Home KRYESORE Negociatat e BE-së me Britaninë e Madhe para shkëputjes përfundimtare

Negociatat e BE-së me Britaninë e Madhe para shkëputjes përfundimtare

Përgatiti Diana Skrapari

Marrëveshja për të hyrë në fazën e dytë të negociatave mbi Brexit, mbi marrëdhëniet tregtare të ardhshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, duhet të miratohet në Këshillin Evropian javën e ardhshme. Theresa May dhe Jean-Claude Juncker kanë biseduar mbi kushtet e largimit britanik dhe hapën rrugën për një diskutim mbi të ardhmen e marrëdhënieve midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, një hap vendimtar për të ardhmen politike të Kryeministres.

Takimi vendimtar i Brukselit u mbajt sekret, por ai jep përgjigje për dy pyetjet që kishin bllokuar diskutimin për javë të tëra. Së pari, natyra e kufirit të ardhshëm midis Irlandës së Veriut, territor britanik dhe Republikës së Irlandës, e cila do të mbetet në BE. Pastaj garancitë për mbajtjen e 3.2 milion evropianëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministrja dhe presidenti i Komisionit konfirmuan se negociatat për ndërprerjen – faza e parë e negociatave – nuk mund të kishin arritur “pa kompromis” ose “koncesione” nga të dyja anët. Që nga referendumi i vitit 2016, ishte hera e parë që Theresa May dhe Jean Claude Juncker, aktorët vendimtarë të shkëputjes, u përgjigjën së bashku pyetjeve të shtypit. Kryeministrja siguroi se “nuk do të ketë një kufi ndarës të vështirë” midis dy gjysmave të Irlandës, por ajo nuk pranoi të japë të dhëna konkrete. Ajo duhet të kthehet në Londër në mënyrë që të jap më shumë detaje për mazhorancën e saj dhe për irlandezët e veriut.

“Jam i bindur se është bërë përparim i mjaftueshëm për çështjet irlandeze. Parametrat janë vendosur dhe ato janë të mira, “tha kryeministri irlandez Leo Varadkar.

Jean-Claude Juncker, nga ana e tij, nuk ka insistuar në angazhimet e palës britanike për të ruajtur, në kushte të njëjta, emigrantët evropianë në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe Presidenti i Komisionit nuk bëri drejtpërdrejt kërkesën e BE-së numër 1: Mbrojtjen e tyre ligjore post-Brexit dhe përfundimisht, nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian. Londra e ka kundërshtuar ashpër atë, në emër të sovranitetit të saj të ri.

Marrëveshja “paraprake” e lidhur këtë mëngjes duhet të sanksionohet zyrtarisht nga 27 kryeqytete të tjera, ndoshta në samitin tjetër të BE-së, pas 6 ditësh. “Ne do të duhet të kemi versionin përfundimtar të marrëveshjes së tërheqjes të gatshme për në tetor 2018, në më pak se një vit”, tha kryenegociatori i Brexit Michel Barnier. Faza e dytë nuk duket më e lehtë. “Të gjithë e dimë se ndarja është e vështirë, por ndarja dhe ndërtimi i një marrëdhënieje të re është edhe më e vështirë”, tha Donald Tusk./Perqasje.com

 

Share: