Situata paraqitet e rëndë në Berat, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum. Uji ka vërshuar në qytet duke depërtuar në pedonalen kryesore.
Disa familje që jetonin pranë lumit janë larguar dhe sistemuar në ambiente të tjera. Po ashtu disa banesa janë përmbytur në Urën Vajgurore. Sipas Emergjencave Civile, Berati është përfshirë në hartën e zonave që pritet të këtë përmbytje të mëdha në orët në vazhdim.
Edhe në Vlorë situata paraqitet e rënduar për shkak se fryrja e lumit Vjosë e ka rënduar situatën, duke shkaktuar probleme në disa zona.
25 familje nga fshati Fermë i Novoselës janë evakuuar për shkak se rrezikoheshin nga përmbytjet. Ata janë akomoduar në Shkollën Industriale, në Pallatin e Sportit dhe në ish-godinën e komunës Novoselë, raporton Klan.
Ndërsa rreth 7 mijë krerë bagëti janë larguar nga Novosela dhe janë dërguar në zona të sigurta. Për shkak të motit të keq, në të gjitha fshatrat e kësaj njësie administrative mungon energjia elektrike. Situata është kritike edhe në Bashkinë e Selenicës. Krahas prurjeve të mëdha të Vjosës, kanë vërshuar edhe përrenjtë.
Disa segmente rrugore ndërmjet fshatrave janë aktualisht të pakalueshme. Ndërsa në Delvinë mësohet se është rrëzuar ura që shërbente për t’u lidhur me fshatin Vanë.
350 familje mbeten tashmë të bllokuara dhe nuk kanë asnjë mundësi komunikimi me rrugën nacionale.