Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Prindër, qëndroni afër fëmijëve tuaj para se të kthehen në “sallator”

Prindër, qëndroni afër fëmijëve tuaj para se të kthehen në “sallator”

Nga Ema Shazivari

Në kohën kur nuk kishte internet apo media sociale, njerëzit ishin fansa më simpatikë. E them këtë sepse shpesh pëlqenin apo adhuronin njerëz të cilët artin e promovonin falë radiove apo atyre pak hapësirave televizive që na ofronte koha, sepse jo të gjithë kishin mundësi të shkonin nëpër koncerte apo thjesht të dëgjonin këngën kur të donin në youtube.

Sot falë hapësirave të pakufizuara të mediave sociale, fansat propagandojnë në Instagram apo Facebook. Por propaganda apo adhurimi i fansave të sotëm është i frikshëm.

Mjafton të publikosh një këngë, të komercializohesh pak dhe t’u japësh atë që dëshirojnë, për të qindin e sekondës në instagram është shfaqur një profil me emrin tënd dhe me një prapashtesë “tor”. Çfarë është “tor”, që unë për ta përgjithësuar po preferoj ta quaj sallator.

“Sallatorët” janë fansat e flaktë, ekstremistë dhe gati komunist të çdo personazhi publik me qindra mijëra ndjekësish në Instagram. Ata krijojnë një profil me emrin e X personazhi, postojnë papushim foto të tyre, dhe komentojnë dëshpërimisht në çdo foto apo postim të tyren.

Sallatori nuk është më shumë se 16-vjeç. Është një adoleshent që është rritur duke kopjuar modelin e shëmtuar amerikan të fansave, ku për idhujt e tyre filluan të priteshin dhe të bënin veprime ekstremiste sa në Amerikë u bë një problem vërtet shumë serioz.

Ishte Justin Bieber i pari që nxori trendin e fansave “sallator”, të cilët nëse larg qoft guxoje të shprehje mendimin tënd kritik për këngëtarin, nuk do ishte habi t’i gjeje në derën e shtëpisë në pritje të masakronin.

Sot të gjitha këngëtaret, pseudokëngëtaret, personazhet komercial të instagramit kanë sallatorët e tyre personal, të cilët si komunistë të vegjël, të hapin luftë dhe të qepen keqazi për çfarëdo komenti që ti mund të kesh për idhujt e tyre.

A është ky faji i prindërve, të cilët as nuk duan ta dinë se çfarë bën fëmija i tyre adoleshent në rrjetet sociale? A është kjo një neglizhencë e tepruar karshi teknologjisë, që duket se prindërit e konsiderojnë si zgjidhjen më të shpejtë për t’i mbyllur gojën fëmijëve, duke mos u interesuar më pas se çfarë portash u hapen? Mendoj se prindërit duhet të jenë aty, t’u mësojnë madje edhe se të pasurit qejf një personazh publik nga manifestime të tilla ekstreme kanë dallim.

Në fakt do shtoja edhe që prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj modeleve që marrin fëmijët e tyre, sepse në fund pas 1000 sakrificash do përfundojnë duke rritur asgjë më pak dhe asgjë më shumë se një sallator./Opinion.al

Share: