Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka zbuluar arsyet se përse ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar një prej negociatorëve, ushtarakun Artur Meçollari, përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes në negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Balla e ka quajtur të turpshëm sulmin dhe tha se Artur Meçollari ka qenë një nga personat që ka kundërshtuar planin e përhapjes të FA-ve për Bishtin e Pallës i cili dilte jashtë strukturave. Sipas tij, kjo gjë ishte një interes familjar i Berishës ku ka qenë i përfshirë sekseri Fazllic dhe zyra avokatore e së bijës.
“Shpallet tradhtar me damkë lidhur me një marrëveshje ku Shqipëria është e përfaqësuar si palë e barabartë ku i gjithë procesi po ndjek rrugën kushtetuese dhe në fund do kemi një marrëdhënie të rëndësishme partneriteti strategjik me Greqinë. Lidhur me disa akuza të hedhura nga Berisha për ndonjërin nga anëtarët e grupit të negocimit, duke qenë se kam ndjekur sjelljen e qeverisë së kaluar me pronat, dhe atë të heqjes së planit të përhapjes së pikës së Bisht Pallës, arsyeja që Berisha sulmon oficerin është një konflikt personal familjar me këtë oficer. Refuzimi i Artur Meçollarit, për të hequr nga plani i përhapjes Bishtin e Pallës për një tekë, interes familjar ku ka qenë i përfshirë sekseri Fazllic dhe ka qenë e përfshirë zyra avokatore e së bijës. E turpshme që ky njeri vijon të hedhë baltë”, tha Balla.