Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka akumuluar miliarda lekë borxhe ndaj familjarëve të viktimave dhe personave të gjymtuar në aksidente automobilistike, ndërkohë që e nënvlerëson jetën e tyre me komisione në konflikt interesi dhe refuzon ekzekutimin e vendimeve të gjykatave për dëmshpërblim.
Nga Rajmonda Lajthia | BIRN
Data 16 Janar 2016, një ditë e shtunë e ftohtë dhe me reshje shiu në Tiranë, do ta ndryshonte jetën e Alma Cukës përgjithmonë; megjithatë, ajo e konsideron veten me fat.
“Ishte mbrëmje vonë, ftohtë dhe errësirë, teksa bashkë më mamanë time ishim duke kaluar rrugën kryesore Luigj Gurakuqi në Tiranë, kur një makinë kaloi më shpejtësi dhe më përplasi fort në rrugë. M’u duk sikur për pak çaste më ndali jeta, derisa ndjeva goditjen e fortë në tokë,” kujton Alma.
“Ndërsa edhe sot më oshëtin në vesh zhurma e makinës, e cila u largua me shpejtësi nga vendngjarja,” shtoi ajo.
Makina dhe shoferi që aksidentoi Alma Cukën nuk u identifikua kurrë nga policia, ndërkohë që aksidenti i la pasoja serioze në shëndet duke i reduktuar aftësinë e saj për punë.
Alma iu drejtua për dëmshpërblim financiar Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, një institucion që trajton dëmet ndaj të tretëve në aksidente automobilistike, i cili e refuzoi kërkesën e saj. Alma nuk u dorëzua, e apeloi vendimin dhe në mars 2017 Gjykata e Tiranës i akordoi një dëmshpërblim prej 1.9 milionë lekësh plus kamatëvonesat. Megjithatë, edhe pse më shumë se 10 muaj kanë kaluar nga vendimi i formës së prerë, ai nuk është ekzekutuar ende sepse llogaritë bankare të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve janë thuajse bosh.
Rasti i Almës nuk është i izoluar. Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, tregojnë se gati 750 qytetarë që kanë fituar çështje gjyqësore ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve nuk janë dëmshpërblyer, e cila ka akumuluar nga viti 2001 deri në vitin 2018 një borxh prej 1.8 miliardë lekësh.
Sipas ekspertëve, për vite më radhë llogaritë bankare të Byrosë janë financuar në nivele minimale nga kompanitë e sigurimeve, të cilat financojnë në konflikti interesi komisionet e vlerësimit të dëmeve dhe abuzojnë më të drejtat e qytetarëve, ndërsa autoritet bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh.
E pyetur nga BIRN mbi borxhin e akumuluar dhe akuzat për vlerësime të padrejta ndaj të aksidentuarve, Byroja Shqiptare e Sigurimeve nuk u përgjigj. Megjithatë, në një dokument shpjegues mbi tregun e sigurimeve të botuar në faqen e saj të internetit në dhjetor, Byroja fajëson gjykatat, policinë dhe prokurorinë për situatën e krijuar.
“Gjykatat kanë shpallur vendime për byronë e sigurimit, duke mos thërritur shkaktarët e dëmeve në Gjykatë – për të cilat ato janë përgjegjës që në fund të fundit do paguajnë dëmin dhe byroja është garantuese e pagesës së dëmit, e ndonjëherë edhe policia e qarkullimit rrugor, segmente të Prokurorisë dhe instrumente të tjera kanë krijuar precedentin negativ,” shkruan ajo.
Të kontaktuar nga BIRN, kompanitë e sigurimeve nuk komentuan për situatën e krijuar.
Tregu sigurimeve jo transparent
Tregu i sigurimeve pati 15.6 miliardë lekë të ardhura të raportuara pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në vitin 2016. Kompanitë e sigurimit deklaruan pagesë dëmesh prej 4.2 miliardë lekësh. Sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike për dëme që mund t’i shkaktohet palëve të treta nga këto mjete përbëjnë të ardhurat kryesore të kompanive të sigurimit. Gjatë vitit 2016, të ardhurat nga ky lloj sigurimi ishin 10.2 miliardë lekë ndërsa dëmet e paguara ishin 2.6 miliardë. Ky lloj sigurimi është detyrim ligjor për të gjithë pronarët e mjeteve motorike.
Byroja Shqiptare e Sigurimit është krijuar që në vitin 1992, me miratimin e ligjit ‘Për sigurimin e detyrueshëm, të mbajtësve të mjeteve motorike si dhe për përgjegjësinë ndaj palëve të treta.’ Ky ligj funksionoi deri në vitin 2009, kohë kur hyri në fuqi ligji i ri, ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.’
Në të dy ligjet, si në të vjetrin dhe në të riun, në disa nene parashikohet dëmshpërblim për të gjithë viktimat e aksidenteve rrugore që humbin jetën apo gjymtohen nga mjete motorike të pasiguruara. Anëtarë të Byrosë së Sigurimit janë të nëntë kompanitë e sigurimeve që operojnë në tregun shqiptar dhe i gjithë tregu mbikëqyret nga Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare, AMF.
Megjithatë, një auditim performance i vitit 2015 i ndërmarrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi rolin mbikëqyrës së AMF-së për të garantuar aftësinë paguese të kompanive të sigurimit, vlerëson se legjislacioni shqiptar vendos kërkesat më të ulëta në rajon mbi kompanitë e sigurimit, për sa i përket aftësisë paguese. Sipas KLSH-së, si kompanitë dhe AMF nuk japin informacion ‘të besueshëm dhe mjaftueshëm’ për publikun mbi mjaftueshmërinë e kapitalit dhe likuiditetit të tyre.
“Në kushtet ku shoqëritë shfaqin shumë problematika në llogaritjen dhe raportimin e treguesve të aftësisë paguese, Autoriteti ka kapacitete të kufizuara mbikëqyrëse, monitorimit, verifikimi të raporteve financiare,” vlerëson KLSH. “Megjithëse raportimi i likuiditetit është detyrim ligjor, deri më sot as shoqëritë dhe as Autoriteti nuk e llogarit një tregues të tillë,” shton raporti.
Ish nënkryetarja e AMF-së, Ermela Guxholli shprehet se kompanitë e sigurimeve janë investuar që të reduktojnë ‘përqindjen’ e paaftësisë në punë të një qytetari të dëmtuar në një aksident automobilistik, duke tentuar disa herë të ndryshojnë ligjin bazë të sigurimeve në interes të tyre.
“Kompanitë e sigurimeve i kanë futur duart në xhepin e shqiptarëve dhe kjo ka ardhur me bekimin e institucioneve shtetërore,” tha ajo.
Sipas Guxhollit në Shqipëri paradoksi më i madh është se kompanitë e sigurimit kanë dhe ‘gurin dhe arrën,’ pasi niveli i paaftësisë për punë përcaktohet prej një komisioni prej 5 mjekësh që paguhen nga kompanitë e sigurimeve.
“Natyrisht që këtu kemi të bëjmë me një konflikt interesi, pasi këta mjekë që paguhen nga kompanitë për të dhënë këtë ekspertizë janë të njëanshëm në vlerësim,” përfundoi Guxholli.
Byroja jofunksionale
Për kompensimin e të aksidentuarve nga persona të pasiguruar, Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka një fond që quhet fondi kompensimit, i cili krijohet nga kontributi i detyrueshëm i kompanive të sigurimeve- në varësi të tregut që zotërojnë. Fondi i kompensimit ka për qëllim pagesën e dëmeve pasurore dhe jopasurore të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, në rastet e dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i një mjeti të pasiguruar, të paidentifikuar dhe në rastet e mbylljes apo falimentimit të një shoqërie të sigurimit.
Çdo vit kalendarik secila shoqëri duhet të derdhë në një llogari bankare kuotën sipas përqindjes së tregut, me qëllim dëmshpërblimin e rasteve të ngjashme me Alma Cukën.
Sipas avokatit Mariglen Beqiri, i cili përfaqëson raste të qytetarëve të dëmtuar në aksidente, ky institucion prej vitesh ekziston vetëm në letra.
“Problemi kryesor vjen nga përbërja e kësaj strukture. Anëtarë të Byrosë janë drejtuesit e kompanive të sigurimit. Shteti i ka lënë një pavarësi Byrosë të pashpjegueshme. Kjo varësi nga lojtarët e tregut ka sjellë që edhe dëmshpërblimet të zvarriten për vite me radhë,” tha ai.
Sipas avokatit Byroja funksionin më shumë si një arkivë e dosjeve që duhet të trajtohen sesa merret me zbatimin e vendimeve, qoftë edhe ato gjyqësore. Janë miliona lekë që jo vetëm qytetarët por edhe avokatët nuk kanë marrë për procese të kryera ndër vite.
Ligji aktual i detyron kompanitë që në një llogari bankare të derdhin fondin që u takon. Ky konfirmim i dërgohet edhe Byrosë me qëllim që kjo e fundit të orientojë të dëmtuarit se ku mund t’i marrin lekët. Por në të vërtetë ky fond rezulton një artificë sipas avokatëve pasi edhe pse AMF miraton çdo vit një fond të tillë, ai ekziston vetëm në letra, pasi llogaritë bankare të hapura për këtë qëllim nga kompanitë janë bosh..
E gjithë kjo situatë ka ndodhur për vite me radhë, ndërsa AMF ka heshtur. I pyetur nga BIRN, institucioni që ka për detyrë të mbrojë konsumatorin kundrejt kompanive të sigurimeve u shpreh se ka disa faktorë përgjegjës për situatën. Sipas AMF fondi i kompensimit ndër vite nuk është kalkuluar saktë në raport më vlerën e borxheve të akumuluara.
“Sipas raportimit periodik të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dëmet e papaguara, pra të mbetura pezull që janë objekt i Fondit të Kompensimit për ngjarjet e sigurimit të ndodhura që prej vitit 2002 dhe deri më 31. 12. 2013 (detyrimet 2002-2013) janë rreth 1.3 miliardë lekë,” tha AMF në një përgjigje me shkrim.
“Këtu përfshihen edhe rreth 141 milionë lekë, çështje për ngjarje sigurimi të kësaj periudhe të cilat janë ende në proces gjykimi në Gjykatat e Shkallës së Parë në të gjitha rrethet gjyqësore në vend,” shtoi Autoriteti.
AMF nënvijëzon se në vitin 2010 pati dhe një rritje të ndjeshme të makinave të pasiguruara, çka rriti kostot, ndërsa në shtator 2007, një vendim unifikues Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë zgjeroi ndjeshëm rrethin e personave përfitues në rast të ngjarjeve të sigurimeve. Ndonëse ky vendim u rishikua në vitin 2012 nga Gjykata Kushtetuese, ai prodhoi disa detyrime shtesë. Nga ana tjetër AMF pranon se tregu i sigurimeve është treguar indiferent ndaj problematikave të fondit të sigurimit duke iu shmangur përgjegjësive.
Përmbaruesi Ermir Godaj, i cili ka 20 dosje të ngjashme me atë të Alma Cukës, të cilat nuk ka mundur t’i ekzekutojë, shprehet se në llogaritë e Byrosë xhirojnë vetëm fonde për pagat e punonjësve – të cilat nuk mund të bllokohen, ose fonde për paditë e regresit – padi për personat të cilët rezultojnë fajtor nga aksidenti dhe duhet të paguajnë dëmin e llogaritur.
Sipas Godajt kemi të bëjmë me një shmangie të përgjegjësisë ligjore nga kompanitë, ndërsa AMF në rastin më të mirë ka qenë në një gjumë të thellë ose ka qenë palë me operatorët në kurriz të konsumatorëve.
Përmbaruesi Godaj vijon më tej kur thotë se shteti ka nisur tre aksione anti-informalitet dhe ka ushtruar kontrolle tek të gjithë bizneset ‘VIP’, të mesëm apo të vegjël, por në mënyrë paradoksale borxhi i kompanive të sigurimit ndaj shqiptarëve ka njohur vetëm rritje nga viti në vit.
“Si mund të akumulohen kaq shumë borxhe dhe askush nuk mban përgjegjësi?- pyet Godaj.
Vendimi i vonuar
Në daljen e tij të parë për median në shtator 2017, drejtori i ri ekzekutiv i AMF-së Ervin Koçi pohoi se situata me fondin e kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve konsiderohet problematike. Koçi nuk preferoi të evidentonte përgjegjësit e kësaj situate. Ndonëse, drejtori paraardhës u shkarkua nga Kuvendi për disa motivacione, një prej të cilave ishte edhe situata e krijuar me fondin e kompensimit.
Megjithatë, i mbledhur në prag të festave të fundvitit më 28 dhjetor 2017, bordi i AMF-së mori një vendim për t’i detyruar kompanitë që të paguajnë në mënyrë të menjëhershme borxhet e akumuluara për efekt të fondit të kompensimit.
BIRN ka siguruar një kopje të këtij vendimi, sipas të cilit është parashikuar që do të paguhen në mënyrë të menjëhershme të gjitha detyrimet që janë me vendim të formës së prerë nga gjykatat dhe presin ekzekutimin.
Detyrimi që duhet të paguhet nga kompanitë e sigurimit arrin në 923 milionë lekë i ndarë në dy transhe. Transhi i parë me vlerë 817 milion lekë, përfshin shlyerjen menjëherë të praktikave të dëmeve me vendim gjykate të formës së prerë nga 2001 deri në 2013, dhe transhi i dytë prej 105 milionë lekë për dëmet pas 1 janarit 2014. Sipas të dhënave pjesa tjetër e borxhit është ende në trajtim.
Por ky vendim pritet të shoqërohet me reagimin kundërshtues të kompanive të sigurimeve, të cilat do të vihen në vështirësi financiare për të paguar të gjithë borxhin dhe pritet se ai do të ankimohet në gjykatë.
Zyrtarë të AMF-së i thanë BIRN se ky institucion po bën disa ndryshime në ligjin bazë, i cili do të sjellë risi në funksion të mbrojtjes së konsumatorit. Sa i përket mirëfunksionimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit është në diskutim që ajo të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave ose të AMF-së, me qëllim mbajtjen nën kontroll të procesit të dëmshpërblimeve, duke shmangur krijimin e borxheve.
Por deri sa këto ndryshime ligjore të behën efektive, shuma e borxheve të kompanive të sigurimeve do të vijojë të rritet për qytetarët e dëmtuar si Alma Cuka –buxheti familjar i së cilës u rëndua nga kostot mjekësore që i solli aksidenti dhe shpreson që me paratë e dëmshpërblimit financiar të shkollojë të bijën.
“Rrezikova me shëndetin tim, por në fund do i siguroj vajzës shkollën e lartë,” tha ajo“Kjo është dëshira e çdo nëne,” përfundoi Alma./reporter.al