Home KRYESORE Nisma për zhbërjen e Gjykatës Speciale drejtohet kundër Kosovës!

Nisma për zhbërjen e Gjykatës Speciale drejtohet kundër Kosovës!

Nga Enver Bytyçi

Ata që bënë luftën në Kosovë janë heronj. As unë, as ti, as ai, as ata dhe ato nuk mundemi asnjëherë të çbëjmë luftën e Kosovës kontributet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e vendit, orientimin e saj pro NATO dhe properendimor, pavarësisht grupimeve marksiste brenda saj.

Por ajo që po ndodh sot në Prishtinë është anti-lufta, anti-NATO-ja, anti-SHBA-ja, anti-Europa! Disa krerë të shtetit të Kosovës, rastësisht ose jo, kanë qëlluar të jenë dhe ish-drejtues të Luftës Çlirimtare të Kosovës, e në të njëjtën kohë kanë projektuar të zhbëjnë Gjykatën Speciale të ngritur sipas një vendimi të parlamentit të vendit. Ngritja e kësaj gjykate ishte një e “keqe” e domosdoshme, sepse asnjë gjykatë në territorin e Kosovës nuk do të mundë së paku për një kohë relativisht të gjatë të zbulojë, hetojë dhe ndëshkojë autorët e disa krimeve të bujshme, sidomos të atyre krimeve që janë bërë pas luftës. Edhe Zoti të dënon, nëse nuk do të dihej kush qëlloi mbi një engjëll, si Xhemajl Mustafa!!! Apo kush qëlloi kundër sa e sa shqiptarëve politikanë të pas Luftës!!!

Drejtuesit kryesorë të shtetit të Kosovës e dijnë se nëse kjo gjykatë nuk do të ngrihej nga institucionet e Kosovës, vendimi për të do të merrej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe nëse këta drejtues do ta zhbëjnë gjykatën speciale, atëherë këtë vendim do ta marrin Fuqitë e Mëdha. Por shtetet e Quintit (SHBA, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia) nuk duan të investohen në këtë vendim, për shkak se Rusia do të impononte qëndrimet e saj politike dhe gjykata do të shndërrohej në një instrument kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kështu si është sot ajo drejtohet vetëm kundër elementëve kriminalë, por jo kundër luftës.

Perendimi nuk ka synim të zhbëjë luftën çlirimtare të shqiptarëve, prandaj bën presion për të mënjanuar nismën e 43 deputetëve të koalicionit qeverisës për të votuar në parlament anullimin e vendimit për ngritjen e Gjykatës Speciale. Nuk jam i sigurt se sa janë të vetëdijshëm për këtë hap shkatërrues për shtetësinë e Kosovës vetë nismëtarët e anullimit të ligjit! Por do të ishte absurde që këtë rrezik të mos e njihnin presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, të cilët nxisin dhe mbështesin hapur një iniciativë të tillë. Madje në koordinim me disa politikanë të majtë të Tiranës zyrtare!!!

Eshtë ky një presion për fjalët e pa mbajtura nga ana e ndërkombëtarëve, apo është një hap serioz dhe përpjekje e qëllimshme, kjo mbetet për t’u parë. Por nëse krerët e institucioneve të Kosovës do ta hedhin në votim këtë nismë, ata do të mbeten në histori si liderë politikë që nuk u dhimbset aspak Kosova dhe interesi i saj kombëtar! Sepse zhbërja e Gjykatës Speciale do të japë sinjalin dhe mesazhin e qartë për botën, që Prishtina “nuk është e interesuar për mbështetje ndërkombëtare dhe shtetndërtimin e saj”?! Beogradi do ta shfrytëzojë këtë akt antishqiptar të shqiptarëve për të forcuar pozitat e tij politike dhe diplomatike në institucionet ndërkombëtare!

Madje do të thotë se “Ne e kemi thënë që në vitin 1913 se “Shqiptarët nuk meritojnë shtet dhe se ata duhet të “edukohen” nga Serbia””?!! Se çfarë nënkuptohet me fjalën “edukim të shqiptarëve”, në Beograd kjo është provuar në gati 100 vjet të sundimit të Serbisë në Kosovë. Do të thotë kërbaç, asgjësim fizik, shpërngulje, politika aparteidi dhe diskriminim të gjithanshëm. Për këto arësye deputetët e pakicës serbe do të votojnë pro zhbërjes së Gjykatës Speciale. Kjo do të thotë se Serbia dëshiron pikërisht këtë që po bëjnë nismëtarët anti-Gjykatë.

I gjithë diskutimi i sotëm për këtë nismë është përqëndruar te konflikti midis Fuqive të Mëdha të Perendimit dhe krerëve të institucioneve të Kosovës rreth kësaj çeshtjeje. Fuqitë e Mëdha, përkatësisht Bashkimi Europian, duhet ta bajnë fjalën për liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur, në këmbim të atij vendimi të rëndësishëm,, të cilin më 2015 e votuan deputetët e Parlamentit të Kosovës. Kjo është më e pakta që ata duhet të bëjnë, nëse duan të jenë seriozë për premtimet që japin. Ndërsa liderët e Kosovës duhet që menjëherë të heqin dorë nga një nismë e tillë, qoftë kjo edhe si provë provokimi për mosmbajtjen e fjalës së dhënë nga Bashkimi Europian.

Kosova ka nevojë për stabilitet, prosperitet, zhvillim ekonomik e social, jo për konflikte të brendshme e aq më pak për karshillëk e konflikte me SHBA-të dhe vendet kryesore të Europës, të cilat kanë sponsorizuar lirinë e Kosovës, madje e kanë realizuar atë me mjete të dhunëshme, siç ishin bombardimet e NATO-s kundër Serbisë. Edhe nëse disa politikanë të lartë ose shumë të lartë hetohen, akuzohen e ndoshta dënohen për ndonjë akt kriminal, asnjë prej tyre nuk guxon të marrë peng fatet e shtetit të Kosovës.

Nëse këta politikanë kanë sakrifikuar vërtetë për lirinë e Kosovës, do të duhet që ta provojnë e dëshmojnë këtë sakrificë edhe me gjakftohtësinë e tyre para një tribunali të tillë, që tashmë ka filluar punën e vet dhe nuk mund të zhbëhet për interesa të ngushta personale të dikujt. Drejtësia është atributi i lirisë dhe shqiptarët kanë sakrifikuar për lirinë!

Share: