Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Patriotizmi me atlete e çorape të kuqe i kryeministrit Rama!

Patriotizmi me atlete e çorape të kuqe i kryeministrit Rama!

Nga Enver Bytyçi

Katër ditë në Kretë dhe tri ditë tjera në Korçë kanë mjaftuar që diplomacia shqiptare të shfaqet dhe një herë si një diplomaci amatotësh e të paaftësh, në llogari të interesave të pushtetit e jo të shtetit. Në fakt nuk ka si të ndodhë ndryshe me një qeverisje dhe një qeveri, e cila për interesat e ruajtjës së sundimit të saj kanabizoi dhe kriminalizoi Shqipërinë!

Prej vitit 2009 e deri më sot shqiptarët janë bombarduar nga ish-opozita dhe nga mazhoranca e sotme me akuza pa fund kundër qeverisë “Berisha” për firmosjen e Marrëveshjes së detit me Greqinë. Ndërkaq midis mosratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, përdorimit të vetos për pranimin në NATO dhe liberalizimin e vizave dhe asaj marrëveshjeje, qeveria Berisha zgjodhi këtë të dytën.

Opozita e viteve 2008-2013, pra Edi Eama dhe Partia Socialiste, e shfrytëzuan këtë marrëveshje për të hedh tonelata baltë “tradhëtie” mbi Sali Berishën dhe qeverinë e tij. Ishte e drejta e tij! Por është edhe e drejta jonë të gjykojmë mbi diplomacinë disekuilibruese të Edi Ramës dhe ministrit Bushati në kohët e ditët e sotme.

Katër ditët e Kretës dhe tri ditët e Korçës bënë që fushata 9 vjeçare antiBerishë e Edi Ramës të sfumohet siç plas një tollumbace e çpuar! Ata që për gati 9 vite bënë mitingje dhe mbajtën dhe dhjetra fjalime kundër Marrëveshjes së Detit të atëhershme, ata që bërtitën deri në kupë të qiellit për “të drejtat e çamëve”, ata që organizuan protesta kundër varrezave të ushtarëve grekë në Jug të vendit,, pikërisht këta, pra Edi Rama, Ditmir Bushati dhe kompani firmosën lëshime territore e lëshime të tjera, të cilat nuk përmenden në marrëveshjen e vitit 2009! Bënë një marrëveshje, me të cilën i falën Greqisë 12 milje det, fshinë nga kujtesa premtimin për të drejtat e çamëve dhe vendosën të ngrejnë komplekse varrezash për ushtarët grekë edhe në territore ku ata nuk shkelën kurrë ndonjëherë. Jo vetë kaq, por u morën vesh që termin Çamëri ta fshijnë nga tekstet shkollore dhe brezi i ri i shqiptarëve ta harrojë tragjedinë çame.

Për ta mbuluar këtë skandal Edi Rama u turr në stilin e tij kamikaz kundër reagimeve të publikut shqiptar! Shihni se çfarë shkruan Edi Rama kundër kritikëve të tij: “Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti!

Janë të mjerë që meritojnë veç mëshirë, po kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin.

Dhe ndërkohë mos dysho hiçfare se ne që ditëm t’i hapim me kurajo e dinjitet, hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim me dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim”.

Pasi lexova këtë reagim të kryeministrit tim mjeran, u detyrova të shkruaj këto rrjeshta, për t’i kujtuar atij me krenari se kur ne flisnim e shkruanim libra e analiza të shumta për Çamërinë, Edi Rama nuk kishte haberin se çfarë ishte ajo!

Në fakt nuk ka ngjizje më perverse se kjo, nuk ka e nuk mund të ketë mashtrim më të madh se ky! Marrëveshja me Greqinë, e cila me gjasa do të firmoset në prill me rastin e vizitës së Tcipras në Tiranë, është këmbanë alarmi për ne, për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për tregëtinë e kryeministrit me territoret, por se ajo duhet parë gjithashtu si prelude i marrëzisë së tij në dëm të interesave qytetare e kombëtare të shqiptarëve.

Partnerët e tij në Athinë e përgenjështrojnë Edin dhe Ditmirin së paku dy herë në ditë dhe këta të dy u turren shqiptarëve me kamxhikun e fjalës mashtruse të “kazanit politik e mediatik”! E ndër kohë shqiparët lihen në hije të informimit, jo sikur flitet për territoret e tyre, por sikur bëhen pazare për çiflikun e kryeministrit!

Se Greqisë iu dhanë 12 milje det, se në marrëveshje nuk ka asnjë fjalë për Çamërinë dhe çamët, se do të ndërtohen varreza për 8 mijë ushtarë grekë të paqenë në Shqipëri, të gjitha këto shqiptarët i mësuan nga deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Kotzias dhe jo nga bashkëbiseduesi homologu i tij shqiptar, Bushati! Ky është paradoksi i dytë! Kryeministri dhe ministri ynë i Punëve të Jashtme vazhdojnë të gënjejnë dhe mashtrojnë, ndërkohë që gënjeshtrën dhe mashtrimin e tyre e zbulojnë grekët! Mjafton kjo mënyrë sjelljeje e atyre që ne na qeverisin, që këta sundimtarë të shpallen të padëshirueshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët!

Patriotizmi me atlete i Edi Ramës është shumë herë më i rrezikshëm sesa “patriotizmi me qizme”, të cilin ai e konsideron si produkt të kazanit politik dhe mediatik!

Share: