Home KRYESORE Ndalim-udhëtimi i myslimanëve, Gjykata Supreme mbështet kërkesën e Trump

Ndalim-udhëtimi i myslimanëve, Gjykata Supreme mbështet kërkesën e Trump

Gjykata supreme në Shtetet e Bashkuara, i dhuroi të hënën një fitore presidentit Donald Trump, pasi i hapi udhën urdhrit të tij të ndalimit të udhëtimit në SHBA të personave nga 6 vende me shumicë myslimane, që të marrë fuqi të plotë edhe nëse sfidat ligjore vijojnë në gjykatat më të ulëta.

Gjykata Supreme, me dy nga nëntë gjykatësit e saj që kundërshtuan, mbështeti kështu kërkesën e administratës së presidentit për të shfuqizuar dy vendime të gjykatave më të ulëta, që pjesërisht kishin bllokuar urdhrin ekzekutiv të Donald Trump, më saktë, versionit të tretë të një politike të shumë-polemizuar që vetë presidenti tentoi ta implementonte vetëm një javë pasi u ul në zyrën ovale, në janar.

Urdhri që ka në shënjestër udhëtarët nga Chadi, Irani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, vazhdon sidoqoftë të përballet me sfida ligjore. Gjykatësit e gjykatave më të ulëta, që e kishin bllokuar atë, kishin cituar përshkrimet e Trump gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 2016-ës, që fliste për një ndalim të myslimanëve.

Urdhëri i Trump përfshin në fakt edhe personat nga Koreja e Veriut dhe disa zyrtarë nga Venezuela, por gjykatat më të ulëta i kishin përjashtuar këto kategori nga vendimet e tyre. /360grade.al

Share: