Home KRYESORE Prag Krishtlindjeje… Nga Irma Kurti

Prag Krishtlindjeje… Nga Irma Kurti

Ti këtë mbrëmje je duke i rënë kitarës
në një skenë të improvizuar me shokë,
gishtat e tu dridhen më shumë se telat
mbështjellë nga acari i dimrit të ftohtë.

Nuk munda të vij dhe pse jemi pranë,
të shëtisja atje këtë prag Krishtilindjeje,
më mirë të them, s’doja të shihja erën
teksa fytyrën tënde pa mëshirë e rrihte.

Ti pret kalimtarët të ndalin, të dëgjojnë,
shumë prej tyre ikin, zhduken në heshtje.
Si ndihesh tek shquan shpinat e tyre?
Indiferenca të godet si kamzhiku i erës.

Dikush ndalon, të hedh ndonjë romuz
e ti me siguri hesht o buzëqesh me zor.
Nipi im, zërin e butë e delikat të shpirtit,
ta dish, pak njerëz arrijnë që ta kuptojnë.

Njerëzit që do të dashurohen me tingujt,
ata që do ndalin hapat në atë shëtitore,
ata që do kuptojnë dridhjet e shpirtit tënd,
do të jenë aq të rrallë, sa gishtat e një dore.

Mos u trishto, kështu ndodh dhe në jetë,
do takosh njerëz meskinë e të vegjël plot,
të tjerë cinikë që do përpiqen me një fjalë
pasionin tënd për muzikën ta helmojnë.

Një ditë ti do interpretosh në një skenë
me drita verbuese e me publik elegant,
por kurrë mos e harro minikoncertin
në rrugën pa emër të qytetit, atë natë.

Sa do të doja këtë mbrëmje të isha atje,
por dije që megjithatë të mendoj shumë,
pak trishtim e mallëngjim më ngërthen,
teksa tingujt e kitarës mbërrijnë tek unë.

Share: