Home KRYESORE A ishte “fetar” Skënderbeu? Kur filloi islamizimi i Shqipërisë?

A ishte “fetar” Skënderbeu? Kur filloi islamizimi i Shqipërisë?

Autori i librit “Skënderbeu, kryqtari i fundit”, Virgjil Kule tha në emisionin ” Arena” të Dritan Hilës se Skënderbeu nuk kishte një besim fetar, duke i cilësuar lëvizjet e tij fetare më tepër strategji për të lidhur aleanca të ndryshme, veçanërisht me Perëndimin.

Unë mendoj se Skënderbeu nuk kishte në mënyrë absolute vokacione fetare. Ai i gjeti dhe u detyrua të harmonizohej menjëherë, e t’i kthente shpinën tjetrës. Në momentet e para të Skënderbeut në Krujë, ai duhej t’i tregonte aleatëve të tij të ardhshëm që këtu ka ardhur një i krishterë, i cili ka dhe fuqi ushtarake e organizative dhe është në gjendje të marri detyra të mëdha.

Kështu që me ardhjen e Skënderbeut në Krujë, ka një periudhë shumë të shkurtër e cila karakterizohet nga një politikë e dyfishtë, një lloj riafirmimi të krishterimit. Skënderbeu bëri fushatë për krishterimin e asaj pjese të popullsisë, ku përfshiheshin fisnikë, tregtarë, administratorë që kishin ardhur bashkë me osmanët.

Pëllumb Xhufi

Ai tha që ka dy rrugë, ose konvertohesh në të krishterë, ose largohu. Dhe kush e bëri konvertimin, bëhej edhe një dekret. Qëllimi i gjithë kësaj fushate ishte të bënte bujë në Perëndim” – deklaroi Kule.

Historiani Pëllumb Xhufi tha në të njëjtin emision se islamizimi i vendit filloi gjatë Luftës së Kretës, si edhe korridori  i Shkumbinit ishte një prej pikave strategjike, prej ku filloi masivizimi i kthimit të shqiptarëve në islam.

Në vitet 1440-1450, kemi dokumentet veneciane për fisnikërinë shqiptare, por kemi edhe regjistrin e parë osman. Dhe prej tyre rezulton të kemi një fisnikëri të krishterë në një pjesë masive të vendit. Popullsia shqiptare u islamizua në mënyrë masive te Lufta e Kretës, në vitin 1645-1669, kohë kur islamizimi shkoi edhe në zonat malore.

Pati një ndarje gjeografike, turqit osmanë i dhanë rëndësi që në këto korridoret strategjike, si ai i Shkumbinit, të islamizohej popullsia me precedencë dhe popullsitë e para të islamizuara gjenden pikërisht në këtë segment”, deklaroi Xhufi. 

Virgjil Kule

Kule tha gjithashtu se osmanët bënin konkurse për të marrë fëmijë të ndryshëm nga qytetet që pushtonin, për t’i çuar më pas me studime.

Osmanët bënin një konkurs të madh, me psikologë, mjekë, ushtarë etj., në qytete të ndryshme të cilat kishin pushtuar. Aty zgjidheshin fëmijët të cilët do të çoheshin për studime. Ky ishte një stimul shumë i mirë. Një pjesë tjetër i merrnin fëmijët dhe i çonin në kazerma. Natyrisht që i biri i Gjonit, nuk iku në asnjë prej këtyre dy formave.

Përkundrazi ai iku me karrocë, pasi ishte i biri i një fisniku. Skënderbeu ishte një mjeshtër i vërtetë për të ndërtuar plane, e këtë aftësi e ka pasur që në fillim. Ai ishte edhe në pjesën administrative, po ashtu edhe në atë ushtarake”, deklaroi Kule. 

Historiani Pëllumb Xhufi tha se figura e Skëndërbeut duhet të vendoset në kontekstin historik dhe se shqiptarët njiheshin që më parë nga Perandoria Bizantine.

Unë jam me mendimin që Skënderbeu duhet historicizuar, duhet të vendoset në kontekstin e tij. Shqiptarët në burimet Bizantine përmenden si një popull krejt i veçantë.

Ata kishin të drejta të barabarta me bizantinët dhe kishin raporte me traktate me Perandorinë Bizantine. Shqiptarët kur përmenden në kuadrin e ushtrisë bizantine, gjithmonë quhen shqiptarë dhe jo bizantinë”, deklaroi Xhufi./b.m. / dita

Share: