Home KRYESORE Një Senat për Partinë Demokratike! Nga Enver Bytyçi

Një Senat për Partinë Demokratike! Nga Enver Bytyçi

Partia Demokratike e Shqipërisë është në ditë jo të mira. Duket qartë se brenda kësaj partie përplasen me e pa arësye ide, vizione, qëndrime, interesa, breza dhe shpesh herë duket se konflikti nuk mbaron. Megjithatë të gjitha grupet në instancë të fundit kanë një interes të përbashkët: Që Partia Demokratike të forcohet e të bëhet faktor politik i pakonkurueshëm. Nëse një parti bëhet faktor, atëherë kundërshtarët e saj do të tërhiqen dhe do të kalojnë në “mbrojtje”. Në momentin që Partia Demokratike do ta detyrojë partinë në pushtet dhe kreun e saj kryeministër të mbrohet, në këtë moment ajo ka marrë kthesën e ringritjes së saj drejt pushtetit. Kështu ndodhi në vitin 2001. Partia Demokratike, megjithëse ishtë në ditët e saj më të vështira nga ngjarjet e vitit 1997, katër vite më vonë u shjfaq fuqishëm si faktor i pazevendësueshëm në Shqipëri. Zgjedhjet e vitit 2001 e nxorën atë fituese dhe fitoren e saj të grabitur nga Ilir Meta, ajo e provoi në gjyqe ndërkombëtare!

Po sot? Sot kemi një situatë krejt ndryshe. Kjo do të thotë që PD ka nevojë të ringrihet, të bëhet faktor i patjetërsueshëm dhe i pakonkurueshëm. Për këtë asaj i duhet një program alternativ ambicioz, konservator, pa arrnime liberale e pa kompleksin e “liberalizmit” të kundërshtarit. Por para së gjithash i duhet koherencë, bashkëjetesë dhe bashkëveprim. Konfliktet brenda saj e pengojnë atë të bëhet faktor i tillë. Si zgjidhje do të propozoja krijimin e një këshilli konsultativ, të njëlloj senati, i cili do ta kishte aftësinë të ngrihej mbi palët, mbi grupet kundërshtare dhe do të qëndronte jashtë interesave të tyre. Ky grup senatorësh ka nevojë të institucionalizohet. Ndoshta në një Kuvend Kombëtar të Partisë, në të cilin do të duhej të miratoheshin ndryshime statutore.

Një kuvend kombëtar i PD-së për ndryshimin dhe vendosjen e disa rregullave të reja të funksionimit të partisë është i domosdoshëm. Prej këtu fillon bashkimi dhe konvergimi i interesave dhe pikëpamjeve të demokratëve me ato të vetë partisë e më tej të Shqipërisë së zhvilluar e të përparuar. Por nuk dua të ndalem në këto ndryshime. Objekt i këtij propozimi është që ky statut të konstituojë një senat të demokratëve, numri i të cilëve të ishte i kufizuar, ndoshta jo më shumë se gishtat e dy duarve.

Tashmë në PD ka figura politike të spikatura, me kontribute dhe të pakontestuara, të cilat kanë aftësinë dhe integritetin të qëndrojnë mbi palët në konfliktin e brendshëm. Këto figura politike janë aseti dhe investimi më i madh i kësaj partie, e cila themeloi pluralizmmin politik në Shqipëri, e anëtarësoi vendin në Këshillin e Europës e në NATO, liberalizoi vizat për shqiptarët dhe u dha frymën e lirisë atyre. Tashmë figurat e spikatura të Partisë Demokratike kanë ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në radhët e demokratëve, por edhe te shqiptarët në tërësi si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Këto figura meritojnë të jenë senatorët e kësaj partie. Ata duhen votuar në Këshillin Kombëtar të Partisë. Më pas do të duhet të jenë të përjetshëm në këtë organizëm, për pasojë të pakontestueshëm. Më e mira do të ishte që propozimet dhe rekomandimet e këtij senati të vinin si mendim unanim I të gjithë senatorëve. Në një rast të tillë ky senat do të bëhej “mponues”.

Pasi të zgjidhen, ata do të duhej të kishin një kornizë veprimtarie të caktuar për të vepruar sipas disa rregullave të lojës demokratike për ekulibrin politik në parti. Senati i demokratëve dhe senatorët demokratë nuk do të duhet të kenë të drejta vendimarrëse, por ata me propozimet dhe rekomandimet e tyre, pa diskutim se do të ishin forcë imponuese, sidomos kur krijohen sherre dhe konflikte në parti për zgjidhjen e tyre.

Senatorët demokratë me statut do të duhej të qëndronin mbi palët, nuk do të duhej të kishin varësi nga askush. Ata do të duhej të kishin të drejta për të propozuar dhe rekomanduar alternative, ide, vizione politike, zgjidhje të konflikteve, me qëllimin e vetëm, bërjen e Partisë Demokratike faktor politik vendimtar në qeverisjen e vendit. Nëse dikush në PD do t’i kundërvihej këtij senati, atëherë senati do ta kishte të drejtën me statut që t’i drejtohej anëtarësisë për zgjidhjen e provlemeve, njësoj si edhe kryetari i partisë dhe forumet e saj. Por asnjëherë nuk do të duhej që të imponohej përmes vendimmarrjes, sepse ky senat nuk është një institucion ekzekutiv e vendimmarrës në kuptimin statutor në parti.

Ngritja dhe funksionimi i një senati të tillë do të kthente shpresën te Partia demokratike, do të mobilizonte shumë më tepër resurse në veprimin dhe aksionin politik të saj, do të çlironte energji të shumta e për pasojë do ta shndërronte partinë në një motor të organizimit dhe alternativës politike për zhvillimin e vendit tonë. Dhe e dini pse do të ndodhte kjo? Sepse një senat i tillë do krijonte klimën e besimit në parti!

Share: