Ambasada gjermane me anë të një njoftimi, ka lajmëruar se për azilkërkuesit shqiptar të cilëve u është refuzuar qëndrimi, duke nisur që prej datës 1 dhjetor nuk do të ketë më asnjë lloj financimi. Në njoftim sqarohet se Shqipëria është një vend i sigurt i origjinës, ndërsa kërkesat për azil nga shqiptarët refuzohen në çdo rast.
Njoftimi:
“Azilkërkuesit me shtetësi shqiptare në Gjermani, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, duke nisur nga data 1 dhjetor 2017 nuk mund të marrin në konsideratë asnjë mbështetje të mëtejshme financiare apo asistencën financiare për kthim”, tha Ambasada në një sqarim në rrjetet sociale.
“Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës: kërkesat për azil nga shtetasit/et shqiptarë/e – sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – përpunohen me procedura të përshpejtuara dhe refuzohen praktikisht në çdo rast. Azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen në Shqipëri dhe mund të dënohen me ndalim hyrjeje në të gjithë hapësirën e vendeve Schengen për një periudhë, që mund të zgjasë deri në pesë vjet, nëse ata nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre por kthehen forcërisht në Shqipëri”, tha Ambasada.