Nga Ilir Rusmali/
Bënte përshtypje në seancën e fundit të Kuvendit komunikimi publik i Bashës dhe i Ramës. Basha ishte gati të sillte erën e protestës në sallë, edhe duke u përplasur fizikisht, kurse Rama i përgjigjej po ashtu fizikisht, pa fjalë, por me buzëqeshje dhe krahët hapur. Unë nuk e përcjell dot komunikimin e liderëve të vendit si teatër (më pëlqen të rri në anën e asaj pjese të popullit, që i merr seriozisht liderët e tij), prandaj rri e vras mendjen me veten time për këtë sjellje.
Unë e dua opozitën, si kur është e qetë, ashtu edhe kur proteston. Unë e ëndërroj atë të fortë dhe serioze. Në një shoqëri demokratike, opozita është forca e vetme që tremb kur vjen dita që ajo turfullon, ngre zërin dhe përplas grushtin, është forca e vetme që turbullon e që kthjellon, që ngre peshë dhe që rrëzon, që jep shpresë e dëshpëron, që përmbys edhe që zgjon. Në një shoqëri demokratike, kur zemërohet opozita, shtetit i tunden themelet, asgjë s’është si më parë dhe vetë jeta ndryshon. Unë dua që protesta e datës 27 janar të ushtojë sa të tunden malet, ndaj më mërzit moskokëçarja dhe cinizmi i Kryeministrit përballë saj.
Ka dy gjëra në qëndrimet e Bashës e të Ramës, të cilat më duket se lexohen që së largu e që dëmtojnë rëndë protestën e opozitës (Basha) dhe demokracinë (Rama).
Së pari, Basha duket se e kërkon gati me zor protestën, se nëpërmjet saj kërkon të heqë qafe komplekset e veta.
Ai kërkon që protesta të mundë obsesionin që Rama i krijoi me marrëveshjen e 17 majit 2017. Rama i ka mbushur mendjen gjithë dynjasë se, siç e futi një herë Bashën në “shtrat” mund ta fusë sa herë të dojë, në çdo maj, jo me lutje e përgjërime, por me fërshëllimë. Prandaj i duhet protesta, që ta ketë si certifikatë divorci.
Basha e di se i madh e i vogël, gjithashtu e dinë se rregulli i artë i politikës “humbësi nuk bëhet dot fitimtar” nuk thyhet dot me lutje e ëndërrime, edhe sikur filmin e humbjes udhëheqësi ta kthejë mbrapsht një, dhjetë apo njëqind herë dhe demokratët të ëndërrojnë bashkë me të një, dhjetë, apo njëqind herë, por thyhet me forcë. Prandaj protesta i duhet masive, që të tregojë forcë e të bjerë era fitore.
Për shkak të lojës së vet të gabuar, Basha dhe PD janë sjellë me Reformën në Drejtësi, sikur të ishin “kontingjent” dhe nuk po çlirohen dot as sot e kësaj dite nga perceptimi se Reforma po bëhet posaçërisht për lidershipin dhe ish-lidershipin e PD-së. Prandaj protesta i duhet e zhurmshme, që t’i japë kurajë dhe t’i mbrojë politikisht.
Basha nuk po e fiton dot betejën e spastrimit të PD-së me të larguarit. Të larguarit, me ose pa meritë, bashkë me largimin, kanë marrë me vete simpatinë e anëtarësisë dhe të drejtën. Spastrimi nuk e ka rigjeneruar partinë, por e ka rrënuar atë, e ka bërë të vogël, të cekët, jo përfaqësuese, klienteliste. Prandaj protesta i duhet e gjallë dhe gjithëpërfshirëse, që të mos e akuzojnë më si varrmihës.
Basha ende ka frikë se nuk e pranon njeri për udhëheqës. Udhëheqës është ai që, kur del në publik, bind, ngjall besim dhe frymëzon. Basha nuk ndjehet i tillë. Prandaj protesta i duhet entuziaste, që ta ngrohë dhe ta qetësojë.
Unë besoj se Basha pret këto gjëra nga protesta. Vetëm po plotësoi këto nevoja protesta do të jetë e arrirë. Por gjithashtu kam frikë se kjo gjë nuk i bën mirë as Bashës dhe as PD-së. Sikurse e shpreha më lart, protesta nuk është mjeti që trimëron liderin e opozitës, por është mjeti që tremb liderin e qeverisë. Basha duhet të çlirohet vetë nga komplekset e veta, në rrugë të tjera, me mjete të tjera dhe me tjetër politikë. Po ia doli kësaj sfide, atëherë nuk do ketë më nevojë të bredhë fshat më fshat për të thirrur njerëzit të marrin pjesë. Njerëzit do jenë aty, sikurse janë dhe tani, në pritje të liderit.
Së dyti, unë kam përshtypjen se, më mirë se kushdo tjetër, komplekset e Bashës i ka lexuar Rama, ndaj ai qesh me cinizëm kur e sheh Bashën të bërtasë i nervozuar. Ndryshe nuk e shpjegoj dot përpjekjen e tij dinake për të mbjellë tek njerëzit bindjen se Rama e ka blerë kryetarin e opozitës me 13 milionë euro, se këtë e ka bërë ashiqare, se këtë e shohin të gjithë shqiptarët, ndaj e përçmojnë Bashën po aq ashiqare.
Rama është i lirë të gjejë instrumentet që gjykon të përshtatshme në komunikimin e tij publik dhe me kundërshtarin. Por Rama, përveçse kryetar partie, është edhe Kryeministër. Si Kryeministër, Rama ka detyrë të mbrojë sistemin demokratik, ta shëndoshë e ta zhvillojë atë. Prandaj sjellja e tij politike nuk mund të jetë pa kufij. Kufizimi duhet, jo për hatrin e Bashës, por për hatrin e demokracisë. Rama nuk mund ta trajtojë Bashën si investimin e tij më të madh në PD, edhe sikur kjo të jetë e vërtetë. Ai nuk mund të ngulë çdo ditë thikën në komplekset personale të Bashës, për të mos e lënë atë të ngrihet mbi vetveten.
Kur qesh në parlament me zemërimin e liderit të opozitës, ai nuk është duke qeshur me Bashën, por po tregohet cinik me protestën, nuk po komplekson kundërshtarin, por po shprish opozitën. Ndaj opozitës doza të tilla nuk mund të përdoren dot. Opozitën nuk e bën dot qesharake, se kështu e vret.Panorama/