Parlamenti grek me shumicë votash, 154 nga 295 deputetë të pranishëm në sallë, ka aprovuar mbrëmjen e së hënës projektligjin me parakushtet për vlerësimin e tretë dhe të fundit të programit të ndihmës dhe të reformave fiskale që kreditorët e huaj i kërkojnë Athinës, si kushte për vazhdimësinë e ndihmës financiare.
Projektligji i ri ka në thelb dispozita të reja për grevat, përfitimet në të ardhura për fëmijët, si dhe ankandet për shtëpitë me kredi të papaguara. Kryeministri Tsipras, bashkë me ministrat e kabinetit të tij, kanë deklaruar se votimi i këtyre reformave, të fundit në llojin e tyre, është vendimtar për daljen e vendit nga kriza, ndërsa opozita ka theksuar se ato shkatërrojnë ekonominë dhe shoqërinë greke dhe nuk sjellin fundin e krizës, siç pretendon qeveria.
“Debati dhe votimi i sotëm, mbyllin një cikël të gjatë dhe të vështirë. Sepse në thelb përfundon aspekti legjislativ i kushteve paraprake të nevojshme për përfundimin e vlerësimit të tretë të programit të ndihmës. Dhe të gjithë e dinë se me këtë votim ndodhemi shumë pranë fundit të programit dhe memorandumeve të ndihmës”, u shpreh Alexis Tsipras, Kryeministri i Greqisë.
Gjatë diskutimit në parlament, më shumë se 6,000 demonstrues kanë protestuar jashtë ndërtesës kundër masave, të cilat ndër të tjera parashikojnë kritere më të rrepta për mbajtjen e grevave, që në shtatë vitet e fundit kanë qenë të shpeshta. Janë regjistruar të paktën 50 të tilla, me vendime të marra nga një pakicë sindikalistësh, dispozitë e cila tashmë ndryshon. /360grade.al