Home Approccio Italo Albanese Italianët në Shqipëri? Gazetarja: Ata nuk paguhen 200 euro, të shohim sa...

Italianët në Shqipëri? Gazetarja: Ata nuk paguhen 200 euro, të shohim sa do rezistojnë

A është kthyer vërtet Shqipëria në Amerikë për italianët? Kjo ka qenë tema e diskutimit në emisionin ‘’Mirëmëngjes Shqipëri” në TVSH.

Prej disa kohësh ne median italiane kanë qarkulluar reportazhe se kushtet e punës në Shqipëri janë më të mira.

I ftuar në studio sipërmarrësi Italian Roberto Kaparrota u shpreh se Shqipëria mbetet e preferuar për shkak të krahut të lirë të punës.

Më tej ai u shpreh se kjo është e mirë për italianët po jo për shqiptarët, pasi nuk mund të jetohet me një pagë minimale prej 24 mijë lekësh.

Po ashtu investitori u shpreh se bumin më të madh italianët e kanë pasur në kohën kur në Shqipëri aplikohej taksa e sheshtë.

‘’Mua më vjen keq që akoma askush nuk shqetësohet për të rritur rrogën minimale”, u shpreh sipërmarrësi.

Gazetarja e ‘’Fax News”, Brikena Prifti u shpreh se për pjesën me të ardhura të larta as në Shqipëri nuk jetohet keq, por ama pjesa tjetër vuan mungesën e ushqimit. Po ashtu ajo shtoi se ende është herët që biznesmenët italianë të kuptojnë nëse Shqipëria është apo jo stabël.

‘’Unë kam jetuar vetë në Itali, dhe duke krahasuar standardin e jetesës, edhe këtu nuk jetohet keq. Po ne po flasim për pjesën që ka të ardhura të larta, pasi pjesa tjetër vuan dhe mungesën e ushqimit.

Ne jemi në fazën kur italianët vijnë dhe po e provojnë Shqipërinë, janë ende duke e sprovuar, nuk është koha që ata të shprehen ose jo që Shqipëria është stabël.

Të shohim sesa do të rezistojnë. Në aspektin kur shohim që vinë italianët në pamje të parë është pozitive, po ama kjo përkthehet në më pak vende pune për shqiptarët.

Ata kanë rroga më të larta sesa shqiptarët, dhe janë më të avantazhuar për një vend pune. Ata nuk pranojnë që të paguhen me 200 euro”, u shpreh Prifti.

Kaparrota u shpreh më tej se në vendin tonë ka rreth 20 mijë italianë, vetëm 1200 prej tyre janë të siguruar.

‘’Këtu media e manipulon pak publikun, pasi në shumë raste fajtore del opozita dhe jo qeveria”, u shpreh më tej Kaparrota.(E.K/FAXWEB)

 

Share: