Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte i pranishëm sot në Elbasan në një takim me struktura të policisë së Elbasanit. Takimi në Elbasan është zhvilluar në një kohë kur situata në qytet mbetet kritike për shkak të incidenteve të ndodhura me bandat kriminale. Pas përfundimit të takimit, Xhafaj doli në një deklaratë për gazetarët.
Xhafaj u shpreh se u diskutua në lidhje me projektligjin vettingun në policisë dhe për një ristrukturim në nivel qarku dhe komisariati të strukturave të policisë. Ai pohoi se situata në Elbasan mbetet shqetësuese dhe nuk ka marrë përgjigjen e duhur, ndërsa efektivët e policisë janë ndër më të mirët që janë vendosur.
“Sikur e kam thënë Elbasani pati një situatë jo pozitive, e cila ende nuk ka marrë përgjigjen dhe zgjidhjen e duhur. Lind nevoja për ta riformatuar gjithë këtë strukturë, duhet një ristrukturim i plotë në nivel qarku dhe në nivel komisariati. Ajo që pamë ishte koncepti sesi do të bëhet ky organizim dhe pjesë e saj është edhe efektiviteti, por nuk mund të bëhen brenda orës, por duhen kohën e tyre për t’i përgatitur dhe debatuar.
Çdo gjë kërkon kohën e vet, pasi cdo gjë e nxituar nuk mund të japë eficencën. Përsa i përket cështjeve që lidhet me kriminalitetin në Elbasan, vijon që të mbetem i shqetësuar, jemi duke u marrë. Këtu janë atashuar specialistët më të mirë, janë ekspertët më të mirë që po merren me hetimin e grupeve kriminale dhe nuk mund të bëhet brenda një ditë. Çapajt nuk mund të simbolizojnë këtë qytet me vlera si Elbasani. Ata dhe të tjerë do të marrin ndëshkimin e merituar.”
Ministri u pyet nga gazetarët lidhur me faktin se pse aksioni ‘Forca e Ligjit’ nuk është ‘ndjerë’ në Elbasan.
“Brenda një pyetje ngërthehen 3-4 çështje. Jo rastësisht ky takim është në Elbasan. Pasi ky qytet pati një situatë jo pozitive kriminaliteti gjatë këtij viti. Nuk ka marrë përgjigjen e duhur. Lind nevoja për ta ribërë dhe riformatuar këtë strukturë.”, përfundoi Xhafaj.
Në lidhje me bandat kriminale, Xhafaj u shpreh se Çapja apo të tjerë si ta, nuk simbolizojnë një qytet me vlera si Elbasani.
Të gjitha këto vendime që u morrën në mbledhje sipas ministrit nuk realizohen brenda ditës por kërkojnë kohën e tyre. Në këtë takim merrnin pjesë edhe ministrat Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi./opinion.al