Përktheu Elona Caslli
Znj. Streep a ju pëlqen të gatuani në shtëpi?
Ka netë që më pëlqen, ka netë të tjera që nuk më pëlqen. Mund të filloj të gatuaj dhe të them , “ O Zot!” dhe ta hedh në lavaman. E kam bërë dhe kam thënë “ Marrim pica dhe mbarojmë punë”. Pastaj shkoj shtrihem në dhomën time e mërzitur. Kur i kisha fëmijët e vegjël dhe punoja, kisha punësuar dikë që merrej me gatimin. Tani gatuaj vetë. Ka disa vite që merrem vetë me gatimin. Por, kur fëmijët ishin të vegjël, e kisha tejet të vështirë t’i ndihmoja për detyrat e shtëpisë dhe në fund të ditës të bëja darkën.
Cili është specialiteti juaj në gatim sot?
Kohët e fundit, kam bërë shumë makarona. Ka shije të veçanta që mund të krijosh. Gatuaj, sepse fëmijëve të mi u pëlqen një gatim i caktuar dhe duan ta hanë pambarimisht atë. Vajzës sime i pëlqejnë makaronat me lulelakër, me majdanoz të freskët, me dragua dhe me gjizë me kripë. Zihet lulelakra , pastaj i hedh makaronat në ujin e lulelakrës dhe i lë në zjarr derisa makaronat të marrin shijen e lulelakrës. Më pas i përzien në tigan të gjithë përbërësit e freskët.
Si i kombinoni energjitë e shumta që kërkon karriera me mëmësinë?
Së pari, kam një bashkëshort të mrekullueshëm, që e kam takuar shumë vite më parë dhe kam qenë me fat për këtë gjë. Së dyti , duhet të kesh shumë nerva të forta dhe dhunti për t’i organizuar gjërat. Ndonjëherë, më duket sikur drejtor një biznes timin ndonëse nuk e kam një të tillë.
Si ndiheni për fëmijët tuaj që duan të merren me aktrim?
Jam krenare që vajzat e mia, duan të merren me aktrim. Por, jam e frikësuar njëkohësisht, sepse kur përballesh me kritikën si aktore, kritika nuk gjykon shkrimin tënd, pikturën tënde apo veprën tënde të artit. Kritika të gjykon ty dhe është shumë e vështirë të gjesh një pjesë të vetme brenda vetes ku nuk je lënduar nga kjo kritikë. Kjo është frika më e madhe që kam për to. Por, nuk do t’u thoja kurrë mos të merreshin me aktrimin sepse mendoj se është një profesion i mrekullueshëm, të cilit i jam mirënjohëse, sepse përmes tij kam shprehur shumë gjëra.
Kam përshtypjen se jeni gjithmonë e lumtur. Është e vërtetë apo është vetëm imazhi juaj publik?
Nuk jam gjithmonë e lumtur. Jam e lumtur përpara shtypit. Ka raste që jam shumë e zymtë. Pyesni tim shoq (Qesh)
Çfarë ju lumturon?
Ajo që me të vërtetë më lumturon është shumë e thjeshtë: dashuri, seks dhe ushqim! Gjithçka tjetër është – pushtet, influencë, forcë- me pak fjalë gjëra që mund ta mbysin thelbin e jetës. Për sa kohë ke ushqim, një strehë dhe gjërat që të nevojiten, ajo çka të lumturon është shumë e thjeshtë.
Ky këndvështrim ka të bëjë me mënyrën se si rritesh. A ngjani shumë me mamanë tuaj?
Mamaja ime ishte një njeri, që kur hynte brenda një dhome, sillte dritën me vete. Ajo zinte miq shumë shpejt dhe përcillte entuziazëm dhe gëzim. Do të doja t’i ngjaja më shumë mamasë sime. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë atë. Ajo zgjodhi të shihte anën e mirë të jetës dhe nuk pa kurrë të meta, pengesa apo gjëra negative.
A Keni patur zili dikë në jetë?
Oh, po! Kam patur zili Jesica Lange kur luajti në Sweet Dreams. Ishte një film aq i arrirë! Ajo ishte e përsosur në atë film. Kam dëshiruar gjëra që nuk i patur, por megjithatë kam qenë shumë e bekuar ndaj nuk ankohem.
Sophia Loren, dikur tha se ju urrente, sepse falë talentit tuaj, i kishit grabitur rolin tek filmi – “Urat e Medison Kauntit”
Nuk mendoj se Sophia më urren, sepse takimi im i parë me të ka qenë në ndarjen e fundit të çmimeve Oscar dhe më dha një përqafim të mrekullueshëm dhe më lumturoi pa masë. Jam fanse e saj dhe e admiroj shumë . Unë dhe im shoq e kemi admiruar gjithmonë.
A ju pëlqen imazhi juaj si aktore dramatike?
Kam bërë gjëra të ndryshme gjatë udhës sime. Në cilindo film që shfaqesh për herë të parë, sido që njerëzit të të perceptojnë, filmi i parë, është si përshtypja e parë që lë dikush, kur troket tek një derë dhe kjo përshtypje të shoqëron gjithmonë. Rolet e mia të para kanë qenë në pjesë dramatike në Shkollën e Artit Dramatik por asnjëherë nuk kam luajtur në një dramë të mirëfilltë. Prit , se tani m’u kujtua. Kam luajtur tek pjesa Babai rolin e vajzës. Të gjitha pjesët e tjera për një periudhë tre vjeçare kanë qenë komedi. Ashtu ishte koha atëherë.
Ju keni punuar me elitën e Hollivudit. Cili është regjisori juaj i preferuar?
Unë nuk kam një regjisor të preferuar ashtu si nuk kam ngjyrë të preferuar apo ushqim të preferuar. Mua më pëlqen gjithçka. Ka patur regjisorë, me të cilët nuk më ka pëlqyer të punoj, por në pjesën më të madhe të rasteve gjatë karrierës sime kam qenë shumë e përkëdhelur sepse kam punuar me regjisorët më të mirë.
A ekziston dikush me të cilin nuk keni patur rastin të punonit por që do të donit të punonit?
Po, do të doja që Martin Scorcese të interesohej për një personazh femëror, një herë të vetme , por nuk jam e sigurt nëse do jetoj aq gjatë. Ka edhe shumë regjisorë të mrekullueshëm, me të cilët do të më pëlqente të punoja përsëri. Më pëlqen shumë Spike Jonze. Më ka pëlqyer puna me Wes Anderson, por unë isha Dhelpra atëherë dhe do më pëlqente të punoja me të, në cilësinë e njeriut.
A ka ndonjëherë e madhja Meryl Streep, frikë nga rolet?
Nuk mund të kesh frikë në punë. Mund të kesh frikë në një Konferencë Shtypi, të jesh nervoze, të djersitesh, por nuk mund të kesh frikë në punë pasi nuk funksionon kështu.
A nervozoheni ndonjëherë?
Nervozohem shumë gjatë kohës që më duhet të mendoj për diçka ndaj qëllimisht nga njëra punë tek tjetra nuk i lë vetes pushime të gjata. Zakonisht bëj një pushim të shkurtër dhe rifilloj punën.