Home KRYESORE Mosha ime ...

Mosha ime Nga Jose Saramago

Përktheu Elona Caslli

Jam në atë moshën, ku gjërat shihen me qetësi por pa e humbur qëllimin për t’u rritur.
Jam në atë moshën, ku ëndrrat përkëdhelen me duar dhe iluzionet bëhen shpresë.
Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria, është një hov i çmendur dhe plot ankth, që digjet nga dëshira për jetë dhe pasioni i shumëpritur.
Jam në atë moshën, ku ndonjëherë dashuria është si një qoshk qetësie, si një perëndim dielli në plazh.
Sa vjeç jam? Nuk kam nevojë t’i tregoj me një numër , pasi dëshirat e përmbushura, lotët e derdhur gjatë udhës, teksa shihja iluzionet e mia tek humbisnin, vlejnë më shumë se një numër.
Çfarë rëndësie ka nëse mbush 20 vjeç, 40 vjeç apo 60 vjeç !
Ajo, që ka me të vërtetë rëndësi, është mosha që unë ndiej.
I kam aq vite mbi shpinë sa për të jetuar i lirë dhe pa frikëra.
Për ta vazhduar pa frikë udhën time sepse kam me vete përvojën dhe forcën e ëndrrave të mia.
Sa vjeç, jam unë?
Kujt i bëhet vonë!
I kam aq vite mbi shpinë sa për ta braktisur frikën dhe për të bërë çka dua dhe çka ndiej.

 

Share: