Home KRYESORE Mund të jetë bir kur**, por është i yni!

Mund të jetë bir kur**, por është i yni!

Nga Gentian Gaba

Anastasio Somoza ishte politikani, gjenerali dhe diktatori nikaraguan, nga 1937 deri në 1947, themeluesi i një dinastie politike që do të mbante peng vendin e Amerikës Qendrore deri në fund të viti 1979.

Edhe pse qeveria e tij ishte represive dhe e korruptuar, Shtetet e Bashkuara e shihnin diktatorin si burim stabiliteti për rajonin, sidomos në kontekstin e “Luftës së Ftohtë” ku rreziku “i kuq” shihej me shumë shqetësim.

Është bërë e famshme një thënie për Somozën që i atribuohet Presidentit amerikan Roosevelt: “Mund të jetë një bir kurve, por është i yni”. Kjo frazë është emblematike për dinamikat e marrëdhënieve ndërkombëtare; për realizmin që dominon këtë sferë delikate të marrëdhënieve midis shteteve, dhe zgjidhjeve që fuqitë e mëdha bëjnë për hir të projekteve të tyre në një rajon të caktuar, paçka kjo mund të jetë apo jo e pranueshme për qytetarët e atij vendi.

Europa, një tjetër ‘kështjellë e demokracisë’ që i dorëzohet ligjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ka “flirtuar’ me diktatorët-xhandarë të Afrikës Veriore, nga Gaddafi te Ben Ali, nuk ka qenë një zgjedhje luksi, thjesht një domosdoshmëri gjeopolitike.

Thënë kjo, atyre që ‘buzëqeshja europiane’ për Ramën u erdhi si surprizë, dhe deklaratat e Juncker iu tingëlluan si orwelliane, pra përmbysëse të çka ndodhur vetëm në tre muajt e fundit në këtë vend: qetësohuni, është thjesht politikë ndërkombëtare! Lajmi i mirë për të tonë ardhmen europiane, jo detyrimisht do të thotë se Europa nuk i di fajet e kryeministrit, thjesht për ata ai “mund të jetë bir kurve, por është i atyre”.

Ndonëse Shqipëria nuk është Nikaragua, Rama nuk është Somoza, dhe mbi të gjitha zonja Aneta është një grua e nderuar; politika e jashtme vijon të mbetet e ankoruar në rregulla atavike që bazohen mbi pushtetin dhe jo mbi idealizma naïve. Kështu ka qenë në kohën e Tuqididit, në kohën e Skënderbeut dhe kështu do të jetë deri sa të ketë jetë në këtë tokë.

Perandoria burokratike që është Europa, nuk pyet për Balilajt, Habilajt, sasinë e hashashit, cilësinë e qeverisjes; ajo ka nevojë për dokumenta, letra, raporte, mbledhje, programe, aktivitete të shoqërisë civile (paçka reale apo fiktive), statistika që dëshmojnë se çdo gjë që qytetarët e vendeve anëtare po financiojnë, është një projekt fitues. Sidomos duhet që Bashkimi Europian të prodhojë lajme të mira, të japë një mesazh pozitiv për ne dhe për veten si organizatë ndërkombëtare.

Përpos kësaj ka nevojë të mbushë boshllëkun e lënë nga Brexit, sidomos të mos lejojë që ky vakuum, në këtë rajon, të mbushet nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë; sidomos Rusia, që ndonëse nuk është më rreziku i “kuq”, vijon të mbetet një kërcënim gjeopolitik.

Kjo është e gjitha. Kështu janë marrëdhëniet ndërkombëtare; kështu është Europa dhe nevojat e saj strategjike; i tillë është konteksti në të cilin hyn deklarata e Juncker; pra edhe Kryeministri, bashkë me qeverinë, vazhdojnë të jenë ata që kemi njohur në këto katër vite e gjysëm.

Distanca midis Tiranës dhe Brukselit vijon të mbetet e njëjta, po ashtu edhe strategjia politike e Ramës, i cili kërkoi të kapitalizonte deklaratën e Junker duke e sjellë në Kryeqytet si një “kalë Troje” në dyert e Opozitës.

Do të ishte një gabim nëse Basha dhe liderët e tjerë do të sugjestionoheshin nga qëndrimet e burokratit europian; lajmi i mirë që erdhi për Shqipërinë, nuk është një lajm i keq për Opozitën.

Rama mund të bëjë politikë me deklaratën, por opozita nuk mund të bëjë një marrëveshje për shkak të saj./360grade.al

Share: