të qartë të praktikave korruptive janë shitja e votës në këmbim të shumave të parasë në dorë, ose shërbimet e ndryshme, nepotizmi, përfitimi i paligjshëm, administrimi i keq, vështirësitë e kontrollit, kundërshtimi për t’iu bindur masave ndëshkuese, favoritizmi (rekrutime, ose kontrata publike në favor të personave të lidhur) duke mos respektuar procedurat si dhe mungesa e kundërveprimit me anë të reformave efektive.

Format më të dukshme të korrupsionit janë pasurimet vetiake, favoritizmi i njerëzve të afërm, ose i personave të lidhur, përfitimet e paligjshme të fondeve për qëllime zgjedhore, etj; përveç korruptimit të njerëzve ekziston edhe korruptimi i organizatave qofshin ato parti politike që kërkojnë fonde, qofshin administrata që ndryshojnë orientimin e procedurave të tyre, apo qofshin biznese që përdorin korrupsionin për të arritur objektivat e tyre ekonomike; sepse në këtë fushë interesat financiare dhe shpërdorimet në ushtrimin e pushtetit shkojnë paralelisht.

Në lidhje me pushtetin e ndikimit, përcaktimi i kufijve ndërmjet një praktike ligjore dhe një praktike shpërdoruese, është i vështirë. Një fjalë e thënë, një telefonatë e bërë mund të kenë një rol vendimtar për marrjen e një vendimi, sepse në raste të tilla nuk lenë gjurmë.

Termi “korrupsion” është viktimë e shumëkuptimësive të gjykimit të përbashkët, sepse është një nocion gjenerues, që përfshin të gjitha format e shpërdorimit të funksionit, qofshin publike ose private.

Termi “korrupsion” merr një kuptim edhe më të gjërë kur përdoret për përcaktimin (në kufijtë e ligjshmërisë) të qëndrimeve të mbajtura nga autoritetet politike dhe administrative si shpërndarja e privilegjuar e informacionit për poste të caktuara, për projekte të ndryshme, për ujdira fiskale, ndërsa në gjirin e bizneseve mbajtja e dy kontabiliteteve, shmangia fiskale, etj.

Korrupsioni në këto raste bëhet sinonim i shmangies nga rregullat, pa përcaktuar qartë vetë normën nga ku rrjedh qëndrimi.

Korrupsioni politik shihet si shkëmbim favoresh që bëjnë elitat politike, si rezultat i marrëdhënieve të ofertës dhe kërkesës midis elitave politike, administrative dhe aktorëve ekonomiko – financiar, ose forma e fshehtë e këmbimit shoqëror nëpërmjet të cilit mbajtësit e pushtetit politik dhe administrativ e shfrytëzojnë pushtetin e tyre vendim – marrës ose ndikues gjatë një mandati, ose për një periudhë të caktuar në detyrë.

Kjo shpjegon arsyen përse natyra e sistemit politiko – administrativ shihet si lehtësues i veprimtarive korruptive.

Thelbi i vemendjes shoqërore është perqendruar mbi korrupsionin politik, ndërkohë që korrupsioni përmban edhe aktorë privatë në marrëdhëniet ndërmjet bizneseve, objekt ky gjithashtu i një rëndësie shumë të vogël në trajtimin e dukurisë së korrupsionit në shoqëri.

Të gjitha praktikat korruptive janë të pashkëputura nga konfliktet konkurruese dhe nga manovrat që bëhen për të mbajtur tregun nën zotërim.

Ofertat korruptuese të funksioneve politike që bazohen mbi lakminë e drejtuesve, janë të pashkëputura nga kërkesat korruptuese të aktorëve ekonomikë.

Korrupsioni është një dukuri dytësore, sepse shkaktohet nga parakushte ekonomike.

Në qoftë se stabiliteti ekonomik dhe formimi i institucioneve nuk arrijnë fundin e tyre logjik, ata të dy bashkë bëhen shkak për korrupsion.

Vendosja e institucionit të pronës private dhe kufizimi i korrupsionit (pasi parimisht është i pamundur eleminimi i tij), domosdoshmërisht, kërkojnë legalizimin e rezultateve të para të akumulimit të kapitalit, me qëllim që ta lejojnë atë të veprojë në interes të publikut, pa harruar të ndëshkojë të gjithë shkelësit e ligjit.

Mungesa e një analize shkencore në lidhje me shkaqet e korrupsionit le shteg për rrugëzgjidhje politike për ta luftuar korrupsionin me masa shtrënguese, të cilat më shumë kanë efekte populiste dhe, në periudha kohe aftshkurtëra, karakterizohen nga një pseudoefekt i tipit të kamuflazhit, ndërkohë që asgjë nuk ndryshon, edhe pse aktorët kryesorë të korrupsionit ndryshojnë; ndodh kështu pasi arsyet ekonomike që e shkaktojnë korrupsionin mbeten të paprekura.

Mungesa e stabilitetit makroekonomik, zhvlerësimi i monedhës kombëtare dhe mosmbledhja e të ardhurave fiskale të parashikuara krijon mundësinë e të fituarit “shpejt” të parasë së pistë. Shpenzimet në kushtet e një buxheti të pamjaftueshëm (me defiçit të konsiderueshëm) orientohen në ato sektorë që premtojnë rryshfetet më të mëdha.

Korrupsioni si sëmundje ngjitëse i “prek” pothuajse të gjithë që nga politikanët dhe zyrtarët e korruptuar deri te ata që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit, pa përjashtuar median ku klane të fuqishme (pothuajse të gjitha me natyrë politike) financojnë për të diktuar informacionin me të cilin duhet të informohet publiku.

Ajo që i pasqyron direkt mënyrat e ndryshme të manifestimit të korrupsionit është gjendja e ndërmjetme e ekonomisë së vendit e cila nuk ka arritur stadin e plotë të transformimit të saj nga një ekonomi e planifikuar dhe e centralizuar në një ekonomi tregu.

Favorizimet zakonisht marrin formën e zaptimit monopolist të disa tregjeve, të preferencave në blerjen e  pronave shtetërore ose të lejimit për ndërhyrje speciale në pushtetin politik.

Këto veprime dëmtojnë përdorimin me efektivitet të kapitalit dhe për pasojë ndikojnë në uljen e nivelit jetësor.

Përveç këtyre rasteve ekziston ende problemi i gjërë i korrupsionit, ku bën pjesë edhe “kapitalizmi i favorizuar nga shteti”.

Përqendrimi i pushtetit mund të çojë në një korrupsion më të madh politik për shkak të statusit të pushtetit monopol të burokratëve dhe siç mund të merret me mend do të ishte i vështirë të eleminohej pasi burokratët do të prireshin të mbronin “rentën” e tyre, gjë që çon në një nivel më të ulët besimi dhe kështu ngadalëson edhe më tej rritjen ekonomike.

Prandaj, përqendrimi i pushtetit duhet shpërndarë ndërmjet institucioneve demokratike për t’ia prerë shanset grupeve rentë – kërkuese me anë të mjeteve të liberalizimit të tregut dhe politikave të lira tregtare, përndryshe niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e besimit te qeveria do të ndikojë negativisht nivelin e besimit te qytetarët.

Kufizimet tregtare janë shembulli i parë i një burimi të nxitur nga qeveria për renta.

Studimet kanë treguar se një legjislacion tatimor/doganor pa shumë udhëzime dhe urdhëresa shoqërohet në mënyrë domethënëse me një korrupsion të ulët.

Vendet që priren të jenë më pak të korruptuar me legjislacionin e tyre tatimor/doganor janë relativisht të lirë nga kufizimet qeveritare me udhëzime dhe urdhëresa.

Subvencionet qeveritare mund të përbëjnë një burim për rentat ekonomike; korrupsioni lulëzon nga politikat që lejojnë subvencione të shënjestruara në mënyrë të varfër të përshtaten me firmat që e meritojnë, ose me trajtimin preferencial të tyre për shkak të interesave të grupit.

Kontrollet (zakonisht për arsye politike dhe shoqërore), janë gjithashtu një burim dhe rezultat i sjelljes rentë – kërkuese. Kontrollet tatimore/doganore krijojnë nxitës për individë ose grupe për t’u dhënë rryshfet zyrtarëve që të ruajnë rrjedhën e mallrave të tilla  ose për të marrë para në mënyrë të pandershme.

Paga të ulta në shërbimin civil krahasuar me pagat në sektorin privat janë burim i korrupsionit në nivel të ulët.

Kur paga e shërbimit civil është tejet e ulët, punonjësi i shërbimit civil mund të detyrohet të përdorë pozicionin e tij për të mbledhur rryshfet si një mënyrë që plotëson qëllimet, veçanërisht, kur kosto dhe rreziku për t’u kapur për korrupsion është e/i ulët.

Ndërmjet shumë aspekteve të papajtueshme të korrupsionit është dëshmia se ai ngadalëson rritjen ekonomike nëpërmjet kanaleve të mëposhtme: prania e korrupsionit, shpesh, i bën biznesmenët të vetëdijshëm se u kërkohet rryshfet para se ata të mund të nisin një sipërmarrje dhe se pas kësaj zyrtarë të korruptuar pretendojnë pjesë nga fitimet e investimit të tyre.

Prandaj, biznesmenët e interpretojnë korrupsionin si një lloj tatimi që zvogëlon nxitësin e tyre për të investuar, ul investimin dhe vonon rritjen ekonomike në një shkallë domethënëse; atje ku kërkimi i rentës dëshmon më shumë punë përfituese se sa prodhuese, shpërdorohet talenti, sepse nxitësit financiarë ndjellin më të talentuarit dhe më mirë të arsimuarit për t’u angazhuar më shumë në kërkimin e rentës se sa në punë produktive me pasoja të kundërta për përqindjen e rritjes së vendit.

Zvogëlimi i efektivitetit të rrjedhave të ndihmës së huaj nëpërmjet shmangies së fondeve, sepse duke qenë shumë e manovrueshme, ndihma mund të përdoret për mbështetjen e shpenzimeve joproduktive dhe të kushtueshme qeveritare dhe si rezultat i kësaj, kur qeverisja gjykohet se është veçanërisht e varfër, disa vende donatore janë tërhequr nga ndihma e tyre.

Evazioni tatimor, ose pretendimi i përjashtimeve tatimore të pa vend, korrupsioni sjell humbjen e të ardhurave tatimore.

Zvogëlimi i mbledhjes së tatimeve ose i rritjes së shpenzimeve publike, bën që korrupsioni të çojë në pasoja të kundërta buxhetore dhe shkakton gjithashtu probleme monetare në qoftë se merr formën e huadhënies pa vend nga institucionet financiare.

Caktimi i kontratave të prokurimit publik nëpërmjet sistemit korruptiv mund të çojë në uljen e cilësisë së infrastrukturës dhe shërbimeve publike; shtrembërimi i përbërjen së shpenzimeve qeveritare, sepse i tundon zyrtarët qeveritarë të zgjedhin më pak shpenzime qeveritare për bazën e mirëqenies publike në krahasim me mundësitë që u sigurojnë atyre rryshfete zhvatëse.

Akuzat e pafund për korruspion vërtetojnë shfaqjen e korrupsionit nëpërmjet shtrembërimit që u bëjnë pushtetarët politikave të miratuara, në mjedise jotransparente, të karakterizuara nga konkurrenca e ulët ekonomike dhe politike, tregues tipikë këto për një vend ku ekonomia po kalon një tranzicion të gjatë mbi njëzet vjeçar, ku sektorë ekonomikë të tillë si bujqësia, turizmi, industria janë pak të zhvilluar dhe ku tregje të tilla si ai i telefonisë, i energjisë, bankar, etj, janë pak konkurrues për shkak të strukturave monopoliste.

Prania e korrupsionit në qeveri është dëshmi e pakundërshtueshme se pjesa më e madhe e politikanëve ndërhyjnë për të rritur pasurinë, ose për të çuar përpara karierën e tyre dhe aspak për të korigjuar dështimet e tregut si çmimet e larta të telefonisë celulare, ngritjen e çmimit të energjisë, bukës, tarifat e larta bankare, etj, duke vërtetuar se ndërhyrja e tyre nuk bëhet për të mbledhur informacionin e domosdoshëm që të çon në marrjen e vendimeve të arsyeshme si dhe për të vënë në jetë të politikat e miratuara.

Në mënyrë të veçantë, korrupsioni tregon shenjat e keqfunksionimit institucional, që zakonisht lulëzon në një mjedis me rregulla të shumta (siç është rasti i rregullave të shumat për vendim – marrjen e dhënies së koncensioneve, të tenderave, etj), në një mjedis ku maturia e pushtetarëve mbizotëron në veprimtarinë ekonomike dhe ku qeveria cakton burimet e pakta (shpenzimet për investime publike).

Për më tepër ndodhitë e korrupsionit lidhen gjithashtu me gjasat e mbylljes së çështjeve dhe/ose ndëshkimit të të akuzuarve.

Shtrembërimi i operimit në tregjet e lira, shtypja e rritjes ekonomike dhe rritja në mënyrë regresive e vështirësisë për të varfërit janë tregues se korrupsioni i qeverisë dekurajon krijimin e bizneseve të reja legjitime private dhe, nga ana tjetër, i detyron bizneset ekzistuese të fshihen në ekonominë informale, kapitalin të largohet nga vendi dhe e mban larg kapitalin e huaj nga vendi (çka e dëshmon më së miri niveli i investimeve të huaja në vitet e fundit si dhe ankesat e firmave të huaja në lidhje me koncensionet dhe privatizimet e pronës publike).

Rrugëzgjidhja e juristëve, e ekonomistëve dhe e biznesmenëve, respektivisht, korespondojnë me ligje të reja më të ashpra dhe me masa shtrënguese më efektive të ligjeve ekzistuese për ngritjen e nivelit të konkurrencës në ekonomi ndërmjet firmave dhe shërbimit publik si dhe për një pagesë më të madhe të punonjësve të shërbimit publik.

Rrugëzgjidhja e juristëve thekson rëndësinë e kuadrit ligjor dhe juridik brenda të cilit egziston korrupsioni, sepse ligji është i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit, sepse ligji përmban rregullat se si duhet të ndërveprojnë individët me njëri – tjetrin dhe kuadrin ligjor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Por, në Shqipëri, megjithëse ekziston një kuadër i plotë ligjor programet ambicioze anti – korrupsion kanë dështuar në fazën e vënies në jetë për shkak të ndërhyrjes së politikës në përzgjedhjen dhe vendim – marrjen e individëve të strukturave të sistemit gjyqësor, të cilat duan t’i përdorin për të sulmuar, ose për t’i vënë në siklet rivalët e tyre politikë dhe, pjesërisht, për shkak të nxitësve për të paguar dhe marrë rryshfet, gjë që ka sjellë rënien e suksesit të programit anti – korruspion.

Lufta kundër korruspionit nuk ka lidhur siç duhet reformimin e shtetit dhe këtë të fundit në kontekstin e tranzicionit që lufta të theksojë si aspektet ligjore ashtu dhe ato ekonomike. Për shembull, është demonstruar se korrupsioni nuk është aq i rëndësishëm për rritjen ekonomike, kur merren në konsideratë reformat strukturore ekonomike.

Në këtë kontekst, reformave ekonomike që synojnë një bazë solide dhe stabël për konkurrencë të rritur dhe të fortë nuk u është dhënë prioriteti i duhur.

Shtrembërimet ekonomike dhe kontrollet administrative, veçanërisht, ato që përfshijnë maturi të lartë të tilla si lëshimi i licencave, lejeve, kuotave, dokumentave të doganave dhe përjashtimeve tatimore duhen eleminuar dhe/ose thjeshtëzuar, pavarësisht se shumë prej tyre kanë justifikime të forta shoqërore dhe për këtë arsye thuhet se nuk mund të eleminohen dhe/ose thjeshtëzohen, çka nuk ka lejuar zvogëlimin e maturisë burokratike dhe qëndrimet arbitrare të administratës publike.

Pasojat janë të qarta: është rritur pasiguria në mjedisin e biznesit, gjë që ka rritur koston efektive të investimit për firmat, ndërkohë që ka zvogëluar nivelet e investimit.

Besoj se kjo analizë shpjegon gjatë dhe me detaje atë që Ambasadori Lu e tha shumë shkurt.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: