Home KRYESORE Isuf Kalo: I përgjigjem shpifjeve të Hektor Peçit

Isuf Kalo: I përgjigjem shpifjeve të Hektor Peçit

27 vite nga rënia e sistemit komunist në media është përsëritur në mënyrë të shpeshtë akuza se Enver Hoxha është “helmuar” nga katër njerëzit më besnikë të tij. Ka qenë nusja e djalit të vogël të Enverit, Liljana ajo që ka marr flamurin e kësaj akuze duke fajësuar për këtë Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë, Dr Isuf Kalon dhe Sulo Gradecin, kryerojen e tij si “agjentë të shërbimeve të huaja”. Edhe i shoqi i saj, djali i vogël i Enverit, u bashkua me të shoqen në akuzën ndaj nënës së tij.

Doktor Isuf Kalo në mënyrë të qartë i ka dhënë përgjigje negative kësaj akuze të trilluar. Por ditët e fundit korit të sulmeve ndaj Prof. Isuf Kalos, i është shtuar në mënyrë të papritur edhe Hektor Peçi, i cili pat qenë edhe ai më parë për afro shtatë vite mjek i Enverit, por që ishte larguar përgjithmonë nga ajo detyrë pas një incidenti me shaka që është ruajtur misterioz me një nga pjesëtarët e familjes Hoxha.

Një vit pas largimit të Peçit prej aty, detyra e mjekut personal të Enverit, iu ngarkua kolegut të tij 12 vjet më të ri në moshë me të njëjtin stazh kohor në specialitetin e diabetologjisë, por dhe i sapo kthyer në Shqipëri nga një trajnim më i thelluar në Francë. Peçi tashmë i moshuar, duket se ende ruan brengën e largimit nga ajo detyrë dhe befas shprehu në shtyp publikisht fyerje dhe sulme personale ndaj kolegut me rreth 50 vite bashkëpunim që gjithnjë e ka cilësuar si mik.

Sulmet në gazetën ‘Panorama’ të pasqyruara edhe në gazeta të tjera ndaj Profesor Isuf Kalos vijuan për disa ditë. Sot, i ndodhur përkohësisht jashtë vendit Prof. Dr. Isuf Kalo i surprizuar ka zgjedhur t’i përgjigjet në ‘Dita’ ish-kolegut të tij.

Më poshtë letra…

 

Nga Isuf Kalo

Tungjatjeta Hektor,

Sinqerisht më ke befasuar. I ndodhur larg në një atmosferë festive plot hare miqësi e dashuri spontane mes njerëzve të këtushëm nuk po i besoja syve tek lexoja në shkronja gazete aq mllef, zili, xhelozi dhe ligësi shpirtërore që ke shprehur verbërisht e në mënyrë vulgare ndaj meje. Dukej sikur të ishin shkruar nga dikush i kapur fort me thonj nga qoftë largu…

A nuk kemi ne sëbashku më shumë se 50 vjet njohje, miqësi njerëzore dhe bashkëpunim të frytshëm profesional kolegjial? A nuk ishim bashkë për specializim në Kinë dhe a nuk vumë në kthim të dy në vitin 1966 me mbështetjen e Prof. Hoxhës gurët e parë të themelit të specialitetit të Endokrinologjisë dhe diabetit në Shqipëri? A nuk i trajnuam bashkë grupin e kolegëve tanë të tjerë më të rinj? A nuk kemi qenë në vizita miqësore në evenimentet e gëzuara dhe të trishta familjare të njëri-tjetrit? Çfarë ndodhi që kjo pa pritur u shndërrua nga ty njëanshmërisht në armiqësi?

***

Është e vërtetë që kemi një dyzinë vitesh diferencë në moshë mes nesh. Ti ishe 35 vjeç kur shkuam në Kinë kurse unë 23. Por nuk mbaj mend në një gjysmë shekulli kohë të kem bërë a thënë fjalë të ashpra apo ofeza ndaj njeri-tjetrit. Atëherë çfarë dreqin ndodhi papritur me ty Hektor? Je mirë vërtetë? E them këtë sepse tani jemi të thinjur të dy, ti 87 vjeç dhe unë 75. Jemi në moshat kur çdo gjë mund të na ndodhë në jetë, Apo jo? Vreri që ke nxjerrë duket që nuk është rishtak, por i akumuluar. Sa kohë ke që flet me vete për to? Pse je torturuar ta mbash të fshehur kaq gjatë? Unë nuk të njoh për frikacak. Të njoh për inteligjent energjik dhe pragmatik. Të pasionuar ethshëm pas armës e gjahut i dëshiruar të vrasësh gjallesa por edhe diçka tjetër përveç e përtej tyre. Ndofta fatin e padrejtë të fëminisë të ndritur me baba larg në mërgim ose ato brengat qe na bëjnë të shndërrohemi ndryshe nga si zakonisht jemi që vetëm pasi lexuam Frojdin nisem ti njohim.

Apo mos vallë dikush të ka joshur? Sepse çdo gjë ndodh në jetë, njerëz jemi Apo jo? Ti nuk je nga ata që bën gjëra kot Hektor. Sepse zbaton parimin e njohur pragmatist: ”Miqësitë nuk janë të përjetshme të përjetshme janë vetëm interesat”. Sot komercializimi jo vetëm ai profesional por edhe i vetes, i shpirtit i virtyteve dukur të shtrenjta është bërë moral dhe mënyrë jetese. Deri ndryshkësirat e harruara në honet e kujtesës ndodh të nxirren dhe të shiten si skrap tek blerës që i shkrijnë dhe i riformatojnë siç u pëlqejnë konjukturave.

Është megjithatë e drejta jote kolegu im të mos përgjigjesh në këto pyetje dhe po kështu që të bësh ato zgjedhje që dëshiron në jetë. Por unë po t’i përmend këto jo për kuriozitet, por sepse ti ke shkelur rëndë (me ose pa e ditur ) një kod të shenjtë të profesionit mjekësor. Atë të respektit të detyruar etik ndaj kolegut.

Mjekët mund të kenë pakënaqësi, qejfmbetje konkurrencë, zili deri dhe urrejtje mes tyre si individ njerëzor por ai kod nuk lejon asnjë prej tyre të atakojë publikisht me ose pa fakte për asnjë arsye një koleg të tij lidhur me aftësitë apo performancën e tij profesionale. Mjekësia është si familje, rregullohet në mënyrë autonome. Ajo i evidenton i debaton e i zgjidh debatet e mos marrëveshjet brenda saj. “Vërejtje kritika e sugjerime apo opinione janë të mirëpritura nga vartësit ndaj shefit në interes të punës, por ti Hektor të tilla nuk ke bërë hapur ndonjëherë. Vlerësimet e aftësive profesionale lejohen t’i bëjnë vetëm strukturat dhe institucionet e autorizuara që lëshojnë licencat dhe certifikata. Jo kapadai narçizist të dashuruar me veten dhe që u dhembin sytë kur shohin një tjetër koleg më të zot sesa ata. Perse nuk ke ruajtur në mendje asnjë sukses dhe lajm të mirë për specialitetin tonë? Të ka mërzitur apo gëzuar progresi dhe transformimet që u bënë në specialitetin tonë kur në vitin 1990 iu akordua nga Federata Botërore e Diabetit çmim nderi për to? Vlerësime të aftësive profesionale të mjekëve bëjnë edhe drejtuesit për vartësit direkt të tyre bazuar në standarde dhe tregues dhe jo me emocione subjektive. Vlerësim i tillë është bërë edhe nga unë për ty Hektor në periudhën kur isha zyrtarisht shefi yt. Them zyrtarisht sepse asnjë herë nuk të kam trajtuar si vartës por si bashkëpunëtor dhe koleg të vlefshëm me të njëjtën eksperience si unë. Ai vlerësim nuk ka qenë fare pa njolla por sot nuk është fjala për to.

Është një e drejtë e deontologjisë profesionale kjo Hektor që, ti e ke shkelur brutalisht nën vrullin inatçor që të ka kapluar. Ky është një nga aktet paprecedentë në mjekësinë shqiptare. Është shembulli më i keq për mjekët e ardhshëm që po edukohen në këtë klimë armiqësie dhe konfliktualieti të skajshëm.

***

Prandaj ndjehem i befasuar sot kur me kaq vonesë po shprehesh në gazeta jo në të mirë të punës por për të nxirë dhe baltosur atë që paske urryer me xhelozi dhe shpirtligësi. Pse anashkalon 15 vjet të veprimtarisë time si drejtues programi shëndetësie (OBSH) për diabetin dhe vlerësimet që kanë bërë profesionistët jo inatçorë atje?

Unë isha atje jo thjesht si Isuf, por dhe si shqiptar dhe si koleg i juaj, apo edhe ti beson si një “pinjoll i paarrirë i Bllokut se nuk kam fituar aty konkursin dhe që OBSH ka pranuar të më punësojnë nën ”diktatin e një telefonate urdhëruese të Ramizit?” Ai i vockël i pa arrirë i Bllokut nuk e di që krah hapur është pritur të banojë e punojë si specialist në SHBA edhe Dr Li ndonëse pat qenë mjeku personal dhe më i preferuar i Mao Ce Dunit. Po aq me meritë dhe respekt i janë hapur dyert e veprimtarisë shkencore në universitete angleze dhe amerikane Viktor Çausheskut, djalit të madh të diktatorit, një shkencëtar i pasionuar ky e pa ndonjë implikim në bëmat e të atit. Vlerësimet sipas biografisë politike, apo sipas keqbërjeve të prindërve a të pacienteve ish diktatorë janë paranoja atavike që edhe vendet që i kanë patur ka shumë kohë që i kanë lënë pas. Përndryshe as diktatori aktual i Koresë së Veriut nuk do ishte pranuar të shkollohej dhe diplomohej në Zvicër.

***

Hektor, ti më habit me fantazinë tënde të ndezur A me thua te lutem ku , kur e kujt me ke dëgjuar të kem thënë gjoja “me urdhër nga lartë”? Më thuaj kë të falënderoj “lart”? Përse mashtron? Në moshën tonë, e zeza e flokëve në kokë zëvendësohet me thinjat e bardha. Kështu duhet të ndodhë edhe në zemrat dhe ndërgjegjet tona. Edhe ato duhet të bëhen të bardha. Pastroji ato Hektor nga ligësia, trillimet e smira sa është koha.

Asnjëherë në jetën time nuk kam kërkuar post politik, shtetëror, partiak a parlamentar. As kam pasur të tilla në jetën time përveç atyre profesionale. Nuk kam pasur asnjë të afërm, krushk a mik familjar që të më ketë favorizuar. Gjithçka e kam arritur falë veprimtarisë time në fushën e mjekësisë. Jam krenar që isha i pari mjek shqiptar që u punësua me konkurs të hapur të dokumentuar në stafin permanent të OBSH, madje në post drejtues departamenti. Jam përpjekur ta kryej atë me sukses, me shumë kreativitet sesa paraardhësit. Edhe si nder për mjekësinë e vendit tim. Askush “nga lart “nuk më ka ngarkuar detyra përveç Hysni Kapos kur me njoftoi emërimin si mjek personal i Enverit, por kjo as më pat vajtur në mend ta shpresojadhe aq më pak ta kërkoja.

***

Në vrerin tënd ke shtuar dhe gabimin diagnostik me Sokolin të ndodhur 42 vjet më parë. Je mjeran Hektor Më dhimbsesh. Kujton se me poshtëron para publikut e të sëmurëve të mi të sotmen apo më kompleksion me këtë? Ndoshta ti nuk e di, por në konceptin e mjekësisë moderne ka një parim të ri që thotë “Nuk është gabim të gabosh. Gabim është ta fshehësh dhe të mos mësosh prej tij.” Të tilla gabime në mjekësi ndodhin jo rrallë por quhen “gabime të bardha.” Thjesht për të sqaruar publikun, duhet të them se diagnoza e Sokolit ishte e natyrës kirurgjikale. Që ditën e parë, kur pacienti u ankua bazuar në shenjat dyshova për apendicit akut dhe thirra menjëherë për konsultë prof. P.G, një nga më të shquarit e asaj kohe. Nëse Sokoli nuk do që ta kujtojë këtë fakt, ai gjithsesi nuk është vështirë të verifikohet. Ishin kirurgët jo unë, as Prof. Hoxha që e vonuan diagnozën dhe operimin. Në fund të fundit, për fat të mirë të pacientit dhe të ne mjekëve përfundimi ishte i mirë. Prof. P.G., Prof F.Hoxha (ky fare pa faj) dhe unë morëm të tre vërejtje pa pasoja të tjera.

Megjithatë deri sa ndodhi një vonesë që nuk duhej të ndodhte, unë për aq sa më takonte e kam pranuar pa mëdyshje përgjegjësinë. Dhe  e kam vuajtur shpirtërisht me aq shume dhimbje sa me kane pas ngushëlluar edhe vet ata  As Sokoli e as Liljana, as pjesëtarë të tjerë të familjes atëherë nuk e humbën besimin tek unë si mjek. Përkundrazi, pas atij episodi miqësia e familjarëve të Enverit bë si asnjëherë më parë me mua e ngrohtë dhe e ngushtë. Nuk kaloi shumë kohë dhe vetë Enver Hoxha bëri diçka që dukej e pabesueshme ndaj një personi të larguar prej tij. Ai kërkoi personalisht të më gjenin dhe të më risillnin pranë tij në Pogradec ku ishte për pushime. Ai më takoi aty mjaft përzemërsisht, më kërkoi ta vizitoja që atë natë dhe të vazhdoja përgjithnjë si mjek personal i tij deri sa të ndërronte jetë.

Por krejt ndryshe ndodhi me ty Hektor. Në rastin tënd,masa për ty ishte jo thjesht vërejtje, Ishte largim definitiv i pakthyeshëm. Shkaku u mbajt si tabu e fshehtë Ajo çka pat ndodhur nuk duhej askund e nga askush të përmendej dhe as emri yt, As me nostalgji as me urrejtje. As ti nuk më ke treguar dhe as unë nuk të kam pyetur. Por nëse ka qenë ndonjë nga ato mrekullitë profesionale që vetqm ti ishe i zoti ti kryeje do e kishe trumbetuar ose sëpaku nuk do kishte arsye që të mbahej i fshehur. Apo Jo? Dhe pse për 35 vjet ti vet nuk e kërkove arsyen e atij largimi që të paska dhembur aq shumë? Mos vallë ishte frika mos hapej kapaku?

***

Lidhur me gjoja ”shëndetin e mirë” pa komplikacione e të shkëlqyer të Enverit, deri në vitin 1972 kur ishe mjek i tij, jo rastësisht ti e përmend këtë me mburrje. Së jashtmi një i sëmurë me diabet që pat vuajtur atëherë prej 25 vitesh mund që ashtu dukej, por jo kot Sant Exybery ka thënë që ”esencialia nuk shihet dot me sy”. Në vitin 1972 Enveri kishte shumë vite që vuante nga Diabeti, jo gjithmonë ishte mbajtur niveli i sheqerit siç duhej. Ai kishte komplikacione në sy, por pavarësisht nga aparenca e jashtme kishte jashtë kontrollit të gjithë paketën e faktorëve të rrezikut, që e kërcënonin për komplikacionet e rënda në zemër dhe në tru. Ai ishte me mbipeshë trupore, pinte 60 cigare në ditë, nuk respektonte rigorozisht dietën e bënte jetë sedentare, pa veprimtari fizike të përditshme e punë mendore intensive. Ishte gjithë kohën nën stres psikologjik dhe bënte gjumë jo gjithmonë të qetë. Ai është ankuar që atëherë për shenja të dyshimta të sëmundjes koronare të zemrës, por asnjë provë e ngarkesës me biçikletë nuk qe bërë për ta verifikuar.

Euforia e shëndetit, gjoja shumë të mirë të tij kishte krijuar konkluzionin entuziast që “zemra e tij ishte çelnik”. Infarkti që u shfaq pak muaj më pas ishte fundi i teatrit me “zemrën shkëmb graniti”. Mjekësia jonë, as ajo e klinikës së udhëheqjes nuk ishin mirë të pajisur, as mirë të specializuara deri atëherë që të përballej me epokën e re të sëmundjeve koronare si epidemi. Rrethanat e reja imponuan kalimin nga koncepti i kujdesit shëndetësor ndaj udhëheqësit me një “mjek të vetëm personal” në atë të një ekipi mjekësor me ekspertizë komplekse dhe vendimmarrje në kolegjialitet.

***

Së fundi Hektor po përsëris për të fundit herë, jo personalisht për ty, por për të gjithë ata qytetarë shqiptar që mund jenë viktimë e keqinformimit se, as unë e askush tjetër nuk e ka helmuar Enver Hoxhën. Teoria konspirative me këtë subjekt është fantazi e qëllimshme keqbërëse. Ai pati vdekje natyrale nga sëmundjet e verifikuara imtësisht. Nuk është e vërtetë fabula paranojake e gjoja agjentëve të përgojuar të UDB dhe KGB. Nuk është e vërtetë që unë si mjek personal kam shkuar i vetëm në Paris a pata blerë dhe sjellë barnat e Enverit “me helmin misterioz” që nuk e zbulon dot asnjë analizë. Është gënjeshtër fund e krye pa asnjë fakt. Mjeku nuk është furnitor barnashBlerja e barnave të tij bëhej nga oficerët e sigurimit nën drejtimin dhe përgjegjësinë e Sulo Gradecit. Ai e ka deklaruar qartas këtë disa herë sa kohë ishte gjallë. Asnjëherë dhe asnjëri nga mjekët e ekipit mjekësor të Enverit nuk ka parë e as dyshuar për shenja helmimi, dhe as gjatë autopsisë së tij nuk janë gjetur gjurmë qoftë dhe të dyshimta.

Ndërkohë janë manipulime dhe shpërdorime tentativat për “pronësimin dhe monopolizimin” e Enverit si person si udhëheqës, jetës dhe vdekjes së tij nga cilido prej familjarëve. Enveri askënd nga ata nuk e donte dhe çmonte më shumë se sa pjestarët e tjerë të familjes. Një fjalim në letër ai la vetëm për Nexhmijen me vlerësime maksimale për përkushtimin dhe mbështetjen që ajo gjithë jetën i dha. Legjenda e Enverit të vrarë a të vdekur u përdor për protagonizëm dhe daljen nga anonimati ku përfunduan pas rënies nga maja ku i pat çuar fati.

Por Enveri nuk i ishte as vetëm i Nexhmijes, as i djemve, as vajzës së tij, as nuseve dhe motrave apo nipërve e mbesave. Ai i takonte dhe ende takon për mirë a për keq Shqipërisë, kombit shqiptar dhe historisë së tyre.

Ai ishte koshient që fizikisht do të vdiste, pashmangshmërisht një ditë. Ato çka ai dëshironte që të mos vdisnin, që të vazhdonin e të mbeteshin brez pas brezi të përjetshme ishin kauza, ideologjia, etika, parimet, modeli i “njeriut të ri” dhe figura e tij. Ai synonte qe ato të ruheshin e mbroheshin si të përjetshme. Për fat te keq Enveri i pa ato sa qe gjallë që të dështonin para syve të tij nga brenda familjes me se pari nga ndonjë nga të TIJËT.

Ata që e kanë përjetuar atë kohë e dinë mirë se cili nga ta mori flamurin e ekstravagancës dhe veshjes firmato ndërkohë që Enveri predikonte thjeshtësinë proletare, Cili a cila mbushi e para duart me unaza e byzylykë në vend të kallove dhe grasos të klasës punëtore, cili a cila lakmoi e zuri poste e zyra luksoze me makinë shofer në dispozicon kur Enveri predikonte “njeriun e ri” shkonte në frontin e vështirë në miniera a kooperativa bujqësore, cili a cila nga ta ndryshe nga sa predikonte dhe bënte vet Enver në vend ti zgjidhte problemet shëndëtesore me mjekët e vendit insistonin të fluturonin në Paris a gjetkë, cili a cila nga ata i vinin në sirtar të biblotekës luksoze të tyre veprat e shkruara e dhuruara nga Enveri pa ja hapur atyre as fletët ndërkohë që Enveri dëshironte ti edukonte si maksist siç të bënin punonjësit e komunistët tjerë anë e mban vendit.

Enveri e donte familjen e tij të mbetej e shëndoshë, modeste dhe e të bashkuar, si model i unitetit të popullit e të gjithë shoqërisë. Cili a cila përkundrazi ia bënë atë familje përshesh e nxorën pa skrupull në pazar me akuza agjenturale, zënka, ambicie, rivalitete, intriga, për sa më shumë privilegje dhe influencë e gara për përfitime.

Enveri përmbysi aristokracinë, por ajo i mbiu se pari para syve brenda një apartamenti të shtëpisë së tij. Enveri u helmua jo në trup por në shpirt Ju helmuan ëndrrat, shpresat ato që pat besuar dhe ato për të cila ishte përpjekur më kot për 40 vjet si idealist utopist Njeriu i ri i tij lindi si ide në Bllok dhe falimentoi se pari po aty Këto “helme” Enveri i mori më vete në varr, së bashku me iluzionet e dështuara të kauzës e ideologjisë dhe përjetësisë së tij. Ato vërtetë janë helme që nuk dektohen me analiza kimike. Autorët prandaj bëjnë sikur po kërkojnë helme në barna apo të tjera.

***

Hektor, koleg i im i hershëm, pata besuar se do ishim edhe miq për jetë, por ti bëre zgjedhje tjetër befasisht. Sidoqoftë të vaftë mbarë. Njerëzit në fund të jetës, siç jemi tani kandidatë ne të dy, sipas filozofit francez Leknoir kanë dy opsione të ndarjes prej saj: Ose të vdesin së pari fizikisht, por jo shpirtërisht dhe bëhen përgjithnjë “të vdekur të gjallë”, ose vdesin që në gjallje shpirtërisht dhe rrojnë gjatë kohës fizikisht si të vdekur. Unë për mirë a për keq e kam zgjedhur për veten time, të parën.

Siç thash ne hyrje njerëzit këtu po festojnë këndojnë në grup në sheshe e supermarke të të zënë dorë për dore. Fëmijët me kapuç të kuq në kokë me shporta të vogla në dorë shpërndajnë çokollata për kalimtarët kurse përpara dyqaneve pronarët u ofrojnë falas kujtdo GLUK njëlloj vere e kuqe kjo e ngrohtë me copëza bajamesh brenda që bëhet vetëm gjatë kësaj feste për t’u ngrohur shpirtrat. Kjo atmosfere njerëzore, Hektor më magjeps e më bën të të uroj edhe ty: Gëzuar dhe mot më i lumtur. Përqafoji nga unë së largu Milikën, Nilën dhe Kolin.

 

Share: